Skocia dhe Irlanda e Veriut anulojnë fluturimet nga hiri vullkanik
Hiri vullkanik i shpërndarë nga shteti ishullor i Islandës vazhdon që të mbetet një problem i madh edhe për shumë kohë. Vendimi i hapjes së hapësirës ajrore në Republikën e Irlandës i njoftuar prej agjencisë europiane të kontrollit të fluturimeve ajrore "Eurocontrol" nuk do të shoqërohet me të njëjtat masa edhe për Skocinë dhe Irlandën e Veriut.
Sipas autoriteteve vëzhguese, për shkak të resë së hirit të vullkanit islandez, i njëjti problem që në muajin prill çoroditi fluturimet në gjithë Europën, fluturimet në Skoci dhe në Irlandën e Veriut aeroportet do të qëndrojnë të mbyllura edhe ditën e mërkurë. Ende nuk është përcaktuar saktësisht se për sa kohë ky vendim do të qëndrojë në fuqi.
Vullkani Eyjafjoll vazhdon të jetë aktiv, por sasia e hirit vullkanik e lëshuar prej tij mbetet e dobët, megjithëse e pandryshuar dhe vetëm kushtet atmosferike mund të shpjegojnë trazirat e fundit në qiellin irlandez. Lajmi u deklarua ditën e marte zyra e Mbrojtjes Civile islandeze. Reja e hirit vullkanik të hedhur nga vullkani Eyjafjoll më 14 prill në Islandë shkaktoi një kaos të përgjithshëm në Bashkimin Evropian, pasi çdo shtet mbylli hapësirën e tij ajrore, duke e bërë të pamundur për kompanitë ajrore programimin e fluturimeve për rreth një javë.