E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, vrap-maratonë për të mbërritur në spital

FIER-VLORË/ Dy qytetet vuajnë në këtë kohë trafikun e rënduar. Nga njëra anë sinjalistika dhe nga ana tjetër infrastruktura çojnë në problemet verore

FIER - Trafiku në verë nuk është një gjë e jashtëzakonshme, por jo rrallë mund të ndodhë që një gjë e tillë të të vërë në rrezik edhe jetën.

Një gjë e tillë ka ndodhur dje në qytetin e Fierit, ku një personi i cili kishte pësuar djegie në të gjithë trupin i është dashur të vrapojë teksa ishte në gjendje të fikti për të arritur spitalin dhe për të marrë mjekimin në kohën e duhur.


Ngjarja ka vënë në alarm të gjithë personat të pranishëm në rrugë, të cilët me gjithë dëshirën për të liruar vend, nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë. Fatmirësisht për të dëmtuarin, automjeti që po e transportonte për në spital ngeci rreth 400 metra larg "shtëpisë së shëndetit".


Gjithçka ka ndodhur gjatë paradites së të hënës, teksa dhjetëra njerëz që ndodheshin në rrugë, shkonin apo dilnin nga spitali kanë parë të tmerruar një person të shoqëruar nga dy burra që vraponin për në spital.


Ai që binte në sy kishte rroba të shqyera, ndërsa trupi i ishte djegur. Burrat kishin qenë në një automjet dhe po përpiqeshin të hynin në spital, për shkak se Rajmond Koçi, 35 vjeç, kishte djegie në të gjithë trupin.


Një nga ata që e shoqëronte, Bashkim Veizi, ka filluar të bërtasë duke u bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që kishin bllokuar rrugën se duhet të dërgonin dikë në spital.


Por megjithatë asnjë makinat nuk ka mundur të lëvizë nga kaosi i krijuar. Një gjë e tillë ka bërë që të tre personat që ishin në automjet, mes tyre edhe i dëmtuari, të vraponin për të mbërritur në spital dhe për të marrë mjekimin.


Teksa vraponte, herë pas here 35-vjeçari e ka gjetur veten në tokë, për shkak të djegieve që kishte në trup dhe që i krijonin gjendje të fikti.


Ai ka mbërritur me zvarritje deri në hyrje të spitalit e më pas e ka gjetur veten në reanimacion. Babai i tre fëmijëve kishte qenë duke djegur disa peme që kishin zënë krimba, por nga shishja e benzinës që mbante në dorë, i ka marrë flakë trupi, duke u djegur keqazi në fytyrë, këmbë e krahë.


Shefi i urgjencës së spitalit të Fierit, Maksi Tanka, lidhur me këtë rast thotë se bllokimi i rrugës së spitalit është bërë një gangrenë e vërtetë. Kjo situatë, sipas tij, ka ndodhur edhe herë të tjera.


"Ambulancat tona bllokohen për 30 minuta ose më shumë, por që janë vendimtare për jetën e njeriut të plagosur ose atij që ka pësuar një atak kardiak", thotë mjeku, duke ngritur kështu edhe problemin e ndërhyrjes së policisë rrugore, në mënyrë që kjo pjesë rruge të shihet si nyjë e rëndësishme e në mënyrë që njerëzit të mos vdesin duke pritur në trafik.


Një nga vendet që shpesh krijon trafik në qytetin e Fierit është edhe ai në dalje të rrugës teksa shkon për në Vlorë. Rritja e numrit të personave që shkojnë në plazh për të kaluar fundjavën apo pushimet, ka shtuar edhe numrin e automjeteve e automatikisht ka rënduar trafikun. Por dalja e qytetit të Fierit duket se nuk është shumë "e qartë", sidomos për personat që kalojnë për herë të parë.


Këta të fundit jo rrallë duhet të ndalojnë e të pyesin se cila prej rrugëve të çon në Vlorë, në mënyrë që më pas të vijojnë udhëtimin. Por po i njëjti fluks krijohet në hyrje të qytetit e po kështu brenda tij. Mungesa e sinjalistikës bën që radhë të gjata makinash dhe një trafik artificial të shtojë problemet në qytet.


Të ëndërrosh plazhin rrugës


VLORË - Në muajin gusht në Vlorë? Të paduruarit për të shkuar për në plazh detyrimisht duhet të tregohen paksa më të duruar. Ajo që nxit më tepër dilemën e lëvizjes kryesisht në zonën bregdetare, veçse kalimit përgjatë akseve të prishur nga projekti që po zbatohet në to, është trafiku i rënduar.


