S’ndalen reshjet e dëborës, Qeveria shpall “gjendjen e emergjencës për verilindjen” – shpëtimi i jetëve njerëzore, detyra madhore e Shtabit të Emergjencës

Berisha: Gjithçka për të ndihmuar banorët në zonat e bllokuara
Kryeministri mbledh shtabin e Emergjencës në qytetin e Kukësit, ndan detyrat për përkujdesje dhe përgjegjësi maksimale ndaj familjeve të rrezikuara nga izolimi i reshjeve të dëborës që vazhdojnë të bien me intensitet të lartë në gjysmën e territorit të vendit
Kryeministri Sali Berisha mblodhi sot në qytetin e Kukësit, Shtabin e Emergjencës, të ngritur për situatën e krijuar nga moti i keq në zonat verilindore dhe juglindore të vendit. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Fatmir Mediu, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, deputetë të zonës, Prefekti i Kukësit, kryetarë të komunave të këtij qarku dhe përfaqësues të tjerë vendorë. Kryeministri diskutoi me anëtarët e Shtabit mbi situatën konkrete dhe problematikat kryesore të krijuara nga sasia e madhe e dëborës në këto zona, si dhe gjetjen e zgjidhjeve dhe ndihmën më efikase që mund të bëhet për banorët e këtyre zonave. Kryeministri siguroi mbështetjen maksimale dhe vëmendjen më të veçantë të qeverisë, si me fonde ashtu edhe me mjete të tjera të nevojshme për përballimin e situatës dhe kërkoi një mobilizim total dhe bashkëpunim të të gjitha strukturave përkatëse, me prioritet parësor jetët e njerëzve, por edhe ndihmën për ushqime, asistencë mjekësore e nevoja të tjera, si dhe për shpëtimin e gjësë së gjallë të tyre. “Dua t’i garantoj qytetarët se qeveria do të bëjë gjithçka për t’u ndodhur sa më pranë tyre. Është e domosdoshme që kryepleqtë, kryetarët e komunave, të përcaktojnë me përgjegjësi të madhe familjet më në rrezik dhe të hartojnë planin e ndihmës së tyre. Është e domosdoshme që, në këtë periudhë, të përqendrohemi para së gjithash dhe mbi të gjitha tek njerëzit dhe tek shpëtimi i jetës së tyre”, u shpreh Kryeministri.
Berisha shfrytëzoi këtë rast për të shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta familjes Qarri për humbjen e pa kompesueshme të familjarit të tyre, që shënon edhe humbjen e parë të jetës nga i ftohti, në vend. Gjithashtu, ai i uroi shërim të shpejtë qytetarit tjetër që ndodhet në kushte spitalore dhe po del nga hipotermia që ka përjetuar dy net më parë.
Kryeministri theksoi se do t’i propozojë qeverisë shpalljen e “gjendjes së emergjencës” për zonën verilindore dhe zonën juglindore të vendit, sepse duhen mobilizime më të mëdha mjetesh dhe fondesh dhe ato mund të bëhen në kuadër të kësaj gjendjeje. Në këtë kuadër, Kryeministri kërkoi që ekipe të helikopterëve të jenë në gatishmëri të plotë dhe reparte të caktuara apo njësi të tjera të zhvendosen në këto zona, në ndihmë të banorëve, nëse do të jetë e nevojshme në vijim.
Kryeministri kërkoi një funksionim edhe më efikas të qendrave shëndetësore në çdo zonë, ku sipas tij, krahas mjekut dhe infermieres, çdo qendër duhet të ketë edhe një mami. Këto qendra shëndetësore duhet të jenë të parat, me çdo kusht, që duhet të furnizohen me ilaçe e me të gjitha mjetet e domosdoshme. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi si shumë të rëndësishëm solidaritetin mes vet banorëve dhe komuniteteve në këto zona në lehtësimin e pasojave të kësaj situate.
