Shkarje dheu në Mallakastër, bllokohet rruga e shemben 6 banesa
KORçE-BALLSH - Prej afro 10 ditësh, mbi 20 fshatra të zonave Mokër e Gorë në qarkun e Korçës vazhdojnë të jenë të izoluara nga dëbora, ndërsa një shkarje masive gjatë ditës së djeshme në Hekal të Mallakastrës duke dëmtuar 6 shtëpi, ka bërë që shumë familje të fshatrave Hekal e Hysgjokaj të braktisin banesat e të akomodohen tek të afërmit. Sipas krerëve të komunave Mokër e Gorë, dëbora në këto zona ka shkuar në rreth një metër, ndërkohë që prej 10 ditësh janë të izoluara. Rruga automobilistike që lidh këto dy komuna është e pakalueshme, ndërsa Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së rrugëve, me gjithë përpjekjet nuk po mund ta bëjë atë të kalueshme. Ilir Mane, kreu i Komunës së Velçanit tha për GSH se në fshatrat e thella Bishnicë, Shpellë, Jollë, Senisht, Osnat, Niçë, Dërdush, Lekas, Grunjasi etj, situata po bëhet përditë e më kritike. Mësohet gjithashtu se në këto fshatra të izoluara po shfaqen kopetë e shumta të ujqërve që rrezikojnë bagëtitë e jetën e njerëzve. Dje në mesditë, si pasojë e shkarjes së një masivi toke në Hekal të Mallakastrës u dëmtuan rëndë 6 banesa, ndërsa dhjetëra të tjera i kërcënon i njëjti rrezik. Njëkohësisht, nga kjo shkarje është dëmtuar (bllokuar) aksi rrugor që lidh mbi 5 mijë banorë të kësaj zone. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë së rendit, repartet e PMNZSH, drejtues vendorë etj. Shkëlqim Jaupaj, nënprefekti i Ballshit tha se "janë marrë masat dhe për evakuimin e banorëve, ndërsa situata është e vështirë". Mësohet se banorët e evakuuar janë akomoduar përkohësisht tek të afërmit, ndërkohë që për hapjen e rrugës së bllokuar kërkohet ndërhyrja emergjente e shtetit. (d.b/BalkanWeb)