E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uesli Shnajder, mister Holanda

Protagonisti Nga i pavlerë, në lojtarin e vitit. Ky është truri dhe lideri i “portokallinjve”

E kanë formuar si një mesfushor të thjeshtë, por me kalimin e kohës ka ndërtuar vendin e tij si organizator. I kishin vendosur epitetin “Whisky Sneijder”, pasi në pamundësi për të luajtur gjente prehje tek alkooli, ndërsa sot feston me shampanjë përpara fytyrës së të gjithë kritikëve. Reali i Madridit e shiti si të padobishëm për t’i lënë hapësirë Kakasë, por tashmë kur i sheh në fushë, është “tulipani” 26-vjeçar ai që qesh i fundit. Uesli Shnajder është një prej atyre lojtarëve që nëse luan futboll, dëshiron ta kesh gjithmonë përkrah dhe jo të ndeshesh si kundërshtar. Sipas të gjitha gjasave, Platini do të thoshte: “Nuk është një dhjetë e vërtetë, por një nëntë e gjysmë”. Legjenda franceze e ka gabim: ky lojtar është një dhjetë e gjysmë. Vrapon, vendos ritmin e lojës, vertikalizon dhe godet portën. Në të kaluarën ka luajtur si mesfushor i thjeshtë qendre apo në krah, tashmë ka thjesht rolin e liderit të skuadrës. Lojtari që kthehu Brazilin në shtëpi. Jo plotësisht i vetëm, megjithatë pothuajse i tillë.

Për të shpjeguar cili është Shnajder, duhet të kthehesh pak në të kaluarën. Jo shumë larg, deri më 16 gushtin e vitit 2009. Një valë euforie përjetohej në të gjithë Spanjën. Barcelona sapo kishte blerë Ibrahimoviç, duke i dhënë Interit në këmbim 50 milionë euro dhe Eto’o. Në Madrid, drejtuesit e Realit kundërpërgjigjen duke blerë atë që mbetej nga Kaka, ylli që dy vjet më parë këshilluan Milanin ta shiste për 68 milionë euro. Drejtuesit “merengue” vendosën të shesin Shnajderin, i cili tentoi të qëndronte me të gjitha mënyrat në kryeqytetin iberik, ku i pëlqenin lokalet e natës, pasi për futbollin nuk mendonte (nuk luante thuajse fare). Holandezi, i blerë për 27 milionë euro në vitin 2007, transferohet nën kosto tek Interi, vetëm për 16 milionë. Reali e shiti, shtoi edhe 52 milionë euro dhe afroi brazilianin Kaka. Organizatori përgatit valixhet, por e thërrasin në aksion për një ndeshje të fundit dhe arrin të largohet nga madrilenët me një gol të shënuar nga goditje dënimi. Më pas Shnajder zbarkon në Milano, ku ende pa nxjerrë rrobat nga valixhet debuton në derbin kundër Milanin. Prej asaj ndeshjeje kuptohet se zikaltërit nuk i kanë dorëzuar vetëm çelësat e apartamentit të ri, por edhe ato të skuadrës.

Në ish-skuadrën e Murinjos, triumfuese në Champions League, ishin të shpeshta rastet kur Uesli Shnajder cilësohej si “njeriu i ditës”. Por, tashmë ai është shndërruar në “njeriun e vitit”. Pasi ishte truri i sezonit të jashtëzakonshëm të Interit, ai është bërë edhe mendja dhe krahu i Holandës, e cila ka shansin të luajë në finalen e Afrikës së Jugut. 26-vjeçari ka mundësinë të realizojë objektivin ku dështoi një legjendë si Johan Krujf. E pamundur? Shnajder është vetëm 170 centimetra i gjatë, por të premten arriti të shënonte me kokë në zonën braziliane, mes kolosëve si Maikon, Lusio, Zhuan, Felipe Melo apo Xhilberto Silva. Në pesë ndeshje të Kupës së Botës 2010, ai ka arritur të realizojë 4 gola (FIFA ia dha Shnajderit golin e parë të holandezëve, të devijuar drejt rrjetës nga Felipe Melo). Ai është shënuesi më i mirë i skuadrës së Van Marvijk, por nuk mjafton ta vlerësosh vetëm për këtë. është këshilltari personal i trajnerit, shpirti i ekipit dhe njeriu që merr përdore “tulipanët”, duke u shpjeguar se gjithçka është e mundur. Ky është momenti i tij, viti i tij: çdo top kalon nga Shnajder dhe e gjithë Holanda ëndërron…

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›