“Është cinike bllokimi i qarkullimit rrugor për tekat e Edi Ramës”
Reagojnë këshilltarët demokratë të bashkisë së Tiranës
Grupi i këshilltarëve demokratë të bashkisë së Tiranës me anë të një deklarate të posaçme për shtyp, kanë parashtruar shqetësimin e tyre mbi rëndimin e trafikut në kryeqytet, shkaktuar sipas tyre nga greva e urisë së socialistëve. “Shprehim shqetësimin tonë për trafikun e tejrënduar dhe kaotik të shkaktuar nga greva e urisë së deputetëve të Partisë Socialiste dhe Rama. është cinike dhe në shkelje të plotë të ligjit të deklarosh se ‘unë jam kryetar i bashkisë dhe trafikun e bëj si të dua”, u shpreh Taulant Bino, këshilltar demokrat në bashkinë e kryeqytetit.
Ai parashtron më tej pyetjet se “çfarë ofron greva e urisë për qytetarët e Tiranës dhe si u shërben kryetari i bashkisë qytetarëve të vet?”.
Sipas tij, janë të shumta dëmet ndaj qytetarëve që po mbërrijnë pas kësaj si “vonesa në qarkullim me të paktën 45 minuta më shumë, vogëlushë që nuk arrijnë dot në kopshte e shkolla në kohën e duhur, prindër që shkojnë me vonesë në punë, ndotje e ajrit dhe rritje e zhurmave në qendrat e banuara, më shumë karburant e më shumë shpenzime për të qarkulluar etj.
“Duke bllokuar bulevardin kryesor të kryeqytetit, Rama po fut në kolaps trafikun dhe bashke me të, jetën normale të qytetarëve. Kemi të bëjmë me rastin e vetëm kur organizimi i një greve urie nuk kërkon ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi shqetësimin e grevistëve, por shkatërrimin e jetës së qytetarëve”, citohet në këtë deklaratë të këshilltarëve demokratë të bashkisë së Tiranës.
Duke përfunduar se “askush nuk e ndalon Ramën dhe deputetët e Partisë Socialiste të vazhdojnë grevën e tyre në çdo lloj mjedisi tjetër, porse zgjedhja e bulevardit kryesor është bërë me qëllimin e vetëm të paralizimit të jetës”.
Panorama e trafikut te kryeqytetit ende nuk po pëson ndryshime, ku tashmë bllokimi i akseve të reja rrugore sa vjen e shtohet. Janë dashur 4 ditë nga protesta e Partisë Socialiste që në rrugët publike të kryeqytetit, të dëgjohen vetëm buritë e automjeteve dhe irritimi i drejtuesve të tyre. Të detyruar t’i devijojnë lëvizjet e tyre jashtë qendrës dhe bulevardit kryesor, drejtuesit e mjeteve janë përballur me rrugë të bllokuara në çdo cep të Tiranës. Kreu i policisë së kryeqytetit Tonin Vocaj iu drejtua me një tjetër shkresë zyrtare kryebashkiakut Rama dhe deputetit të Partisë Socialiste Besnik Bare, lidhur me shqetësimin dhe përkeqësimin e situatës së trafikut në Tiranë. Por kreu i selisë rozë ende nuk ka kthyer një përgjigje lidhur me bllokimin e rrugëve publike të kryeqytetit. Duket se lëvizja me makinë në Tiranë është kthyer në një makth të përditshëm për qytetarët, të cilët çdo ditë janë të detyruar të devijojnë itinerarin e tyre të punës.
...