E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transparenca, Meta: Vetëm në përputhje me kushtetutën e vendit dhe parimet e shtetit të së drejtës

“Unë mendoj se zgjidhja është bërë e qartë; duhet respektuar kërkesa dhe parimi i transparencës, natyrisht në përputhje me kushtetutën e vendit dhe parimet e shtetit të së drejtës”


Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaron se Edi Ramës i është ofruar në tryezë zgjidhja e ngërcit politik, por si zakonisht ka rezufuar cdo nismë të mazhorancës për dialog. Gjatë një konference për shtyp, Meta u bëri thirrje drejtuesve të Partisë Socialiste që nuk janë pjesë e grevës së urisë, të reflektojnë dhe të tregojnë më shumë përgjegjësi, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin kur të gjithë kanë zgjedhur alternativën e integrimit evropian. Gjithashtu, z. Meta theksoi se është e nevojshme të hiqen barrikadat artificiale sepse ekzistojnë hapësirat e mjaftueshme për dialog dhe për t’u dhënë një zgjidhje demokratike kërkesave të opozitës, gjithnjë në respektim të kushtetutës së vendit dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Në këtë kontekst, duke theksuar rëndësinë e ushtrimit të përgjegjësisë maksimale, z. Meta bëri thirrje për rivendosjen e dialogut të shpejtë për ta kaluar këtë situatë, e cila nuk është në interesin e askujt. “Do doja të shfrytëzoja këtë mundësi për t`iu drejtuar drejtuesve të Partisë Socialiste, atyre që janë jashtë grevës, që të marrin më shumë përgjegjësi për të tejkaluar këtë situatë, e cila nuk mendoj se i shërben dikujt në këtë vend. Duhen evituar alternativat të cilat janë bërë publike për të zgjedhur midis jetës apo vdekjes, sepse unë besoj se të gjithë në këtë vend kanë zgjedhur alternativën e integrimit evropian, ku besoj se kjo është një zgjedhje edhe e Partisë Socialiste. Besoj se duke qenë një moment i rëndësishëm për vendin, por edhe një moment kur të gjithë duhet të investojnë në mënyrë pozitive unë jam i bindur se ekzistojnë hapësira të mjaftueshme për t’i zgjidhur dhe për t’i trajtuar në mënyrën më demokratike dhe më transparente, por edhe duke respektuar kushtetutën e vendit, kërkesat dhe pretendimet e Partisë Socialiste edhe të opozitës. Ndaj do t`i ftoja edhe një herë të marrin më shumë përgjegjësi, në një moment kur nga ana e mazhorancës dhe Qeverisë është bërë i qartë vullneti për dialog. Natyrisht kjo duhet të ndodhë duke evituar përpjekje që kërkojnë të krijojnë barrikada të panevojshme, ndërkohë që mundësitë e dialogut jo vetëm që nuk kanë shteruar por e theksoj, që ka hapësira të mjaftueshme duke kombinuar transparencën dhe respektin për kushtetutën e vendit”, u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta.


Konferenca e plotë për shtyp e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta:


Në këtë situatë z. Meta kur palët vazhdojnë të jenë të ngurta në qëndrimet e tyre, a mendoni se do të respektohet ligji apo do të ketë një marrëveshje? Cila sipas jush është zgjidhja? Unë mendoj se zgjidhja është bërë e qartë; duhet respektuar kërkesa dhe parimi i transparencës, natyrisht në përputhje me kushtetutën e vendit dhe parimet e shtetit të së drejtës. Unë besoj se në këtë kombinim ekziston një hapësirë e mjaftueshme dhe jam i bindur që greva nuk ndihmon në ecjen përpara, përkundrazi, ajo krijon një barrikadë do të thoja artificiale, e cila natyrisht që nuk është as në interesin e vetë organizatorëve të kësaj greve, as në interesin e atyre që kanë vendosur që sakrifikojnë. Por edhe një herë tjetër, do doja t`i ftoja ata që janë jashtë kësaj greve, të cilët kanë përgjegjësitë më të mëdha edhe për ata që janë në grevë, të punojnë për një zgjidhje demokratike, për një zgjidhje e cila jo vetëm që nuk cënon shëndetin e asnjërit prej grevistëve por që ndihmon investimin në mënyrë pozitive të opozitës dhe të të gjithëve për të ecur përpara në realizimin e kërkesave të tyre, natyrisht edhe në respekt të ligjeve në fuqi dhe të kushtetutës të vendit.


Këtë këshillë ia jepni Partisë Socialiste si numri dy i mazhorancës, i Qeverisë, apo si një ish opozitar që keni vuajtur të njëjtat kushte në grevën e fundit për të njëjtat arsye? Nuk dua të hyj në arsyet dhe as të bëj paralelizma, por e theksoj se të ofrosh alternativa midis jetës dhe vdekjes, qoftë edhe në mënyrë figurative është krejtësisht e papranueshme për të gjithë, sidomos në këtë moment kur të gjithë kemi vetëm një alternativë që na çon përpara, që na bashkon të gjithëve, që është integrimi evropian i vendit. Ndaj dhe kjo situatë duhet tejkaluar me një sjellje më evropiane dhe për këtë nuk kanë munguar as këshillat apo sugjerimet e partnerëve tanë.


Z. Meta, edhe z. Pierre Mirel dje, ka deklaruar se kjo grevë është në momentin e papërshtatshëm, keni një koment për këtë? Natyrisht që ky moment është për dialog, ky moment është për zgjidhje që vjen përmes dialogut dhe respektimit të institucioneve, sepse institucionet i përkasin të gjithë vendit dhe si të tilla, krijimi dhe konsolidimi i tyre është meritë e gjithë forcave politike, ashtu sikurse edhe mangësitë janë përgjegjësi e të gjithë forcave dhe aktorëve politikë. Në këtë drejtim unë do të shpresoja në një reflektim dhe në mundësinë e rivendosjes së një dialogu të shpejtë për ta kaluar këtë situatë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›