Qeveria mbledhje ne oren 20:00 për “gjendjen e emergjencës”
Kreu i qeverise ka parashikuar në orën 20:00 mbledhje qeverie ku do të diskutojë rreth problematikës në vend krijuar nga situata me dimrin e ashpër. Pritet që gjatë kësaj mbledhje, kryeministri të shpallë gjendjen e emergjencës në zonat verilindore dhe juglindore të vendit.
Situata sot Kukës
Në Kukës vijojnë ende reshje bore, por me intensitet më të ulët. Mediat lokale raportojnë për rënie orteqesh në disa zona të Kukësit, ndërsa iu rekomandohet qytetarëve të shmangin lëvizjet në to. Për shkak të bllokimit total të rrugëve, banorët e kanë patur të vështirë të lidhen më qytetin për furnizim me ushqime dhe ilace. Shtabi i Emergjencës ndodhet aktivisht pranë zonave të bllokuara, por në mjaft raste është i vështirë realizimi i operacionit të shpërndarjes së ndihmave.
Pukë
Dimri i ashpër që ka mbërthyer prej ditësh veriun e vendit duke shkaktuar probleme të ëmdha tek banorët e këtyre zonave. Puka e izoluar nga bora po vuan mungesën e ujit të pijshëm pasi temperaturat e ulëta kanë shkaktuar ngrica në tubacione. Zona të tëra në Pukë rezultojnë të bllokuara pasi rrugët hyrëse dhe dalëse nacionale janë tërësisht të bllokuara nga bora. Në qytet trashësia e borës ka arritur 1m e gjysëm kurse në fshatra rreth 3 metër. E vështirë po bëhet situata dhe në furnizimin me ushqime. Furrat e bukës në Pukë po ndiejnë mungesën e furnizimit me miell
Dibër
Komuna të tëra në qarkun e Dibrës rezultojnë të bllokuara. Sot paradite në qarkune Dibrës ka nisur borë e shoqëruara me stuhi duke parashikuar një ditë tjetër të vështirë. Banoret kane patur emergjenca te ndryshme, por e pamundur nderhyrja e mjekeve ne zonat e thella malore. Fshatra te tera qe deri dje kishin nderprere komunikimin me qytetin, sot nuk arrijne te lidhes as me tyre.
Rreth mesditës u hap rruga Peshkopi-Tiranë që ishte bllokuar prej orëve të para të mëngjesit për shkak të borës së rënë. Rruga ishte bllokuar në 3 pika, kurse tani njoftohet se kalimi i automjeteve kryhet me vështirësi, por me zinxhirë.
Juglindje
Vështirësi raportohen dhe nga zona e juglindjes së vendit në Korcë e Pogradec ku bora po bie edhe sot me intensitet të madh. Në qarkun e Korçës që prej disa ditësh vijojnë të mbeten të bllokura disa prej komunave, ndërsa dita e shtunë ka zgjeruar edhe më tej izolimin e tyre. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Korçës, komuna e Çlirimit në rrethin e Kolonjës dhe komuna e Lekasit në rrethin e Korçës, të cilat u izoluan disa ditë më parë, vijojnë të mbeten të bllokuara pa asnjë mundësi qarkullimi për automjetet dhe njerëzit. Natën e së shtunës u bllokua edhe komuna e Trebinjës në rrethin e Pogradecit dhe Komuna e Liqenasit në rrethin e Korçës. Vështirësi të shumta paraqet Qafa e Thanës, veçanërisht për mjetet e rënda, ndërsa është bërë e pakalueshme rruga nga Kapshtica në drejtim të Kozanit në Greqi.
