Skuadrat italiane dhe spanjolle te kenaqura me verdiktin e shortit
Menjëherë pas shortit të së premtes, kanë ardhur edhe reagimet e drejtuesve apo trajnerëve të 16 skuadrave finaliste.
Roma-ShakhtarKapiteni i Romës, Françesko Toti, deklaroi: “Shakhtari ishte një prej skuadrave që donim, një kundërshtar më pak i frikshëm se të tjerët. Gjithsesi do ta kemi të vështirë prej klimës së ftohtë”. Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i Shakhtarit, Sergei Palkin, tha: “Jemi shumë të lumtur që ndeshemi me Romën. U gëzuam që evituam skuadra si Interi, Milani apo Valencia. Kemi shanse të kualifikohemi”.
Milan-TotenhemTrajneri Masimiljano Alegri u shpreh i kënaqur: “Totenhemi është një skuadër e mirë. Por, mes rivalëve të mundshëm, ata ishin një prej ekipeve që në letër duken më të lehtë”. Ndërkohë, Harri Redknap, trajneri i anglezëve, tha: “Është një short fantastik dhe një ndeshje mjaft emocionuese. Do të jetë një sfidë e vërtetë për Totenhemin. Nuk kishim frikë nga shorti, pasi e dimë që në këtë aktivitet do të luajmë kundër më të mirëve”.
Valencia-ShalkeTë dy trajnerët duken të kënaqur me përballjen. Drejtuesi i stolit të Valencias, Unai Emeri, deklaroi: “Gjermanët janë një kundërshtar i fortë, por kemi shpresa. Përshtypja e parë është se do të jetë një duel fantastik”. Trajneri i Shalkes, Feliks Magath, tha: “Është një ndeshje mjaft tërheqëse, por në të njëjtën kohë edhe një short i vështirë”.
Inter-Bajern MynihPresidenti i Interit, Masimo Morati, tha nga Abu Dhabi: “E kemi mposhtur disa herë Bajernin, është një betejë historike, megjithatë më duket ende herët për të gjykuar. Duhet të shohim në çfarë gjendje do të paraqitet skuadra në këtë sfidë”. Karl-Hainc rumenige, presidenti i bavarezëve, u shpreh: “Interi është një kundërshtar shumë i vështirë, ndoshta më i vështiri në këtë short. Kemi shansin të hakmerremi për finalen e majit”. Van Gal shtoi: “Nuk e shoh si short të keq, kemi një borxh për të larë”.
Lion-Real MadridPresidenti i Lionit, Zhan Mishel Aulas, theksoi: “Është e vështirë të ndeshesh me një favorite. Reali është më i fortë se vitin e kaluar dhe do të jetë një sfidë interesante. Madrilenët nuk do ta kenë të lehtë”. Kapiteni “merengue”, Iker Kasijas, paralajmëroi: “Në edicionin e kaluar të gjithë mendonin se Reali ishte favorit, por Lioni na eliminoi. Prej kësaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i respektojmë, edhe pse në letër ata duken më të dobët se ne”.
Arsenal-BarcelonaArsen Venger flet me filozofi: “E marrim shortin si na vjen. Nuk them se jemi të pafat, edhe pse kemi një sfidë më të vështirë se të tjerat. Megjithatë, kemi shanse”. Në kampin katalan, drejtori sportiv, Andoni Zubizarreta, tha: “Do të jetë një ndeshje ku nuk ka favoritë të sigurt. Kjo është një mundësi edhe për Fabregas, që nuk ka luajtur në ‘Kamp Nou’ prej periudhës kur u largua”.
Marsejë-Man. UTDSër Aleks Ferguson deklaroi: “Marseja është e vështirë në fushën e saj, edhe falë atmosferës së tifozëve. Na pret një përballje e vështirë”. Në anën tjetër, presidenti i francezëve, Zhan-Klod Dasier, tha: “Shorti nuk ishte i keq. Natyrisht që nuk është e lehtë, por deri në shkurt, Marseja do të vazhdojë të përmirësohet”.
FC Kopenhagen-ÇelsiRon Gurlej, shefi ekzekutiv i Çelsit, theksoi: “Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi Kopenhagen është një ekip i mirë. Por duhet të jemi të kënaqur me shortin”. Trajneri i danezëve, Stale Solbaken, tha: “Kjo do të jetë një sfidë e madhe për tifozët, por Çelsi, si Mançesteri dhe Reali, ishin skuadrat që doja të evitonim”.