Vidhet banesa e zyrtares spanjolle të OSBE-së në Tiranë, hetim shërbëtores

Drejtoria e Policisë Tiranë
TIRANE Vajza që kishte punësuar për tu kujdesuar për shtëpinë i ka vjedhur një sasi parash dhe disa tollona benzine një zyrtareje të OSBE-së në Tiranë. Shtetasja spanjolle, Montserrat Batllo, 54 vjeçe, ka bërë kallëzim mëngjesin e djeshëm në Komisariatin Nr.1 të Policisë së kryeqytetit, ku tregonte se në shtëpinë ku ajo banon me qira prej 5 vitesh, në Mullet, i janë vjedhur një sasi parash dhe tollonash. Sipas burimeve nga Policia mësohet se në banesën e shtetases spanjolle ishin vjedhur 30 euro, 80 mijë lekë dhe 19 tollona benzine 10-litërshe. Menjëherë pas kallëzimit policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe nëpërmjet gjurmëve të gishtave është zbuluar se autorja e vjedhjes ishte 19-vjeçarja Ana Jonuzi, e cila ishte punësuar nga spanjollja Montserrat Batllo si shërbyese në shtëpinë e saj në Mullet. Duke qenë se ishte e pasionuar pas qenve, ajo kishte punësuar Jonuzin që të kujdesej për kafshët, gjatë kohës që ajo nuk ishte vetë në shtëpi. Po pikërisht gjatë orarit kur zyrtarja e OSBE-së ndodhej në punë, shërbëtorja kishte vjedhur paratë. Policia ka shoqëruar autoren e dyshuar të ngjarjes, e cila e ka pranuar se i ka vjedhur paratë, por duke u justifikuar me faktin që ishte tre muajshe shtatzënë dhe nuk kishte para që të kryente vizitat mjekësore. Vajza ka kërkuar mëshirë nga oficerët e Policisë, duke u shprehur e penduar për veprimin që kishte kryer. Për këtë arsye, pas konsultimit me prokurorin, është vendosur që 19-vjeçarja Ana Jonuzi të hetohet në gjendje të lirë.