Viti akademik 2010, tarifat e shkollimit për çdo degë
Tarifat për të ndjekur studimet e larta për këtë vit të ri akademik do të jenë të njëjtat me ato të një viti më parë. Përveç kuotave të miratuara pak ditë më parë nga qeveria, u bë publike edhe lista e tarifave të studimit për secilin fakultet në veçanti. Për të ndjekur studimet në fakultetet e Universitetit të Tiranës, tarifat do të variojnë në varësi të rëndësisë së degës. Për të qenë student në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, tarifa është 15 mijë lekë të reja në vit. E megjithatë çmimet më të larta, që do të arrijnë deri në 30 mijë lekë të reja, janë parashikuar në Fakultetin e Drejtësisë, Shkencave Sociale dhe në atë të Mjekësisë. E njëjta shifër do të jetë në fuqi edhe për programet e Universitetit Politeknik, ku tarifa më e lartë shkon për studentët e degës së Arkitekturës.
Edhe për vitin e ardhshëm akademik është menduar që për kategori të caktuara studentësh të rimbursohet tarifa e shkollimit.
Sipas vendimit të marrë nga qeveria, parashikohet që të gjithë kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2010-2011, dhe që vijnë nga shtresa sociale në nevojë do përfitojnë rimbursim të tarifës së shkollimit. Kjo do të vlejë vetëm për ata të rinj, prindërit e të cilëve nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar shpenzimet e tyre. Ndërsa për studentët përsëritës do të vlejë një tjetër formulë. Ata do t’i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vijojnë studimet.
Gara e konkurrimit për pranimet në universitet do të nisë pas 20 korrikut, në kohën kur në shkollat e mesme do të shpërndahet Formulari A2. Ndërkohë, brenda këtyre datave pritet të publikohen edhe rezultatet e provimeve me zgjedhje.
Më datë 22 korrik, maturantët do të kenë mundësi të plotësojnë Formularin A2, ku do të rendisin degët e tyre të preferuara në varësi të rëndësisë. Ministria e Arsimit këshillon që këta formularë të mos plotësohen menjëherë. Sipas tyre, plotësimi i tyre do të ishte mirë të plotësohej vetëm pasi maturanti të ketë përllogaritur vetë rezultatin final, që zbulohet nëpërmjet formulës tradicionale të Maturës Shtetërore.
Ekspertët e arsimit pohojnë se maturantët duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e këtyre degëve, pasi sekreti i të qenët fitues qëndron te llogaritja që do t’i bëjë secili pikëve. Këtë vit akademik do të pranohen më shumë se 23 mijë studentë të rinj.
#