E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’mund ta dojë Rama Partinë, kur dëmton kështu Shqipërinë

Edvin Rama po sillet sikur e ka privatizuar P.S.-në. Ai krijon aty rregulla që nuk i zbazon vetë. Edhe kërkon kongres për humbjen e zgjedhjeve, edhe vetëshpallet kandidat i parapëlqyer. Socialistët nuk po kuptojnë përse e do ky kaq shumë P.S.-në. Iu shtir asaj si liberal dhe po i del një despot. Që të bëhej dikushi, iu soll si shërbëtor. Ambicia për pushtet absolut ia hoqi shpejt maskën. Mungesa e kontributeve partiake i futi ethet e intrigës së pushtetit. Egoizmi i sëmurë e detyroi të jetonte me frikë. Kjo e fundit e futi në konflikt edhe me veten. Paraja e dyshimtë i kërkonte si mburojë një armatë politike. Dhe socialistët ranë në kurthin e tij. E çoroditur, P.S.-së iu duk çakalli më i butë se ujku. I terrorizuar nga të përkushtuarit, Rama mbolli një terror të padukshëm. Kur nisi nga përjashtimet, iu afrua më tepër “bazës”. Me lotë krokodili mbajti me shpresa mjerimin duke akuzuar tranzicionin. Njëlloj si Enveri që i kënaqte fshatarët duke sajuar grupe sabotatore dhe duke u hedhur të “hanin” kufomat e gjalla të kulakëve. Dhe, pasi i shpallte mjeranët e fshatit zotër të vendit, i lidhte si skllevër pas tokës. A nuk zbatoi ai vijën e masës për të larguar nga vetja përgjegjësínë e mëkateve? Edvini lartësoi imazhin e vet duke ulur atë të partisë. Tërë kohën punoi për vete dhe tërë kohën u shtir se po sakrifikohej për partinë. Meqë s’krijoi asnjë program, shpiku gënjeshtra të bukura. Të dalë nga terrori komunist, socialistët i besuan politikës së re të këtij liberali. Duke mos patur integritet moral, i lindi nevoja të poshtëronte kë kish nën vete. Arbitraritetin e filloi me gjoja nevojën për disiplinë. Si një Ali Babá, i suksesshëm në vjedhje votash, fitoi emër si fitimtar i çdo procesi zgjedhor. Duke e lavdëruar, padshur njerëzit i bënë “gropën”. Rama u lidh me adhuruesit naivë dhe shpërfilli personalitetet e partisë. Duke u mbajtur si liberal, vonoi zbulimin e synimeve të tij të mbrapshta. Ky “proletar” llafazan, e zhveshi P.S.-së edhe nga ca gjeste politikash sociale. E akuzuar si krijuese e sistemit të korrupsionit, ia vërtetoi gjithë dyshimet e paprovuara nga gjykatat e kapura. Me nostalgjinë për diktaturën, ia theksoi shpirtin enverist. Solidaritetin e stisur tradicional ia ktheu në egoizëm të shfrenuar. Nga frika e rrëmbimit të pushtetit, i pa si armiq gjithë ata që kishin kontribute. Diktati i tij buzagaz krijoi mbyturazi në partí një atmosferë frike instinktive. Të gjithë socialistët çuditeshin përse i druheshin kështu një njeriu që i trajtonte si mik. Dhe dyshonin se mos e kishin fajin vetë.(!) Egoizmi i tij për pushtet absolut, përbuzja e tij e fshehtë ndaj kujtdo që manifestonte vlera, mbolli veç dyshimit, idolatrinë e heshtur ndaj tij. Rama po i bën P.S.