Të bllokuara pikat turistike
Ndërkohë mbetet e bllokuar rruga, që lidh Boboshticën me pikën turistike të Dardhës dhe rruga që lidh Korçën me pikën turistike të Moravës. Probleme paraqesin edhe segmentet rrugore Sovjan- Petrushë, Korçë-Ersekë dhe Korçë- Lozhan, ku edhe pse në këto akse, qarkullimi mund të kryhet me zinxhirë, segmente të caktuara të tyre paraqesin vështirësi serioze, pasi rruga mbulohet vazhdimisht nga dëbora, që sjellin erërat e vrullshme. Në disa zona si në fshatrat e komunës Dardhas, në fshatrat e rrethit Kolonjë, në fshatrat e komunës Progër dhe në komunën e Mirasit në rrethin e Devollit ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. Gjatë natës të së shtunës ndërprerje të energjisë elektrike pati edhe në qytetin e Korçës dhe në atë të Pogradecit. Por sipas parashikimit të motit kjo gjendje do të zgjasë. Pritet që edhe në ditët në vijim qarkullimi i automjeteve të mbetet problematik. Situata që po vijon prej ditësh ka shkaktuar emergjenca në shëndet dhe ushqime. Qeveria aktualisht ka ngritur shtab emergjence dhe po operon me ndihma ushqimore nga toka dhe ajri.
GJENDJA E RRUGËVE NACIONALE NË TË GJITHË VENDIN
1. D.R.Rr. Berat: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve.
2. D.R.Rr. Dibër: Ka rreshje të shumta bore, por era ka pushuar. Situata pothuajse nuk ka ndryshuar . Aksi kryesor Ura e Skurajt-Q.Bualli qarkullohet pa zinxhirë.
Q. Bulli-Peshkopi, Qafë Bualli-Krastë qarkullohet me zinxhirë. Peshkopi-Muhur –Arras qarkullohet me shume veshtiresi me zinxhirë. Nga Komuna Arras – Qafë Draj rruga është e bllokuar,po punohet për hapjen e saj. Aksi rrugor Ura e Cerenecit-Stëblevë në seg. Ura e Cerenecit- Ostren i Vogël është i kalueshëm me zinxhirë me shumë vështirësi, seg. Ostren i Vogël-Stëblevë është i bllokuar pasi trashesia e borës ka kaluar 2m. Po punohet për mbajtjen e situatës nën kontroll.
3. D.R.Rr. Durrës: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve.
4. D.R.Rr. Elbasan: Ka intensitet te rreshjeve te bores ne pothuajse te gjithe kete qark. Aksi kryesor Q.Krrabë (Km 29)-Elbasan-Librazhd-Prrenjas-Q.Thanë është i kalueshëm pa probleme. Aksi K/Labinot Fushë-Monument Bizë është hapur deri në Kollogjesh seg. në vazhdim është i bllokuar. Po punohet për t’a rihapur, pasi gjatë natës ka patur stuhi bore. Aksi Librazhd-Stëblevë është i kalueshëm me zinxhirë deri në Lunik, seg. Lunik deri në Stëblevë është hapur disa herë por bllokohet për shkak të borës tek pjesa e sapohapur. Po punohet intensivisht, por me veshteresi.
5. D.R.Rr. Fier: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve
6. D.R.Rr. Gjirokastër: Vazhdojne rreshje te dendura shiu, por akset Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, Përmet-Çarshovë, Jorgucat-Q.Muzinë qarkullohen pa probleme.
7. D.R.Rr. Korçë: Vazhdojnë rreshje të shumta bore, por puna për përmirësimin e situatës nuk është ndërprerë në asnjë çast. Në aksin kryesor Q.Thanë-Q.Plloçë-Korçë-Kapshticë situata është normalizuar, qarkullimi i mjeteve kryhet pa zinxhirë. Aksi Korçë-Liqenas është hapur, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Korçë-Q.Qarri-Ersekë-Leskovik, Korçë-Voskopojë qarkullohen me zinxhirë. Rruga e Dardhës vazhdon të jetë e bllokuar si pasojë e stuhisë së erës.
