E Diel, 1 Nëntor 2026

Përcaktohen kriteret për daljen nga greva e urisë, dëshirat e grevistëve dhe trishtimi i Fidelit dhe i Dashit

Kronika e grevës së urisë, vëzhguar sipas standardeve alla “Big Brother” (4)


- Lista e diabetikëve, e të sëmurëve të stomakut dhe e kategorive të tjera me risk që ishte vendosur të ishin objekt i ambulancave dhe i spitaleve në 3 ditët e para të grevës


- Me vaktet e Edi Ramës tek Restorant “Logoreci”, pronari i të cilit është në grevë urie, protesta politike e ish-bllokmenit mund të zgjasë edhe një vit


- Propozimi surprizë/Të spostohet greva në Durrës, me hapjen e sezonit të ri turistik



Paralajmërimi i Edi Ramës, se janë përgatitur për rotacionin e grevistëve të urisë, filloi të bëhet dje realitet. Pas “nominimeve për kandidim” në tri ditët e para, dje kanë lënë çadrën e grevës së urisë edhe tre militantë. Në këtë mënyrë, është barazuar numri i deputetëve, me numrin e militantëve që kanë braktisur ambientet e grevës së urisë. Sikur, kjo braktisje, të ishte kaq e lehtë, do të ishte pothuajse normale. Por kur mësohen “kriteret”, nuk ka se si të mos habitesh, se grafiku i të sëmurëve grevistë, i parashkruar qysh pa hyrë në çadrën e grevës së urisë, “zbulon” “largpamësinë” e ideatorëve të kësaj mender greve. Lista e diabetikëve, e të sëmurëve me stomakut dhe e kategorive të tjera me risk që ishin vendosur të ishin objekt i ambulancave dhe i spitaleve në tri ditët e para të grevës, ka ngjallur te grevistët e mbetur, deputetë apo militantë, dëshirën e papërmbajtshme, për të braktisur një orë e më parë këtë grevë. Nga ana tjetër, dje, në çadrën grevës së urisë, nuk kanë reshtur edhe debatet, në formën e të folurit me vete, në të cilat, secili prej grevistëve të urisë shante veten, që kur ishte bërë klasifikimi i sëmundjeve nga ata me më shumë risk, në ato me pak risk, që natyrshëm korrespondonte me kohën e daljes nga greva e urisë, ata nuk kishin zgjedhur ndonjë sëmundje me më shumë risk, me qëllimin e vetëm, që t’i mundësonte daljen sa më shpejt nga greva e urisë...


* * *


Pasi edhe muhabetet ju kanë mbaruar, në kushtet kur të flasësh me vete, është më mirë se sa të flasësh me “fqinjin”, pavarësisht edhe inateve, me pamundësinë e rënies në pjesë një sëmundje me risk, kjo jo për faj të tyre, por për faj të shorit të hedhur para hyrjes në grevë, “të mbeturit” e grevës së urisë, deputet e militantë, gjejnë kohën t’i bëjnë edhe qejfin vetes. Në kushte, kur brenda çadrës së grevës së urisë, nuk ju mungon asgjë, veç lirisë për të gjezdisur në një sipërfaqe më të madhe se sa segmenti i shtrirjes në gjatësi të çadrës së grevës së urisë, bujtësit e saj, deputetë e militantë, kanë filluar të shohin ëndrra me sy hapur, për atë se sa mirë do të ishte, sikur “sakrifica” e tyre të zhvendosej në bregdeti e Durrësit, ku të kishin mundësi, të shijonin plazhin në këtë prag ditësh të nxehta. çudia (rast për një studim shkencor) qëndron, se të gjithë “të mbeturit” e grevës së urisë, shohin të njëjtën ëndërr me bregdetin e Durrësit... Dhe ajo që është edhe më e çuditshme, se në këtë ëndërr, ata “debatojnë” me njëri-tjetrin, sigurisht me sy hapur, duke mos e frenuar veten nga ofshamat, “eh sikur këtë grevë urie, ta zhvendosnim në breg të detit në Durrës. E ç’të keqe do të kishte, që në kushtet kur hamë e pimë, të bënim edhe pak plazh. Jemi apo s’jemi në prag të sezonit veror. Pse mos ta çelim ne këtë sezon veror turistik”. Dhe pas shprehjes së dëshirave me zë të lartë, në këtë ëndërr të parë me sy hapur, duket se grevistët e urisë, kthjellohen dhe kuptojnë se nuk duhet “ta bëjnë kaq baltë”, edhe “institucionin” e grevës s urisë, kur pasi po hanë e pinë, të kërkojnë edhe plazh...


