Pasuritë e Kryeministrit, PS: Berisha po tallet me popullin
Pas deklaratës së pasurisë së familjes kryeministrore, PS-ja deklaron se do t'i shkurtojë ditët pushtetit ilegjitim
TIRANË - Partia Socialiste e konsideron të turpshme pasurinë e deklaruar nga familja kryeministrore pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.
Deputeti i Qarkut Elbasan, Taulant Balla, deklaroi dje se Kryeministri Berisha dhe shpura e tij kanë shtuar pasuritë e tyre marramendëse, ndërsa lëvizjet financiare nga llogaritë e familjarëve dhe të kabinetit kalojnë disafish buxhetin e ndihmës ekonomike, për të gjitha familjet shqiptare të marra së bashku.
"Është e turpshme se si Sali Berisha vazhdon të shtiret si një varfanjak, vazhdon të shtiret që jeton në një apartament të vjetër të periudhës komuniste e që gjoja mbahet vetëm me pagën e tij dhe të bashkëshortes, ndërkohë që gjithë qytetarët e Tiranës e dinë mirë ku banon Kryeministri, në një apartament luksoz, në një pallat luksoz.
Me kë tallet Sali Berisha? Me kë tallet ky njeri që nuk ka më mandat për të qeverisur shqiptarët? Sërish për vitin e kaluar ka deklaruar si pasuri shtesë të tij vetëm pagën e tij dhe të së shoqes.
Në deklaratën e depozituar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Sali Berisha rezulton të jetë i vetmi që lëvizjet financiare i ka pasur kryesisht në qindarka", -tha dje Balla, duke vënë në dukje një fenomen të njohur tashmë: atë të kalimit të pasurive në emër të fëmijëve dhe bashkëshortëve.
"Kështu, Kryeministri ka për bir ndërmjetësuesin, apo siç thuhet në gjuhën e përditshme, sekserin më të pasur në Shqipëri. Ky ka deklaruar se shumat e mëdha që ka në llogaritë e tij i ka fituar falë ndërmjetësimeve.
Në vitin 2008, duke punuar si sekser, ai thotë se ka fituar 82.882 euro. Bashkëshortja e zëvendëskryeministrit është e vetmja grua që merr gjashtë rroga duke ndenjur në shtëpi.
Kjo bandë që mundohet të mbajë pushtetin, me para dhe vota të vjedhura, nuk e mori mandatin për të riqeverisur. PS-ja, së bashku me të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, do t'ia shkurtojnë me çdo mjet demokratik ditët këtij pushteti ilegjitim, që pasurohet në kurriz të varfërisë së shqiptarëve",- tha Balla.
Që para tre vitesh, Argita Malltezi (Berisha) do të deklaronte se ishte pronare e një numri të madh shtëpish, në vlerën mbi 606.000 euro. Ndërsa i biri i Kryeministrit, Shkëlzeni, ka deklaruar pasurinë për herë të parë vjet, duke u shprehur se vetëm nga ndërmjetësimi në shitblerje ka fituar mbi 82 mijë euro, të deklaruara si të shtuara në një bankë.