E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia ratifikon protokollin Kroaci-NATO

Sllovenia ka ratifikuar zyrtarisht protokollin e anëtarësimit të Kroacisë në NATO, duke i hapur rrugë fqinjit të saj më të madh të bëhet pjesë e aleancës politike dhe ushtarake javën e ardhshme, pas dështimit të përpjekjeve të një partie lokale nacionaliste për bllokimin e procesit. Të 25 vendet e tjera anëtare të NATO-s kanë përfunduar tashmë procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Kroacisë. Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare me të drejta të plota të NATO-s në samitin e saj të radhës më 4 prill. Parlamenti slloven ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Kroacisë në NATO në muajin shkurt, por ndërkohë duhej të priste ende për zyrtarizimin e plotë të këtij procesi, pasi një parti e vogël nacionaliste kishte kërkuar mbajtjen e një referendumi lidhur me anëtarësimin e Kroacisë. Ky grupim politik kishte kërkuar bllokimin e procesit për shkak të një mosmarrëveshjeje territoriale midis dy vendeve, për të cilën Ljubjana zyrtare ka bllokuar disa kapituj të bisedimeve të antarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian. Kjo parti kishte afat deri më 26 mars për të mbledhur 40 mijë firmat e nevojshme për mbajtjen e një referendumi, por kryetari i parlamentit slloven, Pavel Gantar deklaroi se nacionalistët kishin siguruar vetëm një mijë e 87 të tilla. "Dëshiroj të informoj se sapo nënshkrova përfundimisht ratifikimin e protokollit të anëtarësimit, kështu që Kroacia do të anëtarësohet në NATO në samitin e javës së ardhshme", tha Gantar gjatë një konference për shtyp. Sllovenia, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, kishte vendosur veton ndaj bisedimeve të anëtarësimit të Kroacisë në BE në dhjetor të vitit të kaluar, për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me një sipërfaqe të vogël toke dhe kufirin në Detin Adriatik, që pasi të dy vendet shpallën pavarësinë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›