E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ndalen në Kosovë kërkesat për t’u distancuar nga bashkëpunëtorët shqiptarë të titizmit

Deputeti Nait Hasani ka akuzuar shtatë ish-udhëheqës kosovarë të kohës së Jugosllavisë. Ata i ka paditur për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Padinë e re me emra dhe fakte të zgjeruara, e ka dorëzuar edhe në EULEX. Ai i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës, Gjykatës dhe EULEX-it, që këta ish-funksionarë të lartë të dënohen për veprat që kanë bërë

Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, padinë që e ka bërë kundër udhëheqësve të Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë dhe pjesëtarë të aparatit shtetëror të asaj kohe, tashmë e ka dorëzuar edhe në EULEX. Përveç EULEX-it, kjo padi tashmë është deponuar dhe në Prokurorinë Publike të Qarkut në Prishtinë dhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Padisë i janë shtuar edhe emrat e shtatë personave që kanë qenë në funksione të ndryshme në kohën e ish-Jugosllavisë. Hivzi Sylejmani, Bajram Tmava, Bajram Maraj, Mehmet Hoxha, Kolë Shiroka, Syrja Popovci, Kurtesh Salihu, Riza Sapunxhiu janë emrat e rinj që janë futur në kallëzimin penal që është dorëzuar në Prokurorinë e EULEX-it. Në padi thuhet se në bazë të nenit 198 paragrafi 1 të KPPK-së thuhet se plotësohet, precizohet, zgjerohet dhe përmirësohet kjo padi ndaj 39 udhëheqësve në kohën e ish-Jugosllavisë. Të paditurit e mëhershëm nga deputeti Nait Hasani janë Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Rexhai Surroi, Ymer Pula, Veli Deva, Xhevdet Hamza, Xhavit Nimani, Sahit Zatriqi, Mehmet Maliqi, Mehmet Shoshi, Jusuf Karakushi, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Remzi Kolgeci, Rrahman Morina, Jusuf Zejnullahu, Hashim Rexhepi, Metë Kuçi, Mehmet Lumi, Hasan Mehmeti, Ibush Kllokoqi, Nazmi Mustafa, Xhemshit Duriqi, Hazër Susuri, Nikë Lumezi, Miftar Jasiqi, Hilmi Zhitia, Rexhep Haxhimusa dhe Vesel Latifi. Sipas kësaj padie, e cila është dorëzuar nga avokati Bajram Krasniqi, i autorizuar nga deputeti Nait Hasani, thuhet se këta persona akuzohen për vepra penale krime kundër njerëzimit, gjenocid e vepra të tjera të rënda penale. Deputeti i PDK-së ka thënë se këta persona janë pjesëmarrës të Masakrës së Tivarit, të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të Byrosë Informative të njohur si Gol Otok, të shpërnguljes masive, ose aksionit të armëve në kohën e Rankoviqit dhe mbështetës të politikës së Rankoviqit për shpërnguljen e 250 mijë shqiptarëve për në Turqi, po ashtu janë pjesëmarrës të ngjarjeve të viteve 1968, 1981, 1990 e tutje. “Unë i kam mbledhur personat në fjalë, të cilët prej vitit 1945, kur është mbajtur më 10 qershor 1945 në Prizren, Lidhja e Dytë e Prizrenit, që është vendosur që Kosova të bashkohet me Serbinë dhe prej aty kanë filluar masakrat kundër popullit shqiptar në Kosovë. Nga këta njerëz, të cilët të inspiruar nga lufta e tyre, atëherë “liridashëse”, dhe këta kanë bërë krime kundër njerëzimit ndaj popullit të vet”, pati thënë Nait Hasani kohë më parë. Ai ka thënë se pret nga EULEX-i që të ndërmarrë hapa konkretë duke thënë se personat e përfshirë në këtë akuzë duhet të dënohen për veprat që i kanë bërë. “I bëj thirrje Prokurorisë së Kosovës, EULEX-it, që personat që kanë bërë krime, e që janë përfshirë në padi, të dënohen”, thotë Nait Hasani. Në listën e të paditurve të deputetit Hasani ka edhe persona që tashmë nuk janë gjallë. Për këta persona, Nait Hasani ka thënë se duhet të ketë një dënim moral, ndërkaq ata që janë sot në pozita nëpër pushtet, duhet të deklarohen për krimet e bëra dhe të japin dorëheqje morale. Të gjithë këta persona të përmendur në padi akuzohen për krim kundër njerëzimit dhe gjenocid. Në padi për secilin është dhënë edhe arsyetimi për këta persona se duhet të dënohen për veprat e kryera në kohën e ish-Jugosllavisë. Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Mehmet Hoxha, Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Hivzi Sylejmani, Kolë Shiroka, Ymer Pula, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Mehmet Maliqi-Cikulli, Veli Deva dhe Sahit Zatriqi, sipas padisë, bazuar në Kodin Penal të Kosovës, neni 117, akuzohen për vrasje, shfarosje, skllavërim, depërtim ose përzënie me dhunë e popullsisë, burgosje ose privime të tjera të rënda të lirisë fizike në kundërshtim me rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare, persekutim të një grupi ose kolektivi të identifikuar për arsye politike, kombëtare etnie etj, zhdukje e detyruar e personave, krim i aparteidit etj. Hasani e ka bërë këtë kallëzim penal në mënyrë individuale, mirëpo nuk e përjashton mundësinë që të ketë padi të tjera nga Shoqata e të burgosurve politikë dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›