E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët katër muaj hetim Topallit

10/03/2011  Nisma parlamentare, deputetët e PS-së kërkojnë hetimin e veprimtarisë së Kuvendit

Sot depozitohet dokumenti. Shpenzimet operative dhe drejtimi i Parlamentit objekti i hetimit

Ligjvënësit socialistë vendosin të hetojnë kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Kështu, përmes një kërkese të firmosur nga deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, subjekti më i madh opozitar do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar mbi veprimtarinë e institucionit të Kuvendit. Nisur nga vetë kushtet që dikton ligji për komisionet hetimore, socialistët kanë vendosur që të lehtësojnë procedurat për ngritjen e këtij komisioni, duke vendosur që të mos e kushtëzojnë këtë kërkesë në mënyrë të drejtpërdrejtë për kryetaren e Parlamentit, Topalli, por për të gjithë institucionin në tërësi. Ndërkohë në mënyrë indirekte i gjithë hetimi do të jetë i lidhur me figurën e drejtueses së Kuvendit.

Vendimi

Partia Socialiste do të dorëzojë sot kërkesën për hetim parlamentar ndaj Kryetares se Kuvendit Jozefina Topalli. Konkretisht socialistët do të kërkojnë që të hetojnë mbi mënyrën e drejtimit të veprimtarisë së këtij institucioni dhe shërbimet e kryera në një periudhë kohore 5-vjeçare. Një dokument i tillë pritet të dorëzohet sot në zyrat e Kryesisë së Kuvendit nga nënkryetari i grupit socialist Erion Braçe, i cili së bashku me deputetin Gazmend Bizhga ishin iniciatorët e një nismë të tillë parlamentare. Në këtë mënyrë, gjatë mbledhje së djeshme që zhvilloi grupi kuvendor socialist, deputetët e PS-së firmosën një nismë të tillë, e cila konsiston në verifikimin e mënyrës se si është zbatuar Rregullorja e Kuvendit gjatë veprimtarisë së punës së tij nën drejtimin e Jozefina Topalli. Ky komision, sipas dokumentit të firmosur nga deputetët socialistë, duhet të përbëhet nga 11 deputetë, nga të cilët 5 anëtarë të tij ti përkasin pakicës dhe 6 prej tyre shumicës parlamentare në Kuvend. Kryetari i komisionit duhet të jetë përfaqësues i Partisë Socialiste, për vetë faktin se është kjo forcë parlamentare ajo që kërkon një hetim të tillë. Në kërkesën që do të depozitohet sot, parashikohet që veprimtaria e këtij komisioni të jetë katërmujore. Nga ana tjetër, në dokument i bëhet thirrje kryeparlamentares Topalli që të krijojë kushtet e veprimtarisë normale të tij.

Hetimi

Në këtë dokument janë theksuar një sërë çështjesh për të cilat socialistët shprehen të bindur se do të hetojnë deri në zbardhjen e plotë të veprimtarisë së këtij institucioni. Ndër të tjera hetimi do të përqendrohet në veprimtarinë e administratës së shërbimeve të Kuvendit si dhe Byronë së tij. Megjithëse në dokument nuk flitet për një hetim të drejtpërdrejtë për kryeparlamentaren, socialistët kanë vendosur të mos lënë mënjanë dhe mënyrën se si është përdorur buxheti i Kuvendit për shpenzimet operative, për të cilin deputetët kanë mjaft pakënaqësi për shkak të penalizimeve në marrëdhëniet financiare tyre nga ana e drejtueses së këtij institucioni. Gjithashtu në kërkesën e tyre ligjvënësit socialistë argumentojnë se për të bazuar një nismë të tillë i janë referuar edhe në opinionin e Komisionit Europian. Një tjetër pikë që kërkohet të jetë objekt i hetimit është sistemi elektronik i votimit të deputeteve, që sipas tyre në disa raste ka shfaqur probleme gjatë votimit. Mënyra e përzgjedhjes së punonjësve të administratës dhe Byrosë si dhe lëvizjet e shumta të personelit janë në qendër të kërkesës së parashtruar nga ligjvënësit socialistë. Po kështu, deputetët e PS-së kërkojnë sqarime për propozimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, të miratuara pak kohë më parë.

