E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia në histori

Kombëtarja e Algjerisë e ka nisur dobët aventurën e saj në kampionatin botërorë ‘Afrika e Jugut 2010’, pasi të dielën është mposhtur nga Sllovenia me rezultat minimal, 0:1, në ndeshjen e dytë të Grupit C.

Njëherësh kjo fitore është futur në histori të futbollit slloven, pasi për herë të parë Sllovenia e mposhti një ekip në Botëror, gjë që nuk e kishte bërë asnjëherë më parë.

Golin e vetëm dhe të fitores për Slloveninë në këtë takim e ka shënuar kapiteni Robert Koren në minutën e 79-të të takimit. Një pjesë të fajit për këtë gol që e pësoi Algjeria e pati edhe portieri i kësaj skuadre Fawzi Chaouchi, i cili ka mundur ta ndalë gjuajtjen e golashënuesit të skuadrës nga Evropa.

Marrë në tërësi, kjo ndeshje ishte monotone, sepse të dyja ekipet nuk ia dilnin të krijonin aksione të rrjedhshme dhe të bukura për sy. Andaj, të dyja skuadrat edhe patën shumë pak raste shënimi. Gjatë 90 minutave lojë, Algjeria edhe Sllovenia vetëm nga tri gjuajtje i kanë plasuar brenda kornizave të portave.

Vlen të theksohet se algjerianët në këtë takim prej minutës së 73-të kanë luajtur me një futbollistë më pak, pasi Ghezzal u përjashtua nga loja, sepse gjyqtari e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë.

Ndeshja e parë e këtij grupi u zhvillua të shtunën ndërmjet Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), 1:1.

Grupi C
Anglia – SHBA 1:1
Algjeria – Sllovenia 0:1

Tabela
Sllovenia 1 3
Anglia 1 1
SHBA 1 1
Algjeria 1 0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›