Ndërsa rekordin e thyen fundjava, edhe ditët e tjera në orë të caktuara të paradites dhe pasdites mbartin pamje të radhës së gjatë të automjeteve. Për të shkuar apo ardhur nga plazhi në orare të tilla, mund të qëndrohet në radhë edhe për disa orë, ndërkohë që orë të tëra pritjeje shënon fundjava.


Akset, ku trafiku është i dukshëm janë kryesisht ato përgjatë rrugës kryesore, përqendruar më tepër në zonën e Ujit të Ftohtë. Po kështu ditët e fundjavës e shtrijnë këtë trafik të rënduar deri në Radhimë, zonë përgjatë vijës bregdetare.


Efektivë të qarkullimit rrugor, të cilët shtojnë pikat e patrullimit gjatë verës, pohojnë se ngarkesa ndikohet nga numri i lartë i automjeteve që qarkullojnë në qytet, që gjatë verës pesëfishohen. Kjo situatë në Vlorë vijon edhe në muajin gusht, që njihet si muaji ku fluksi arrin kulmin në qytetin bregdetar.


Në radhën e gjatë të automjeteve, veç atyre që mbajnë targat e qytetit, vëren thuajse të gjithë qytetet shqiptare. Vera shton së tepërmi numrin e automjeteve me targa të huaja, për shkak të ardhjes së emigrantëve.


Në krahasim me periudha të njëjta gjatë viteve të kaluar, targat KS duken të shtuara në numër, fakt që konfirmohet edhe nga efektivë të qarkullimit rrugor. Pavarësisht ngarkesës, rruga në qytet ka paksa më tepër frymëmarrje këtë vit, pasi lëvizja ndihmohet edhe nga segmenti i Transballkanikes.


Projekti që mendohet t'i japë zgjidhje lëvizjes normale në Vlorë është ai i Unazës së plotë që do të kalojë në Ujë të Ftohtë, projekt ky që është i njohur nga KRRT-ja e Vlorës.


Në pikën e kalimit kufitar të portit të Vlorës mësohet se fillimgushti ka shënuar rritje të ndjeshme të fluksit së ardhjes së pasagjerëve. Gjatë fundjavës hynë nga kjo pikë 3 mijë pasagjerë dhe 600 automjete. Ditën e djeshme pati një hyrje prej 1200 pasagjerësh dhe 350 automjete.

Fluksi, oraret e pikut në Vlorë


Me ardhjen e sezonit veror Vlora nis vuajtjet e saj të trafikut. Dy nga rrugët që bllokohen pothuajse përditë janë Qendër - Skelë dhe Skelë - Uji i Ftohtë. Si orë të pikut konsiderohen 9-12 gjatë paradites dhe 19-22 gjatë mbrëmjes. Këto dy akse bllokohen në mënyrë të tillë që jo rrallë mund të rrish mbi një orë e gjysmë për të lëvizur nga një vend në tjetrin apo për të shkuar në plazh.


Pushuesit e shumtë vendas apo nga Kosova e Maqedonia, si dhe emigrantët janë vetëm një nga faktorët që ndikojnë në rritjen e fluksit. Burime nga Bashkia e Vlorës shprehen se për lehtësimin e trafikut është ideuar një projekt për unazën e madhe të qytetit e cila në fakt i takon Qarkut për shkak se kalon jashtë zonave ku ka ndikim vetë bashkia.


Ndërkohë që kjo e fundit ka në përgjegjësi rehabilitimin e rrugës së unazës brenda qytetit e cila është funksionale por ka nevojë për përmirësim, pasi zbatimi i projektit të ujësjellësit nga njëra anë ka krijuar vështirësi, por edhe vetë ky aks ka pjesë të prishura e gropëzime.


Digjet shtëpia, trafiku pengon zjarrfikësen


Një zjarr i rënë në fshatin Dukat-Fushë ka shkrumbuar një shtëpi të vjetër njëkatëshe. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak për zjarrin ka qenë rrjeti elektrik i amortizuar. Tensioni i lartë i ardhur në shtëpi ka shkaktuar zjarr që nuk është mundur të fiket.


Kjo gjë ka bërë që e gjithë shtëpia e vjetër të përfshihet nga flakët duke u djegur plotësisht. Sipas burimeve, njoftimi është bërë me vonesë, por ndërkohë edhe zjarrfikësit janë vonuar për shkak të trafikut të rënduar që krijohet në orët e mbrëmjes në zonën e Ujit të Ftohtë.


Si rrjedhojë, ende pa mbërritur zjarrfikësja, e gjithë shtëpia është shkrumbuar, pa shpëtuar asgjë nga ato që kishte brenda. Po dje rreth orës 16:00, një kamion është përplasur me një autoveturë, fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Shkak për aksidentin dyshohet të ketë qenë shpejtësia e mjeteve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›