Sllovenia do të përkrahë aspiratat euroatlantike të Kosovës
Në një takim që pati në Zagreb me presidentin e Sllovenisë, Danillo Tyrk, presidenti Fatmir Sejdiu bisedoi për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen që ky vend mund t'i japë Kosovës në procesin e integrimeve euroatlantike.
"Republika e Kosovës është e përkushtuar të punojë për arritjen e standardeve, që kërkohen për integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO, kurse Sllovenia është një shembull i mirë i plotësimit të këtyre standardeve", theksoi Sejdiu.
Sejdiu ripohoi se marrëdhëniet ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës janë shumë të mira, kështu që ekzistojnë të gjitha parakushtet për thellimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat e jetës.
Ndërsa, Tyrk e siguroi presidentin Sejdiu se vendi i tij do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën dhe aspiratat e saj për integrimet euroatlantike. Gjithashtu, ai theksoi se Sllovenia do të nxisë bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, duke nxitur biznesin slloven të investojë edhe më tutje në Kosovë. Gjithashtu, Tyrk tha se vendi i tij do të angazhohet që edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave.