E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama:Al Kaeda po planifikon të sulmojë SHBA-në

"Al Kaeda është akoma aktive dhe po përgatit nga Pakistani një sulm kundër territorit të Shteteve të Bashkuara". Kështu është shprehur Presidenti amerikan Barak Obama, gjatë bërjes publike të strategjisë së rishikuar të sigurisë për Afganistanin. Gjatë fjalës së tij në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha se gjendja në Afganistan po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Obama shtoi se nuk mund të lejohet që Afganistani të bjerë nën kontrollin e Al Kaedës dhe talebanëve. "Qëllimi i SHBA-ve është të shpërbëjë dhe të mundë Al Kaedën në Afganistan dhe në Pakistan. Por për të arritur këtë qëllim, do të jetë shumë kyç roli i Islamabadit zyrtar. Kufiri mes Afganistanit dhe Pakistanit është zona më e rrezikshme në botë për amerikanët", ka deklaruar Barak Obama. "Sipas agjentëve të inteligjencës, Al Kaeda po projekton aktivisht sulme kundër SHBA-së nga vendstrehimi i saj në Pakistan", ka deklaruar Obama. Obama ka shtuar se edhe në Afganistan situata po bëhet gjithnjë e më shumë e rrezikshme, kur më 2008-ën është shënuar numri më i madh i ushtarëve amerikanë të vrarë në luftë. Sipas tij, për këtë arsye nevojitet një impenjim më i madh. "Në Afganistan do të dërgohen katër mijë ushtarë, që do të shërbejnë si stërvitës, dhe do të ketë një sforco më të madhe civile. Ne do të përshpejtojmë angazhimin tonë për të krijuar një ushtri afgane me 134 mijë forca, si dhe një forcë policore me të paktën 82 mijë efektiva, në mënyrë që t'u besojmë forcave lokale gjithnjë e më shumë përgjegjësi", tha Obama. Obama ka konfirmuar se në Afganistan dhe Pakistan, ku ndodhen trupa ushtarake të SHBA-së është në lojë siguria e vendit të tij dhe të pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar. Obama ka lajmëruar gjithashtu se bashkë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, SHBA-të do të ngrenë një grup kontakti për sigurinë në Afganistan e Pakistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›