Ministri i Financave, Bode: Tenderi për lotarinë kombëtare, transparente dhe i monitoruar
“Lotaria kombëtare miratohet në Kuvend me 73 vota, PS kundër”
Debate të forta kanë shoqëruar dhe diskutimin rreth dhënies së licencës për Lotarinë Kombëtare kompanisë “Austrian Lotteries”. Pas debateve prej disa orësh, Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së licencës për Lotarinë Kombëtare mori 73 vota pro, ndërsa opozita votoi kundër me 61 vota.
Gjatë seancës së djeshme plenare në Kuvend, opozita kundërshtoi dhënien e licencës për Llotarinë Kombëtare kompanisë, ‘Austrian Lotteries’. Debatet në parlament u përqendruan mbi faktin se gara nuk ishte organizuar me parimin e ofertës më të lartë, por me një çmim fiks, duke i dhënë më shumë përparësi kritereve kryesisht teknike. Socialistët kanë deklaruar se kompania do të ketë një barrë të ulët fiskale, ndërkohë që sipas saj, duhet të ndodhte e kundërta në mënyrë që të ardhurat të përdoreshin për subvencionimin e aktiviteteve sportive apo në favor të shtresave në nevojë. Por ministri i Financave Ridaven Bode i hodhi poshtë si të pavërteta këto pretendime. Edi Rama në rrjetin social “twitter” dhe deputetët socialistë në Kuvend kanë akuzuar me breshëri qeverinë për parregullsi në dhënien e licencës duke akuzuar se fituesi ishte paravendosur. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, teksa ka hedhur poshtë akuzat e opozitës dhe Edi Ramës theksoi se, “tenderi për Lotarinë Kombëtare është zhvilluar në mënyrë transparente dhe është monitoruar nga qendrat më me eksperiencë në Europë dhe botë. Duke hedhur poshtë akuzat se kompania “Austrian Lotteries” ishte vendosur të shpallej fituese para se të zhvillohej tenderi, ministri Bode vuri në dukje se, “Lotaria Kombëtare është monopol dhe shteti ka sovranitetin e përdorimit të këtij tagri”.
“Ne jemi vendi i fundit që miratojmë Lotarinë Kombëtare. Vitet e fundit gjithnjë e më shumë lotaritë kombëtare i janë besuar privatëve apo edhe në rastet që ju përmendni siç janë Britania e Madhe, apo vende të tjera, u kanë deleguar organizimin dhe ushtrimin e lotarisë kombëtare kompanive private. Licenca është monopol apo jo diferenca mes asaj që ndodh në Austri dhe asaj që ndodh në Shqipëri është fakti se në Shqipëri është një licencë e akorduar me 100 për qind pronësi private, ndërsa në Austri ka përbërje të pronësisë publike dhe private”, theksoi Bode.
Ndër të tjera, ministri i Financave Bode u shpreh se, “nuk është e vërtetë që kapitalet e lotarisë së Austrisë janë tërësisht shtetërore, pasi aty marrin pjesë bankat, kazinotë, lojërat e fatit, lotari të tjera si dhe bën pjesë edhe qeveria austriake. Pra formimi i kapitalit për të ndërtuar një lotari kombëtare është i ndryshëm dhe në vende të tjera, edhe pse ju i quani shtetërore ato përsëri janë me kapitale private ose të huaja”.
Ai deklaroi më tej se në vendin tonë “2,2 për qind e xhiros do të shkojë për të mbështetur individë me sëmundje specifike, sportin e shumë kategori të tjera”.