E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO dhe arsimi ynë

Si kapërcehen pengesat që e zvogëlojnë mundësinë për t‘u arsimuar? Si arrihet që nxënësit të kenë mundësi të njëjta për arsim dhe nxënie cilësore? Si zhvillohen sistemet dhe shkollat më gjithëpërfshirëse? Këto, dhe çështje të tjera, u diskutuan në Konferencën e 48-të Ndërkombëtare të Arsimit, organizuar nga Byroja Ndërkombëtare e Arsimit (IBE) e UNESCO-s nga data 25-28 nëntor në Gjenevë (Zvicër). Tema e sesionit: "Arsimi gjithëpërfshirës: Rruga e së ardhmes". Konferenca, e paraprirë nga 9 workshope të zhvilluar në vitin 2007 për arsimin gjithëpërfshirës, shqyrtoi mënyrat me të cilat shkollat hapen më shumë ndaj kërkesave të larmishme dhe ndihmojnë nxënien e suksesshme. Ajo u përqendrua në identifikimin e sfidave që përballin sistemet arsimore, gjeneroi përvojat e mira lidhur me arsimin gjithëpërfshirës dhe shqyrtoi rolin e qeverive në zbatimin e politikave që forcojnë gjithëpërfshirjen. Në këtë veprimtari morën pjesë delegacione dhe delegatë nga 153 shtete anëtare. Debateve interesante të këtij sesionit iu bashkëngjitën kontributet e 20 organizatave ndërqeveritare, 25 OJF-ve, fondacioneve dhe institucioneve të tjera të shoqërisë civile. Ministra arsimi, ose zëvendësit e tyre, nga 144 vendeve morën pjesë, ose përshëndetën, me mesazhe punimet e sesionit, ndërsa në përgjigje të kërkesës së organizatorëve, 112 shtete dërguan raportet me informacion dhe konkluzione sipas një tematike të përcaktuar. Kështu, p.sh., Bosnja dhe Hercegovina, në raportin e saj prej 34 faqesh informoi Konferencën rreth sistemit të saj arsimor dhe sfidave që po përball vendi, për aspektet e reformës në arsim dhe për strategjitë që mendohet të përdoren për të mundësuar arsimin gjithëpërfshirës. Konkluzionet dhe rekomandimet e konferencës lexuesi i interesuar mund t‘i gjejë lehtësisht në http://portal.unesco.orgl.
Edhe pse organizimi i këtij eventi madhor ishte njoftuar një vit më parë, në konferencë nuk mori pjesë delegacioni shqiptar, nuk u paraqit asnjë mesazh përshëndetjeje nga ministri ynë i Arsimit dhe i Shkencës, nuk u dërgua ndonjë raport. Ndërkaq, ka zëra që pohojnë se 10% e nxënësve tanë nuk arrin të përfundojë arsimin bazë, edhe pse ai është i detyrueshëm me ligj.
ÇFARE ESHTE DHE ÇFARE BEN UNESCO?
Ishte viti 1942, kulmi i Luftës së II Botërore, koha kur qeveritë e vendeve evropiane, që përballnin nazizmin dhe aleatët e tij, u mblodhën në Britaninë e Madhe për Konferencën e Ministrave Aleatë të Arsimit. Sapo lufta përfundoi, në 1-16 nëntor 1945, u mblodh në Londër Konferenca e Kombeve të Bashkuara për krijimin e një organizate arsimore dhe kulturore (ECO/CONF). Delegatët e 44 vende vendosën të krijojnë një organizatë që do të mëshironte kulturën e paqes së vërtetë, thënë ndryshe "solidaritetin moral dhe intelektual të njerëzimit". Në përfundimin e konferencës, 37 vende krijuan Organizatën e Kombeve të Bashkuara për arsimin, shkencën dhe kulturën - UNESCO. Kushtetuta e saj u nënshkrua në 16 nëntor 1945 dhe hyri në fuqi një vit më vonë.
Në ditët tona, organizata funksionon si laborator idesh dhe përcakton standarde në funksion të mirëkuptimit ndërkombëtar për çështje të ndryshme të arsimit, shkencave të natyrës dhe atyre shoqërore, të komunikacionit dhe informimit. Ajo shërben si agjenci që mbledh, përpunon, përhap informacion e dije dhe ndihmon vendet anëtare të ngrenë e forcojnë kapacitetet e tyre në këto fusha. Shkurt, në këtë organizatë sot kanë aderuar 193 shtete dhe janë asociuar 6 të tjerë. Nëpërmjet strategjive dhe veprimtarive të saj, UNESCO ndjek aktivisht Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, sidomos veprimtaritë që synojnë: të përgjysmojnë numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri deri në 2015, të sigurojnë arsimin fillor në të gjithë vendet deri 2015, të zhdukin dallimet gjinore, të sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm etj.
Që nga krijimi i saj, UNESCO ka punuar për përmirësimin e arsimit në mbarë botën nëpërmjet këshillimit teknik, caktimit të standardeve, projekteve novatore, ndërtimit të kapaciteteve dhe krijimit të rrjeteve të komunikimit. Përparësitë e organizatës në sektorin e arsimit lidhen me arsimin bazë për të gjithë me fokus zhdukjen e analfabetizmit; me arsimin e mesëm përfshirë këtu arsimin e trajnimin profesional dhe arsimin shkencor/teknologjik; me forcimin e cilësisë në arsim referuar kryesisht vlerave të tij; me trajnimin e mësuesve dhe me arsimin e lartë.
