Policia hyn në Lazarat, zbulon 600 rrënjë kanabis

Droga e sekuestruar dje në Lazarat
GJIROKASTER – Pas një jave rrethimi, Policia e Gjirokastrës ka guxuar të ndërhyjë brenda në Lazarat duke sjellë edhe rezultatet e para në terren. Xhelo Rabi, 59 vjeç, banor i këtij fshati, është arrestuar nga uniformat blu, pasi rezulton të jetë kultivues i sasisë së kanabisit në oborrin pranë shtëpisë. Operacioni i befasishëm Kubikët i ushtruar në banesën e Rabit afër qendrës së fshatit kishte për bazë një informacion nga terreni. Droga ishte mbjellë në vazo lulesh dhe arka plastike të mbushura me dhé, vendosur në thasë të vegjël plastmase. Përveç kësaj është gjetur edhe një parcelë me farë kanabis gati për tu ujitur dhe mbjellë. Pjesë e operacionit ishte dhe sekuestroja e 100 kg marijuane rifuxho në formën e bohçes. Kjo e fundit është gjetur në dhomën e gjumit të familjes Rabi dhe depozitohej në brendësi të tre thasëve të mëdhenj plastmase me ngjyrë të zezë, si dhe në një qese me ngjyrë transparente. Kërcelli i hashashit ishte mbjellë në thasët me pleh organik, në disa raste edhe në gota plastike. Bima e ndaluar kishte një rritje natyrale përgjatë ditëve të fundit qysh nga kujdesi fillestar i saj, gati në 20-40 cm. Aksioni është zhvilluar në lagjen Bregu i Spilos, pak metra larg qendrës së fshatit Lazarat. Ai nisi në orën 06:00 të mëngjesit të së premtes dhe nuk ka ndeshur në rezistencë nga banorët e fshatit. Uniformat blu të Gjirokastrës kanë hyrë në fshatin rebel pa zhurmë të madhe duke mos krijuar panik te banorët e fshatit. p.n