E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët europianë: Përgjegjësia është te qeveria

Reagojnë pas miratimit të rezolutës eurodeputetët e qendrës së majtë: Duhet zgjidhje afatgjatë

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian është plotësuar dje me deklarime politike prej grupit të socialistëve dhe socialidemokratëve europiane. Në të njëjtën ditë kur në Tiranë ka nisur interpretimi publik i dokumentit të votuar në Strasburg, Libor Roucek, zëvendëspresidenti social-demokrat i Parlamentit Europian dhe raportuesi i ndihmës për përgatitjen e rezolutës mbi procesin e integrimit në BE të Shqipërisë ka bërë të qartë se kriza politike mbetet problem kyç për integrimin e Shqipërisë. “Ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje për krizën politike aktuale, mbi një bazë që do të mund t’i qëndrojë kohës. është përgjegjësia e qeverisë të gjejë pa humbur kohë zgjidhje dhe mënyra për të ecur përpara, çka i nevojiten vendit teksa ecën drejt BE-së”, është shprehur ai i cituar nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste. Roucek ka riprodhuar edhe njëherë rezolutën, e cila në një nga pikat e saj vlerësonte se zhbllokimi i situatës ndodhet në një moment final, çka nënkupton se një zgjatje e saj në termat e tanishëm do të përcaktojë penalizimin e vendit për sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat. Apeli ndaj qeverisë shqiptare zbulohet vetiu si qëllim i kësaj daljeje mediatike të Roucek, për sa kohë që në Tiranë rezoluta refuzohet që të lexohet në tërësinë e vet apo në pikat kritike, por i nënrenditet interesit politik të secilës palë. Rrjedhimisht mesazhi i përfaqësuesit të së majtës europiane ka edhe një rol sqarues për opinionin shqiptar, ndaj të cilit tërhiqet vëmendja për shtimin e presionit për zgjidhjen e krizës dhe jo gjetjen e përgjegjësive që sollën situatën deri në këtë pikë. Për të bërë të kuptueshëm interesin e PE-së për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Roucek ka vlerësuar punën e bërë për liberalizimin e vizave duke përcjellë kështu një mesazh se komuniteti europian i njeh përgjegjësitë e veta ndaj Shqipërisë dhe po i merr ato.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›