-së ato që, ndoshta, nuk do të ngutej t’ia bënte as “qoftëlargu”. Ramës nuk i ruhej njerí, ndërsa E. Hoxhën e njihnin si satrap edhe gurët e Shqipërisë. Të dy e tallën popullin duke derdhur për të lotë krokodili. Të dy i nxorrën gështenjat nga zjarri me duart e shqiptarëve. Të dy e katandisën vendin në qesharak me megalomaninë e tyre të frikshme. Enveri e izoloi, duke e shpallur “fener ndriçues” në botë. Edvini po ia ul imazhin në emër gjoja të ruajtjes së vlerave të saj demokratike. Rama po e zvogëlon emrin e mirë të Shqipërisë me autoritarizmin e tij arrogant, me harbutërinë e vet cinike, me përbuzjen ndaj kujtdo, që adhuron haptas përparimet e Shqipërísë. Jo më kot i ka humbur P.S.-ja dy palë zgjedhje. Dhe as që ka për të fituar ndonjëherë, nëse mban sërish në krye edvin Ramën. Në vend që t’ia zbuste të kaluarën kriminale, Rama u thuri lavde vlerave të prodhuara në diktaturë. Televizionet e tij nuk kanë lënë rast pa treguar se ç’vlera të papërsëritshme prodhoi komunizmi. Ndërkohë, theksimi i kronikave të zeza, nxisin nostalgjinë për epokën, kur njeriu, “i pafrikësuar”, druhej nga hija e vet. Kthimi i korrupsionit në sistem, vlerësimi i tij si forcë lëvizëse, janë vetëm disa nga lavdërimet për kohën e hadutërisë së një shteti, që e bëri vdekjen më të ëmbël se jeta. Ndërsa Enveri e izoloi Shqipërinë për t’i kultivuar  “lumturinë” e sakrificës dhe entusizmin e vrapit drejt hiçit, Rama po krijon imazhin e një vendi, që, gjoja, nuk jeton pa zgjedhur në krye maskarenj, që dinë ta marrin nëpër këmbë. Asnjë mik i huaj nuk e beson që një drejtues partie të mos jetë mirënjohës ndaj atyre, që ia duan Shqipërisë sinqerisht të mirën. Ata s’kanë si ta besojnë që po ky delenxhi të zgjidhet rishtas prej shqiptarëve kryetar partie! Jo! Sjellja e Ramës ndaj monitoruesve të mëdhenj ndërkombëtarë nuk mund të çmohet  veçse si një fyerje e qëllimshme jo vetëm e Ramës. Në mos qëntë e bërë me qëllim, Rama lypset kuruar si i papërgjegjshëm. Arroganca e tij e turpshme i ka zbehur edhe virtytet, për të cilat ne jemi çmuar në shekuj. Ku i flaku Rama mikpritjen dhe mirënjohjen shqiptare, të kënduara në vargje të pavdekshme nga poetët e mëdhenj ? Pasi e bëri P.S.-në të mos njohë veten, e do taní si avokate të aferave të tij korruptive. Dhe, pasi i mbolli asaj vesin e shpifjes, të konfliktit, të urrejtjes dhe të vjedhjes elektorale, tenton t’ia largojë taní dhe ndihmën morale të “eksportuesve” të mëdhenj të lirisë e të demokracisë së vërtetë. Ky është një lloj i ri bunkerizimi i vendit. Një shndërrim i Shqipërisë në një çiflik të pashpallur të këtij misionari hipokrit. Këto janë politikat e reja që po realizon ky sharlatan, duke shfrytëzuar vlerat e të majtëve të ndershëm. Dhe, ndërsa socialistët e devotshëm presin me ankth se ku do t’i dalë tymi kësaj pune, Rama, i qetë, sajon puçistë e “grupe armiqësore”, me qëllim që të krijojë mjegull për të mos iu dalluar maskarallëqet e përgatitjeve të Kongresit për rizgjedhjen e tij. Megjithatë e keqja, që e mban brenda vetes tharmin e vetëshkatërrimit, do t’u ndriçojë shpejt mendjet gjithë socialistëve të ndershëm për të parë rrugën, që u duhet të ndjekin që të shpëtojnë veten dhe vendin nga kjo “kuçedër”, që po u gatit një fund të turpshëm e fatal edhe të ardhmes së fëmijëve të tyre të pafajshëm !

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›