Sllovenia vendos veto për pranimin e Kroacisë në B
Sllovenia, ashtu sikurse edhe kishte paralajmëruar para disa ditësh përmes Kryeministrit të saj të ri, Borut Pahor, e përdori edhe zyrtarisht veton, duke bllokuar pranimin e Kroacisë në BE. Ajo (Sllovenia), në këtë mënyrë bllokoi bisedimet që Kroacia po zhvillon në Bruksel për pranimin e saj në BE. Mosmarrëveshja shumëvjeçare që kanë të dyja vendet për kufirin mes tyre, është bërë një "mur i pakapërcyeshëm" në rrugën evropiane të Kroacisë, sepse Sllovenia, duke shfrytëzuar faktin se është tashmë anëtare e BE-së, ka të drejtën e saj të përdorë veton në bisedimet që po zhvillojnë aktualisht Zagrebi dhe Brukseli, ndërsa ka ardhur koha që në këto bisedime të hapen tetë kapituj të ri. Lubjana konsideron se shtatë prej këtyre kapitujve përmbajnë problemin e kufirit slloveno-kroat, problem mosmarrëveshjesh të vazhdueshme që kur të dyja vendet shpallën pavarësinë e tyre, kur u shkëputën nga ish-Jugosllavia. Në diskutim janë disa mijëra hektarë në pjesën tokësore, por problem kyç përbën një zonë detare në Gjirin e Piranit, për të cilën Sllovenia pretendon se është e saja. Kroacia, nga ana e saj, pretendon të kundërtën dhe kështu mosmarrëveshja ka përfunduar në arbitrazhin ndërkombëtar. Qeveria e Kroacisë e konsideron veton sllovene si një shantazh klasik i cili synon që ajo (Kroacia) të heqë dorë nga një pjesë e territorit të vet në shkëmbim të pranimit të saj në BE. Kroacia, në tetor të vitit 2005, ka filluar bisedimet me Brukselin, me të cilin, deri tani, ka trajtuar 21 kapituj nga 35 të tillë që duhet të trajtohen, për të kaluar në fazën tjetër të pranimit në BE. Mbas përdorimit të vetos nga ana e Sllovenisë, bisedimet Zagreb-Bruksel do të bllokohen, të paktën gjashtë muaj, pra gjatë kohës së kryesimit të BE-së nga ana e Çekisë, kur, sipas paralajmërimeve që janë bërë, Ballkani Perëndimor pritet të jetë një nga prioritetet kryesore.