* * *


Në këto ditë grevë, të pretenduar si grevë urie, nuk mungon dëshira për ca protagonizëm më shumë. Kësaj “manie”, nuk po mundte t’i shpëtojnë as biznesmenët, që “parte time” bëjnë edhe rolin e deputetëve të PS-së. Në një situatë të keqe, më shumë duket sikur ndodhet Fidel Ylli. Sulmi më i fundit i Erion Braçes në kongresin më të fugnit të PS-së, për deputetët milionerë, me varëse, unaza e byzylykë të shtrenjtë, u lexua prej tij (Fidel Yllit), si një mesazh i Edi Ramës, i amplifikuar nga Erion Braçe. Në këtë situatë, i ndjerë i zhgënjyer, por i pa mundur për të vetëvendosur, ai, së bashku edhe me Dash Pezën, kanë filluar të bëhen pjesë e aleancës “për pak protagonizëm më shumë”. Të ndërgjegjshëm se në këto ditë greve, ata janë “lënë pas dore”, nga Edi Rama, çnuk po bënë për t’i “rënë sado pak në sy atij (Edi Ramës)”. Sigurisht, ata edhe kanë gjetur një mënyrë, që atyre ju duket origjinale, por që në sytë e të tjerëve, nuk duket asgjë më shumë se sa një budallallëk... Shkurt, prej dy ditësh, Fidel Ylli, Dash Peza edhe ndonjë biznesmeno-deputet tjetër kanë filluar të duket, mes turmës së protestuesve pranë çadrës së grevës së urisë, të veshur me bluza të kuqe, sikurse edhe grevistët e urisë. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, mësohet as Fidel Ylli, as Dash Peza, nuk i kishin rënë në sy Edi Ramës. Këmbëngulës, pritet që ata sërish sot, të mos mungojnë mes turmave të cilat “ju bëjnë hije” grevistëve të urisë...


Me vaktet e Edi Ramës tek Restorant “Logoreci”, pronari i të cilit është në grevë urie, protesta politike e ish-bllokmenit mund të zgjasë edhe një vit/Në radhët e grevistëve të urisë që ushqimin bazë të tyre kanë sallamin, që prej dje kishte filluar të qarkullonte “meraku”, se ku i ha vetë Edi Rama, drekat dhe darkat. Duke e konsideruar vendin e grevës së tyre të urisë, si qendrën e botës, ata fillojnë të bëjnë inventarin e lokaleve, që frekuenton Edi Rama. Duke vendosur si kriter, numërimin e lokaleve duke filluar numërimin me lokalet që ndodhen më afër vendit të grevës së urisë, fillimisht “ndalen” te “ëest”-i i Fidelit. Pasi sjellin nëpër mend menynë e Fidelit, keqardhja ndjehet fillimisht në radhët e grevistëve. Kjo keqardhje buron nga fakti, se Fideli, gatuan vetëm qofte dhe se ato i servir te këndi i sajuar mbi ëC-të e lokalit. Gjendja e keqardhje për Edi Ramën është e përkohshme në radhët e grevistëve, sepse duke u larguar nga “qendra e botës”, kujtohen se diku pas Piramidës, Artan Gaçi, deputet grevistë urie, ka një restorant luksoz. Tashmë, shkëlqimi lodron në sytë e grevistëve të urisë, Ata e kanë dëgjuar,s e vetë nuk ju ka rënë rasti ta frekuentojnë, se lokali i Tan Gaçit, ka një meny të pasur, me gatime...


Oh, kjo është pjesa më e vështirë për grevistët e urisë... Sekrecionet dhe jargët, fillojnë të rrëshqasin në cepat e buzëve, për të përfunduar në bluzat e tyre të kuqe. Me largimin nga “qendra e botës”, situata rëndohet..., por sigurisht në radhët e grevistëve. Diku te blloku, banon Koço Kokëdhima, i cili shquhet jo vetëm për një gastronomi të kënaqshme në apartamentin e tij, që për grevistët e urisë, do të thotë shumë... dhe tashmë jo më “merak” për Edi Ramën, por revoltë, sepse kuptojnë padrejtësinë. Kulmi arrin, kur ata me “inventarin” e tyre, arrijnë në Pezë, ku menysë “së varfër” të Edi Ramës, i shtohen pulat e fshatit dhe pilafi që konsumohet prej tij, me “lugët e floririt” të “Babë Myslymit”. Për grevistët, ky moment, është momenti i ndërgjegjësimit të tyre, sepse kuptojnë se janë keqpërdorur, duke u lënë të hanë vetëm sallam, nga ai që ku ha drekën s’ha darkën...


Por, gjithsesi, ata, grevistët e urisë, nuk mund të bëjnë më shumë se sa të kuptojnë keqpërdorimin e tyre...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›