8. D.R.Rr. Kukës: Në të gjithë qarkun vazhdojnë rreshjet e borës me intensitet te larte. Në të gjithë akset qarkullohet vetëm me zinxhirë. Në autostradën dalje Tuneli-F.Dukagjin-Morinë qarkullohet me zinxhirë.(trash.borës deri 2.0m). Në aksin Kukës – Draj Reç deri në Kolosjan qarkullohet me zinxhirë, seg. në vazhdim është i bllokuar. Në akset Kukës – Krumë, Plepa – Skatinë qarkullohet me vështirësi me zinxhirë. Në aksin B.Curri- Ura Fierzë gjithashtu me vëshirësi me zinxhirë( duhet shumë kujdes pasi herë pas here ka rënie ortekësh).
Në akset e mëposhtëm qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë: Krumë-Plepa, Plepa-Qafë Prush – Doganë, Qafë Mejdan – Tropojë e vjetër, Sopot – Qafë Morinë dhe Sopot – Ura e Bujanit. K/Domaj-Bushtricë është e bllokuar( nuk është në inventarin e D.P.Rr. por të Qarkut. Vazhdon puna pa ndërprerje për përmirësimin e situatës.
Akse të bllokuar: Kukës- Qafë Shllak, B.Curri – Sopot, B.Curi – Valbonë, Kryqëzim Domaj – Bushtricë, Kukës – Shishtavec ( prezencë ortekësh) Sopot – Skatinë.
9. D.R.Rr. Lezhë: Në autostradën Milot-Rrëshen-Hyrje e Tunelit, nga Rrësheni - Hyrje Tunelit qarkullimi kryhet me zinxhirë. Aksi Rrëshen - Q.Benë qarkullohet me zinxhirë.
10. D.R.Rr. Shkodër: Për momentin Shkodër dhe Malësinë e madhe rreshjet kanë pushuar. Aksi Ura e Kirit-Qafë Laç-Q.Qelë qarkullohet me zinxhirë. Qafa Laç - Koman me zinxhirë.
Malësi e Madhe: Aksi Dedaj-Razëm dhe Koplik-Bogë qarkullohen me zinxhirë.
Në rrethin e Pukës: Është ulur intensiteti i rreshjeve të borës. Aksi Q.Qelë-Pukë qarkullohet me zinxhirë deri tek Luf(ne kete zone eshte e bllokuar), .Aksi Pukë – F.Arrëz i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë.( trash. e borës së re deri 70cm.) Fushë Arrëz-Q.Mali deri tek Gropat e bitumit, qarkullohet me zinxhirë me tej i bllokuar. Q.Mali-Q.Shllak është i bllokuar. Po punohet ne segmenti Lajthizë-Q.Shllak që të bashkohet me Kukësin. Aksi Q.Mali-Fierzë, është i bllokuar. Punohet intensivisht për përmirësimin e situatës. Kryqëzim Hadroj-Q.Benë qarkullohet me zinxhirë.(trash.e borës së re 60cm)
11. D.R.Rr. Tiranë: Në aksin Tiranë-Q.Krrabë (Km. 29) qarkullohet pa probleme. Në seg. Trau Dajt-Vilat Qeveritare-Q.Mollë - Shën Mëri rekomandohen zinxhirët.
12. D.R.Rr. Vlorë: Vazhdojnë reshje bore, por puna për mbajtjen e situatës nën kontroll nuk është ndërprerë për asnjë moment. Qarkullimi i mjeteve bëhet pa zinxhirë. Edhe në Qafë Muzinë dhe Qafë Llogara nuk ka probleme për qarkullimin.
Rruga Milot – Kalimash: Vazhdojnë rreshjet e borës të shoqëruara me erë të fortë. Në aksin Milot -Rrëshen-Hyrje Tuneli - Dalje Tuneli - Fushë Dukagjin, nga Rrësheni deri në Fushë Dukagjin qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi me zinxhirë.