E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos i lutni më!

A e mbani mend që, menjëherë pas luftës, shtete perëndimore dhe personalitete më të rëndësishme të politikës së tyre, i patën drejtuar shqiptarëve dy lutje: Mos u ktheni në shtëpitë tuaja pa u kryer kontrolli kundër minimit që ka kryer armata serbe! Mos u hakmerrni ndaj serbëve për çka ata bënë ndaj jush? Lutja e parë, u mor parasysh disi nga që, gati një milion të të spastruarve, nuk u pritej sa të mbërrinin një orë e më shpejt, pranë të afërmve të vrarë dhe shtëpive të djeguara. Ndërsa, lutja e dytë, që, më qartë nga të gjithë dhe me ndjesi njerëzore prekëse e pati shqiptuar Presidenti Bill Klinton, gjatë fjalimit të tij në Ferizaj, u përmbush në mënyrën më shëmbullore nga shqiptarët. Mjaft parashikues si më zi, duke u nisur nga barbarizmi i skajshëm serb, janë befasuar dhe u duket një mrekulli se si shqiptarët, që sëbrendshmi i gërryente kanceri shpagues, kurrë nuk kryen hakmarrje. Midis vetëpërmbajtjes së tyre të pabesueshme dhe lutjes së sinqertë të miqëve perëndimorë, e dyta besohet të ketë qenë vendimtare kah paqja e dhimbshme, por e domosdoshme. Ndërsa, ndodhi kjo që në ato kohë ishte e vështirë për t’u besuar, ditë pas dite problemi shtegtoi në anën tjetër, te serbët dhe Serbia: Beogradi do të heshtëte në shenjë pendese apo do të kërkonte faljen qetësuese? Asnjëra nuk ndodhi, as heshtje penduese nuk pati, as falje nuk u belbëzoi goja! Serbia sillet armiqësore, bëhet provokuese, zhurmon politikisht dhe ka mbetur inatçore mesjetare, a thua se, ato që ata iu bënë shqiptarëve, janë shqiptarët t’ua kenë kryer serbëve! Nëpër këtë fushë të politikës së tyre absurde, janë shqiptarët që hodhën hap të papërfytyrueshëm, dhe jo një, por kanë plot dhjetë vjet që nuk reshtin:
U lutën serbëve të shpërngulur që të kthehen në Kosovë dhe të vijojnë bashkëjetesën. Ata nuk kthehen, aspak pse në Kosovë janë të pasigurtë, por nga që, në atdheun e vet - Serbi ndjehen më mirë, kanë mundësi jetese më të begatë, ose një pjesë vuajnë frikën e përzjerjes në krimet e përbindshme gjatë luftës.
U luten serbëve të përfshihen në administratën e Kosovës. Ata nuk dëgjojnë nga ky vesh, sepse vetshërbehen e shpërblehen për të mbajtur ndezur brenda Kosovës politikën e Beogradit, që “Kosova është pjesë integrale e Serbisë”.
U luten serbëve të ndjehen qytetarë të shtetit të Kosovës. Ata nuk e pranojnë pavarësinë. Shteti që njohin është Serbia. Ata vijojnë të jetojnë në Kosovë, në po ato vende dhe si më parë, si shtetas serbë në krahinën serbe të Kosovës.
U luten serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje, të përgjithshme e vendore. Që prej dhjetë vjetësh, ata nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në zgjedhjet e Kosovës, ndërsa nuk kanë munguar kurrë të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, të zhvilluara përdhunshëm në territorin e një shteti tjetër, madje duke votuar në shumicë për krahun radikal serb, në klimën e formulës së keqe ndërkombëtare, “ as i lejojmë as i ndalojmë”.
U luten serbëve që të pranojë fqinjësinë mes dy popujve dhe dy vendeve. Beogradi ka përsëritur prerë që, Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe, e vetmja gjë që mund të bëhet është, të hapen bisedime të reja, me të cilat të përcaktohet statusi i shqiptarëve në shtetin unik të Serbisë.
U luten serbëve të njohin pavarësinë e Kosovës, sepse ky është një realitet i pakthyeshëm dhe se Serbia duhet të pajtohet me të. Por, ndaj çdo hapi që bën vendi drejt BE-se apo çdo lehtësi të BE-së ndaj Serbisë, Beogradi është i vëmendshëm të përsërisë qartësisht se, “kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës”.
Ndokush, këto shqiptime politike të shqiptarëve, nuk i cilëson lutje, por mund t’u vërë emrin “thirrje”, “kërkesa” apo “deklarata”. Le të quhen edhe ashtu, por ato janë thënë aq shpesh, me aq mirësi e fqinjësi, bindje të thellë dhe, thuajse, përunjësisht sa, është droja që, pala serbe i ka marrë për dobësi të shqiptarëve dhe gjetje ngushtë të politikës së Prishtinës, për njohje të tjera. E fundit që atyre mund t’u thuhet, është: Çfarë u kemi drejtuar, mbetet në fuqi! Veproni kur të doni! Ndër shqiptarë nuk ka kurrfarë shenje dobësie dhe, ca më pak ndjesi nënshtrimi. Shqiptarët janë të lirë, kanë shtetin e tyre dhe mbeten realistë: Serbia është vend fqinj. Edhe serbët janë të lirë, e kanë shtetin e tyre, por nuk janë realistë: Kosova duhet të mbetet koloni e tyre!
Për Beogradin e qeverisur nga properëndimorët e sotëm, të cilët sillen ndaj Kosovës si ai që është në varr dhe si ata që gjenden Hagë, lutja e shqiptarëve nuk është as ndjenjë, as vlerë, as politikë. Kur stërpakica serbe vepron dhunshëm ndaj shtetit të Kosovës dhe ligjeve të saj me zgjedhje të veta, problemi nuk është te shumica, por te Serbia, e cila duhet ndaluar të përzjehet në qeverisjen e shtetit fqinj përmes organizimit të zgjedhjeve atje sa herë ia do qejfi, dhe keqpërdorjes së pakicës serbe, të cilës i duhet bërë e qartë se është pakicë, duhet të dijë ku e ka vendin në shtetin e Kosovës e, nëse s’don ta dijë, i duhet treguar me ligje.
Mos i lutni më!
Edhe kjo është politikë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›