"Ok" privatizimit të 4 HEC-eve, 110 milion euro në buxhetin e Shtetit
Parlamenti miratoi me 73 votat e mazhorancës projektligjin për privatizimin 100 për qind e katër HEC-eve, Bistrica 1, Bistrica 2, Ulëza dhe Shkopeti. Ndërsa 61 deputetët e opozitës prezent në parlament votuan kundër Hidrocentralet Bistrica 1 dhe 2 kanë përkatësisht nga 3 dhe 1 njësi dhe kapacitet të instaluar përkatësisht 23.1 dhe 5MW. HEC-et Ulëz Shkopet ka një kapacitet të instaluar prej 24MË. Të 4 hidrocentralet kanë në total një kapacitet të instaluar prej 52.1 MW, që përbën rreth 3.4 për qind të totalit të kapacitetit të instaluar të hidrocentraleve në vend.
Në nisje të seancës maratonë, kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Edmond Spaho, prezantoi kontratën e shitjes së 4-HECE-ve duke thënë se privatizimi i tyre i jep zhvillim dinamik ekonomisë. Ai theksoi se, çmimi i ofruar për shitjen e tyre është i lartë.
“Çmimi i shitjes se 4 HEC-eve 110 milionë euro”, shtoi Spaho.
Më pas fjalën e mori ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto e cilësoi privatizimin e 4 HEC-eve si vazhdimësi e qartë e politikave të zhvillimit në privatizimin e sektorit të prodhimit të energjisë që nga viti 2003, kur nisi dhënia me koncesion dhe shitjen e HEC-eve.
Sipas tij privatizimi i sektorit të prodhimit të energjisë në Shqipëri është parashikuar që në vitin 2003 në Strategjinë Kombëtare të Energjisë, në një studim të Bankës Botërore dhe sipas Direktivës përkatëse të BE-së për privatizimin e sektorit të prodhimit të energjisë. Më pas ai dha argumentet për nevojën e privatizimit të 4 HEC-eve Ulëz, Shkopet dhe dy Bistricat në Kuvend dhe për shitjen e tyre tek kompania “Kurum” pas miratimit nga Qeveria. Ky miratim i parlamentin vjen pas zhvillimit të tenderit të hapur për privatizimin e 4 HEC-eve me vlerë totale 107 milionë euro.
Haxhinasto theksoi se “sot diskutojmë për ratifikimin e një procesi dhe jo për ligjin e privatizimit të HEC-eve që është miratuar dy vjet më parë në Kuvend”.
Sipas ministrit të Ekonomisë, privatizimi i sektorit të gjenerimit të energjisë pas sektorit të shpërndarjes ka qenë edhe në strategjinë e energjisë të miratuar nga qeveria në prill 2002. Duke nënvizuar kërkesën e BE që ky treg të privatizohet, nevojën e privatizimit të sektorit të prodhimit të energjisë të parashikuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë të vitit 2003, Haxhinasto theksoi dhe një studim të Bankës Botërore të vitit 2003 që propozonte me argumentim nevojën për privatizimin e HEC-eve. Ndër të tjera, ministri i Ekonomisë nënvizoi vazhdimësinë e qartë të politikave të zhvillimit ndër vite, pasi në periudhën 2003-2005 u dhanë 30 HEC-e me koncension dhe u shitën 15 të tjerë me vlerë 20 milionë USD. Privatizimi është i nevojshëm për leke në buxhet dhe për logjikën ekonomike se këta HEC-e kërkojnë investime deri në 50 milionë euro.
“Nga privatizimi përfitojnë shqiptarët edhe nëse derdhen në buxhet të gjitha të ardhurat në shërbim të sektorëve të tjerë”, nënvizoi Haxhinasto. Ai theksoi se nga pikëpamja strategjike rëndësia e 4 HEC-eve ka rënë, në kushtet kur në vend po ndërtohen shumë të tjerë dhe ku prodhimi nga HEC-et e rinj në vitin 2012 jep 1000 MË prodhim vjetor të energjisë.
Ministri i Ekonomisë garantoi vijimin punës për të gjithë të punësuarit në këto 4 HEC-e. “Kjo është pjesë e marrëveshjes që detyron blerësin t’i mbajë ne punë punonjësit”, theksoi Haxhinasto. Kontratat për blerjen e aksioneve të shoqërive “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sha dhe “HEC Ulëz Shkopet” sha u nënshkruan më 11 shkurt 2013 nga METE dhe kandidatit fitues shoqëria “Kurum International”. Kontratat u nënshkruan në zbatim të vendimit të qeverisë të datës 09 janar 2013.