Rritja e çmimeve

Beqja: Qeveria “Berisha” po varfëron shqiptarët

Partia Socialiste shprehu dje shqetësimin e saj lidhur me rritjen e çmimeve në treg. Ishte deputeti socialist Ilir Beqja që në emër të partisë që përfaqëson trajtoi një çështje të tillë, ku iu referua të dhënave zyrtare të INSTAT-it, që sipas tij faktojnë dyfishimin e çmimeve. Në vlerësimin e socialistëve, familjet shqiptare janë gjithnjë e më shumë në vështirësi dhe për këtë PS-ja bën përgjegjëse pikërisht qeverisjen aktuale të kryesuar nga kryeministri Sali Berisha. “Që prej fillimit të vitit të gjitha familjet shqiptare po përballen në vështirësi të mëdha në jetesën e përditshme. Nuk ka më dyshim për asnjë familje se shumë ushqime bazë janë shtrenjtuar me dy shifra. Me dy shifra buka, mielli, orizi, sheqeri, vaji, perimet dhe frutat. Edhe INSTAT-i u detyrua të pranojë me gjysmë zëri se jetesa është shtrenjtuar, por përveçse me gjysmë zëri tregoi vetëm gjysmën e rritjes së çmimeve”, - vuri në dukje Beqja gjatë deklaratës së tij për shtyp. Por po në këtë linjë, Beqja i mëshoi me forcë faktit se “për këto rritje çmimesh është e qartë për këdo se fajin e ka Saliu, i cili hesht përballë këtij fenomeni”. Sipas tij, qeveria “Berisha” nuk punon për interesat e popullit, por për interesat e oborrit të tij, prandaj duhet larguar me fuqinë e votës që ka çdo shqiptar. “E vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë ku na ka zhytur Saliu është ta largojmë Saliun me fuqinë e votës. Partia Socialiste është e vetmja rrugë për të dalë nga terri ku keqqeverisja e Saliut e ka shtyrë vendin”, - theksoi Beqja sa i takon kësaj çështje.

Grupi i PS-së u përcoll me debat

Eventet, deputetët socialistë pakënaqësi për shpenzimet

Në mbledhjen e djeshme që zhvilloi grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetët socialistë shfaqën jo pak pakënaqësi lidhur me mënyrën se si po operohet me organizimet e kësaj partie. Konkretisht me mënyrën se si përballohen shpenzimet për organizimin e veprimtarive, qoftë këtu të protestave, takimeve në rrethe, e kështu me radhë. Por spuntoja këtë radhë është marrë pikërisht nga organizimi i protestës që gratë e PS-së zhvilluan Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Pas përfundimit të manifestimit në sheshin përballë godinës së Kryeministrisë, deputetet e PS-së kishin ideuar që grave që kishin thirrur në këtë protestë tu shtronin një drekë. Mbulimi i shpenzimeve të kësaj drekë u bë nga deputetet socialiste, një shumë kjo jo e vogël në buxhetin e gjithësecilit. Burime pranë këtij grupi bënë me dije se kjo ka sjellë dhe pakënaqësi në radhët e disa prej ligjvënësve socialiste. Ka qenë deputetja socialiste Arta Dade që ka shfaqur një shqetësim të tillë. Sipas saj, nisur nga mënyra se si organizohen eventet në PS, të lind ideja se kjo parti drejtohet e menaxhohet nga vetë deputetët socialistë. Ndërkohë që dhe për protestat që ka organizuar PS-ja gjatë gjithë kësaj kohe operohet në të njëjtën mënyrë: të gjithë protestuesit duhet të kenë të garantuar transportin. Ndërsa sa i takon seancës së sotme, socialistët do të vijojnë të ndjekin të njëjtin qëndrim, si në punimet e tjera parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›