Sfera e gjerë e veprimtarisë, arritjet dhe potencialet e kësaj organizate prestigjioze, gjithkush mundet t‘i konsultojë në sajtin e saj. Mjaftohem këtu me disa nga mundësitë që ofrohen nga bashkëpunimi profesional me të. Kështu, vetëm për arsimin janë ngritur dhe funksionojnë 8 institute dhe qendra arsimore si: Instituti Ndërkombëtar për Planifikimin Arsimor (Paris/Buenos Aires); Byroja Ndërkombëtare e Arsimit (Gjenevë); Instituti për Nxënien e Përhershme (Hamburg); Instituti për Teknologjitë e Informimit në Arsim (Moskë); Qendra Ndërkombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional (Bon) etj. Secila agjenci nxit dhe zhvillon programe dhe projekte në vendet anëtare. Kështu, p.sh., edhe konferenca për të cilën fola më sipër është fryt i Byrosë Ndërkombëtare të Arsimit vendosur në Gjenevë. Kjo agjenci e UNESCO-s ofron ngritje kapacitetesh, asistencë teknike, shërbime trajnimi, këshillim politik dhe një rreth të gjerë burimesh, mjetesh dhe materialesh. Meqenëse kurrikuli është elementi kryesor i çdo procesi arsimor, Byroja ndihmon UNESCO-n të plotësojë synimet e saj nëpërmjet zhvillimit të kurrikulave cilësore, duke përkrahur qasjen gjithëpërfshirëse për zhvillimin e kurrikulit që u drejtohet politikave kurrikulare, procesit vendimmarrës arsimor, zhvillimit të kurrikulave dhe materialeve të nxënies, zbatimit, monitorimit dhe vlerësimit të kurrikulit.
Gjithashtu, UNESCO ka planifikuar të zhvillojë gjatë vitit 2009 dhe 3 konferenca të tjera për lidhjet e arsimit me zhvillimin e qëndrueshëm, për arsimin e të rriturve dhe për arsimin e lartë.
SHQIPERIA DHE UNESCO
Shqipëria ka aderuar në UNESCO më 16 tetor 1956. Lidhjet me të i siguron delegacioni ynë i përhershëm me seli në Paris. Ndërsa në Shqipëri funksionon Komisioni Kombëtar, që ka si president ministrin e Arsimit dhe Shkencës e vepron si lehtësues për mobilizimin e institucioneve qeveritare e shoqërisë civile në ndihmë të plotësimit të objektivave të UNESCO-s. Komisioni për plotësimin e objektivave të tij mund të sigurojë fonde nga burime alternative.
Nuk kemi informacion për veprimtarinë e delegacionit dhe të komisionit gjatë këtij viti, pasi nuk gjejmë as raporte të botuara dhe as sajte sikundër kanë pjesa më e madhe e homologëve të tyre. Të sigurt jemi vetëm për mungesën e Shqipërisë në Konferencën e 48-të. Por dhe në ato burime të tjera informimi që kemi konsultuar nuk gjenden të dhëna për programe/projekte arsimore që UNESCO mbështet e zhvillon vetëm, ose në bashkëpunim me shtetin shqiptar. Gjithsesi, konstatimi mbetet për t‘u komentuar nga aktorët e interesuar.
Nga ana tjetër, format e bashkëpunimit me këtë laborator idesh janë të larmishme. Po sjell në vëmendjen e lexuesit dy syresh.
E para lidhet me bashkëpunimin e dyanshëm të Kinës me UNESCO-n në kontekstin e reformimit të kurrikulit. Ministria kineze e Arsimit i paraqiti IBE-UNESCO dokumentin ku parashtroheshin çështjet me interes për palën kineze. Më pas dhe sipas axhendës së përcaktuar, një ekip me 8 ekspertë kinezë zhvilloi një takim dyditor (maj 2007) në dy panele, i pari kushtuar synimeve, strategjive dhe menaxhimit të reformës kurrikulare dhe i dyti kushtuar lidhjes se kurrikulit me nxënien. UNESCO kishte aktivizuar ekspertë nga më të mirët në fushat e interesit, çka e lejoi ekipin kinez të diskutojë me kolegët evropianë për përvojën e vendeve nordike në sigurimin e arsimit cilësor; për përvojat e vendeve me sisteme tejet të decentralizuara si p.sh., Zvicra; për qasjen e kurrikulit me bazë kompetencën; për përvojat në përgatitjen e kurrikulit, si dhe të informoheshin për arritjet në sektorin e zhvillimit profesional të mësuesve, kryesisht në hapësirat rurale (përvoja e Rumanisë).
Përvoja e dytë lidhet me veprimtaritë e Komunitetit të Praktikës për Zhvillimin e Kurrikulit. Ky komunitet, i ngritur nga IBE-UNESCO, vitin e kaluar numëronte 750 bashkëpunëtorë prej 91 vende të botës, në mesin e të cilëve janë ministra arsimi, universitete, OJF, fondacione, këshilla ndërqeveritare, agjenci ndërkombëtare etj. Që nga vitit 2005, komuniteti ka organizuar dhe ka marrë pjesë në 67 workshope, seminare, konferenca dhe simpoziume zhvilluar në rajone të ndryshme të botës. Vetëm në Evropë komuniteti ka 3 pika fokale që lehtësojnë bashkëpunimin e të interesuarve. Komuniteti është përfshirë në organizimin e veprimtarive specifike si p.sh., ndërtimi i bazës së të dhënave për situatat e nxënies që ndihmojnë reformat e mbështetura në kompetencë në arsimin bazë.
Kur shikon mundësi dhe kapacitete të tilla vështirë të mos pyesësh: Mos ndoshta nuk dimë t‘i kthejmë në inputet për reformën arsimore materialet e konferencave ndërkombëtare, bashkëpunimet e dyanshme me agjencitë e UNESCO-s, apo mundësi të tjera që ofron kjo organizatë?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›