E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët: Do votojmë kundër kandidaturës së Bujar Leskajt

Selia e Partisë Socialiste

denis dedej

Partia Socialiste do të votojë kundër kandidaturës së propozuar prej Presidentit të Republikës si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar socialist, i cili do tu bëhet të ditur ditën e hënë deputetëve të opozitës. Të zgjedhim konsensualisht Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në bazë të propozimit të Presidentit të Republikës dhe ti ofrojmë paraprakisht presidentit një profil të parapëlqyer jo si emër po si staturë publike, duke përjashtuar çdo kandidaturë që vjen nga dy partitë e mëdha apo ka qenë ndonjëherë anëtar i njërës prej tyre,- propozoi Rama në pikën e pestë të paktit Për një Shqipërisë si gjithë Europa.

Ndonëse kryetari i Partisë Socialiste, kishte deklaruar kohë më parë se partia e tij do ti jepte votën çdo kandidature të propozuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, selia rozë ka ndryshuar qëndrim. Madje, kjo e fundit ka shprehur shqetësimin për propozimet e fundit të kreut të lartë të shtetit. Ky qëndrim është mbajtur pas propozimit të Fullanit për një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë. Mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani, është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë. E kështu as Presidenti Topi bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat edhe për shkak të drejtimit e politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë. Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature,- kritikoi zgjedhjen e Topit, kryetari i opozitës. Nëse për kandidaturën e parë për pozicionin e kryetarit të KLSH-së, Sali Shehu, opozita abstenoi, për kandidaturën e dytë do të votohet kundër. Burime të PS-së thanë se kandidatura e Leskajt është cilësuar si e gabuar për faktin se ai njihet si kamikaz i PD-së dhe nuk mund të mbajë postin e njeriut që do të kontrollojë punën e institucioneve shtetërore. Duke sjellë në vëmendje kohën kur Leskaj drejtonte Ministrinë e Kulturës dhe konfliktet që pati me drejtuesit e sportit në vend, deputetët socialistë thanë se kjo situatë mund të përsëritet nëse ai vendoset në krye të KLSH-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›