E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia mbështet Greqinë për çështjen e emrit

I pyetur në konferencën për shtyp nacionale, në përfundim të samitit dy ditor të BE-së, Pahor deklaroi se këtë gjë ja ka thënë edhe Kryeministrit Gruevski, në takimin e organizuar nga Miqtë e Evropës e ku gjendeshin të dy, të martën në Bruksel.

“I thashë Nikolla Gruevskit se Greqia është anëtare e Bashkimit Evropian e cila mund të llogarisë gjithmonë mbi solidaritetin dhe se Maqedonia nuk është vend anëtar, por interesi i saj jetësor është të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Duke lënë mënjanë faktin a është e drejtë apo jo; Maqedonia duhet ta fusë mirë në kokë këtë. Këshilla ime në kërkimin e një zgjidhjeje për emrin është të mos i ngarkohet shumë emocion dhe të shkohet sa më shumë që të jetë e mundur afër kompromisit. Kur bëhet fjalë për një çështje kaq delikate është shumë e rëndësishme hierarkia e objektivave. Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme të dijë se sa shpejt dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian. Nuk them se për këtë duhet paguar një çmim shumë i shtrenjtë por ajo që kërkohet është një kompromis. Këtu në samit ju thashë kolegëve që një mungesë shumë e gjatë e Maqedonisë në negociatat për anëtarësim është për këtë vend një çështje ekzistenciale elementare”, deklaroi kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor.

Siç lajmëroi Alsat M një ditë më parë, vendet që mbështetën qëndrimin e Greqisë në këshillin e ministrave ishin Spanja, Franca, Malta dhe Qiproja. Ndërsa vendet që mirëkuptuan qëndrimin për shtyrjen e përcaktimit të datës për negociata ishin Sllovenia, Italia, Luksemburgu, Portugalia, Bullgaria dhe Rumania.

Samiti evropian në punimet e tij nuk disktutoi mbi zgjerimin, por në deklaratën e këtij samiti u përfshi vetëm një referencë ku thuhet se përkrahet vendimi që u mor nga ministrat e jashtëm në fillim të javës, më 8 dhjetor. Një lajm tjetër që erdhi nga ky samit është se nga viti i ardhshëm, presidenti i sapo-zgjedhur evropian, Herman Van Rompuy, do të nisë të organizojë samite të jashtëzakonshme mbi çështje të konsideruara si strategjike për BE-në. Një ndër to, i cili pritet të mbahet në muajt e parë të vitit 2010, do ti kushtohet vetëm Ballkanit. (Alsat-M/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›