E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët, partnerë me “E majta për integrim”

"Lëvizja Institucionale Socialiste" ka vendosur dje që t'i bashkohet koalicionit të ri të së majtës, "E majta për integrim".

Në një takim të zhvilluar dje pasdite, deputetë socialistë, por dhe ish-anëtarë të Asamblesë Kombëtare, kanë diskutuar lidhur me ndryshimet e reja politike të ndodhura pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Petro Koçi, Luan Memushi, Makbule Çeço, Mark Nikolli, Enver Reçi, Zamira Çaka, ishin disa nga pjesëmarrësit e këtij takimi. Ata kanë iniciuar kështu një rinisje të kësaj lëvizje, e cila kishte kohë, për shkak të Kosovës dhe NATO-s, që nuk ishte shumë aktive. Në takim është gjykuar që të punohet për organizimin e një referendumi sa më të gjerë popullor për ndryshimet kushtetuese, pas miratimit të kërkesës që pritet t'i bëjë Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti i Republikës. Gjithashtu është vendosur për një angazhim konkret edhe për protestën e 10 majit të organizuar nga "E majta për integrim". Pjesëmarrësit në këtë takim janë pozicionuar kundër pozicionit që ka marrë lidershipi aktual i PS-së, si për ngjarjen e Gërdecit, ku ka ndihmuar Berishën në ringritjen e tij pas tragjedisë, por dhe për ndryshimet kushtetuese, ku votat e deputetëve socialistë u bashkuan me ato të PD-së. Pritet që brenda javës së parë të majit të ketë një takim të zgjeruar të të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Institucionale Socialiste, në të gjithë vendin, ku do të diskutohet edhe mundësia e krijimit të një force të re politike, kundër dyshes Rama-Berisha. Duke diskutuar rreth ndryshimeve kushtetuese, pjesëmarrësit janë shprehur se qëndrimi i kryetarit socialist ishte parashikuar që kur ai ka shkelur në mënyrë të përsëritur statutin e Partisë Socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›