Sllovenia, mbështetëse e fuqishme e integrimit të Shqipërisë në BE
Flet ambasadori i Sllovenisë në Tiranë, Bojan Bertoncelj
Ambasadori slloven në Tiranë, Bojan Bertocelj i cilëson të shkëlqyera marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Në një intervistë për “The Business Journal”, Bertocelj shprehet se, pas ndryshimeve demokratike 2 dekada më parë, të dy vendet reflektojnë një nivel të lartë miqësie dhe bashkëpunimi.
Sipas tij, Sllovenia mbetet një përkrahëse e fuqishme e integrimit të Shqipërisë në BE. “Sllovenia dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Pas ndryshimeve demokratike, 20 vitet e fundit reflektojnë një nivel të lartë të bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve tona. Ne kemi intensifikuar bashkëpunimin me hapjen e ambasadës sllovene në Tiranë në vitin 2010. Të dy vendet tona janë aleatë të NATO-s. Ne bashkëpunojmë në çështjet multilaterale dhe rajonale. Stabiliteti dhe prosperiteti rajonal është një shtysë të veçantë. Sllovenia mbetet përkrahëse e fuqishme e Shqipërisë në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, shprehet ambasadori Bojan Bertocelj.
Diplomati slloven flet për përvojën e Sllovenisë në integrimin e saj në BE, duke theksuar kjo eksperiencë vlen si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.
Sipas tij, reformat janë kyçi i suksesit në rrugën drejt Brukselit.
Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, thotë ambasadori Bertocelj, ka njohur zhvillime të rëndësishme. “Forcimi i bashkëpunimit ekonomik është motoja e botës së sotme. Nuk është çudi, edhe për marrëdhëniet tona. Ne të gjithë kemi shpresat se marrëdhëniet e shkëlqyera politike do të reflektohen më mirë në bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi një bazë solide të shkëmbimit dypalësh në mallra prej 39 milionë euro (2012), në shërbimet 18 milionë euro (2012), apo investimet direkte sllovene prej 10 milionë euro. Megjithatë, objektivi është për të maksimizuar këtë bashkëpunim dhe për të shfrytëzuar mundësitë e paprekura ende, për rritjen e tregtisë dypalëshe dhe bashkëpunimin në fushën e investimeve. Infrastruktura është një sektor shumë evident dhe një mundësi e mirë, për investime në energjetikë, ndërtim, transport dhe IT. Gjithashtu janë bujqësia dhe turizmi”, vlerëson ambasadori slloven në Tiranë, Bertocelj.