E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia mbështetje Shqipërisë për vizat

Një takim të veçantë, Meta pati me homologun e tij, Samuel Žbogar, me të cilit ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, liberalizimi i vizave, si dhe roli që të dy vendet luajnë në rajon. Gjatë një konference shtypi të përbashkët, Žbogar tha se hapja e Ambasadës sllovene në Tiranë, jo vetëm që tregon interesin e qartë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por do të japë një kontribut konkret në ngritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në një nivel shumë më të lartë. Žbogar gjithashtu shprehu vullnetin e Sllovenisë për të rritur në mënyrë konkrete nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe për të inkurajuar interesin e investitorëve sllovenë në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjetikës, infrastrukturës, transportit dhe telekomunikacioneve. Nga ana e tij, Meta theksoi se tashmë ka ardhur koha që të dy vendet të angazhohen konkretisht për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, dhe se hapja e Ambasadës sllovene në Tiranë është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Me këtë rast,  Meta dhe  Žbogar konfirmuan vullnetin e përbashkët për mbledhjen së shpejti të Komisionit të Përbashkët të Marrëdhënieve Ekonomike si dhe për intensifikimin konkret të bashkëpunimit në nivelin dypalësh dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Gjatë konferencës për shtyp,  Žbogar theksoi se Sllovenia mbështet fuqishëm procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën dhe shprehu bindjen se shqiptarët do të udhëtojnë pa viza drejt zonës Shengen brenda vitit 2010. Gjatë qëndrimit në Ljubljanë, Meta është pritur në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës së Sllovenisë, z. Danilo Tϋrk dhe nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare, z. Pavel Gantar.                                                                                              

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›