E Diel, 1 Nëntor 2026

Skrapar, tensionohet situata politike, mbështetësve të LSI u ndërpritet uji

Tensionohet situata politike në zonën e Skraparit. Anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në fshatin Kakrukë të komunës Bogovë të rrethit të Skraparit janë ndëshkuar nga ndërmarrja e ujësjellësit të qytetit të Poliçanit me ndërprerje të ujit të pijshëm nëpër banesa, vetëm për arsye politike. Ngjarja ka ndodhur dje në orët e vona të pasdites së djeshme, ku një punonjës i ujësjellësit ka bërë prerjen e tubove të ujit dhe pas disa orësh ka njoftuar familjet e fshatit Kakrukë se këtë veprim e ka kryer me urdhër të kryetarit të bashkisë së Poliçanit. Sipas banorëve, ky veprim i qëllimshëm bëhet për shkak të bindjeve politike që ata kanë, duke mbështetur kandidatin për deputet të LSI, Nasip Naço. Nga ky dhunim i qëllimshëm kanë ngelur pa ujë disa biznese dhe rreth 5 familje në fshatin Kakrukë të rrethit të Skraparit. Të indinjuar banorët thonë se kanë bërë ankesë që tu rilidhet uji i pijshëm pasi pagesat e faturave ata i kanë kryer të gjitha. Banori i fshatit Kakrukë, njëkohësisht dhe anëtar i LSI-së Durim Hasani bën të ditur për gazetën se në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u lajmëruar, punëtori i ujësjellësit ka ardhur dhe ju ka ndërprerë ujin e pijshëm. Kur jemi vënë në dijeni, shkuam menjëherë kontaktuam me punonjësin i cili tha se kishte marrë urdhër nga kryetari i bashkisë së Poliçanit. Ne nuk mund ta pranonim këtë fakt ndaj kemi bërë debate dhe sherr derisa kanë ardhur organe të policisë së cilët nuk kanë bërë asgjë por vetëm kanë larguar punonjësin, tregon Durimi, duke shtuar se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me të vëllanë e tij Agimin, i cili është dhe kryeplaku i fshatit Kakrukë. Atyre u është ndërprerë uji i pijshëm në dyqanin e tyre të thertores ku kryejnë dhe aktivitetin privat. Duke e quajtur të papërgjegjshëm këtë rast, Durimi dhe anëtarë të tjerë të LSI-së thonë se do kërkojnë më insistim që tu lidhet tubacioni i ujit të pijshëm pasi ata kanë paguar çdo detyrim shtetëror që të kenë ujin në rubinetet e çezmave. Vëllezërit Hasani thonë se ky veprim është ndërmarrë sapo në ambientet e dyqanit të tyre është vendosur posteri i kandidatit për deputet të LSI-së Nasip Naço. Ndërsa banorë të tjerë të fshatit thonë se disa ditë më parë nëpër rrugë të fshatit janë vendosur postera simbolike të LSI-së dhe duke mos duruar një veprim të tillë, anëtarë të PS-së kanë reaguar me anë të drejtorisë së ujësjellësit duke iu ndërprerë pa shkak ujin e pijshëm. Debatet kanë vazhduar dhe me banorë të tjerë të fshatit ku punonjësi i ujësjellësit ka dashur të ndërpriste ujin e pijshëm por nuk është lejuar pasi familjarët e kanë larguar forcërisht. Por edhe pse po përballen me një situatë të nxehtë politike, banorët e fshatit Kakrukë thonë se ky veprim mesjetar  nga ndërmarja e ujësjellsit me urdhër të kryetarit të bashkisë nuk ka për tu ndryshuar mendjet që ata të votojnë kandidatët e LSI-isë, për faktin se ata mbështesin Ilir Meta i cili ka ndihmuar këtë zonë me investime sidomos në infrastrukturë kur ishte Kryeministër i vendit.

Last Updated on Friday, 19 June 2009 13:33

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›