Skrapi i merr jetën 32-vjeçarit
Nga Bathorja në fshatin e lindjes për hekurishte, e zë soleta e ish-repartit ushtarak.
Librazhd, babai i 2 fëmijëve u transportua me helikopter.
Tentativat për të mbledhur skrap në godinat e amortizuara të ish-reparteve ushtarake, marrin një tjetër jetë. Urim Alcani, 32 vjeç, humbi jetën pasi tavani i ndërtesës ku ai po mundohej të nxirrte hekurishte u shemb. Megjithëse viktima u dërgua në kohë të shkurtër në Spitalin Ushtarak me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë, plagët e rënda i shkaktuan atij vdekjen. Burime të Policisë bënë të ditur se i riu ishte futur në një pjesë tuneli të godinave të prishura, kur është gjendur papritur nën masivin e tavanit, shembur krejtësisht në mënyrë të befasishme. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e paradites në fshatin Gurakuq të Librazhdit. Alcani, me origjinë nga ky fshat, por prej disa vitesh banues në Bathore, është gjendur nga bashkëfshatarët e tij nën masivin e gërmadhave të godinave që ishin gati në shembje. Ata kanë dëgjuar zhurmën pas rënies së tavanit dhe kanë rendur drejt vendit të ngjarjes. Pas shumë përpjekjeve, banorët mundën të largojnë masivet në formë inertesh të gurta që kishin zënë poshtë 32-vjeçarin. Ky i fundit u konstatua se ishte plagosur rëndë dhe thuajse nuk jepte shenja jete. Të alarmuar për ngjarjen, për shkak të terrenit mjaft të thellë dhe pamundësisë së një makine për të mbërritur në vend, banorët i kanë kërkuar ndihmë Policisë. Duke parë gjendjen e rëndë në të cilën ishte i riu, një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë mbërriti në zonën e thellë që ndodhet në kufi me fshatin Shëngjergj të Tiranës. Viktima u transportua menjëherë në Spitalin Ushtarak, por me gjithë përpjekjen e mjekëve, ai ndërroi jetë disa minuta pas mbërritjes. Burime spitalore bënë të ditur se 32-vjeçari kishte pësuar plagë të rënda dhe ishte i pamundur shpëtimi i tij. Jemi njoftuar nga kryetari i komunës Shëngjergj, se në kufi me këtë fshat, në fshatin Gurakuq Librazhd, shtetasi Urim Alcani, duke hequr hekura në një ish-repart ushtarak, e ka zënë soleta dhe është në gjendje të rëndë. Me ndihmën e helikopterit të Shëndetësisë u dërgua në Spitalin Ushtarak, ku dhe ka gjetur vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në juridiksionin e Komisariatit Librazhd. Kufoma u dërgua në morg dhe veprimet po kryhen nga Komisariati Nr.3, bëri të ditur Policia e Tiranës në lidhje me këtë ngjarje. Mësohet se viktima ishte baba i dy fëmijëve, i papunë. Në pamundësi për të gjetur një punë në kryeqytet, ai shkonte herë pas here në fshatin e lindjes për të siguruar hekurishte, shitja e të cilave e ndihmonte sadopak në varfërinë ekstreme. Ai duhej të ushqente bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, ndaj e vetmja mundësi ishte mbledhja e skrapit. Gjatë muajve të fundit kanë qenë të shumta rastet me pasojë vdekjen e personave të cilët kërkojnë godina të amortizuara për të mbledhur skrap. Ata janë bërë viktima të shembjes së këtyre godinave.
LIBRAZHD/ MIRANDA SADIKU
Vdes punonjësi i autostradës
VLORE – Vdes në punë punonjësi i autostradës Levan-Vlorë. Sipas Policisë, shtetasi Kreshnik Bisha, 32 vjeç nga Shkodra, shofer pranë subjektit JUBICA, që po punon për ndërtimin e autostradës Levan-Vlorë, ka gjetur vdekjen dje gjatë punës. Nga hetimet e kryera rezultoi se ngjarja ka ndodhur gjatë tentativës për të ngarkuar një mjet gërmues (pirun) mbi një automjet tjetër. Por mjeti gërmues që do të ngarkohej ka rënë dhe e ka zënë nën vete, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Është dashur ngritja e mjetit për të nxjerrë trupin e 32-vjeçarit që e kishte zënë nën vete. q.b