E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët shqiptarë le të nxjerrin mësime

Shtysën për këtë shkrim, ma dha artikulli i Luan Dodes me titull “Masakrat përpara dhe pas asaj të Tivarit”, botuar dje në gazetën 55.
Shkëputur nga studimi i tij “Shqipëria me Jugosllavinë në vitet 1945-1948”, shkrimi i djeshëm i Dodes na sjell të dhëna të rrëqethëse jo vetëm nga dokumente të kohës, por , sidomos, dëshmi të qëmtuara me kujdes në librin me kujtime “Masakra e Tivarit”, (Prishtinë, 1998), të Azem Hajdinit - Xani , një prej të paktëve që shpëtuan ndër 35 000 “djem e burra shqiptarë” që patën fatkeqësinë të përjetojnë atë kalvar. Jo se, deri sot, shumë prej fakteve dhe shifrave nuk janë të njohura prej lexuesit. Por të shprehura me një dendësi të atillë, siç na paraqiten në shkrimin e cituar të 55-s, ato marrin përmasat e së pabesueshmes. E, megjithatë, janë dokumente, shkruar e zeza mbi të bardhë, janë dëshmi tê të mbijetuarve.
Sipas meje, dy janë momentet më domethënëse në shkrimin e Dodes:
E para, nëse në Tivar, në fillim të prillit 1945, u luajt njëri ndër aktet e tragjedisë mbi “të mobilizuarit” shqiptarë që “do të ndiqnin” ushtritë naziste “në Frontin Veriperëndimor të Adriatikut”, akti i parë nisi qysh në mars, me të kaluar kufirin “shqiptaro-shqiptar Prizren-Kukës”. Masakrat vazhduan edhe pas Tivarit, në Dubrovnik, gjatë udhëtimit me anije ose pasi rekrutët u shpërndanë në repartet përkatëse. Në Shqipërinë e Veriut, vazhduan nën drejtimin e OZN-as, me pretekstin që të zbuloheshin dhe të ndiqeshin “armiqtë e popullit jugosllav”.
Në këtë këndvështrim, alibia e Ramiz Alisë, njëri ndër krerët kryesorë të forcave partizane që hynë në tokën jugosllave, është e djegur përfundimisht. Të pretendojë sot komisari i Divizionit të Veriut se paska dëgjuar për të ashtuquajturën “Masakra e Tivarit”, por nuk ditka hollësi, sepse asohere paska qenë diku, jashtë Shqipërisë, është njësoj si të pandehë se mund të fshihet pas gishtit. Sa për kureshtje të lexuesit, po sjell dëshminë e Ismail Kadeshit, shifrant i Komitetit Qendror, i cili thotë se në pranverën e vitit 1945, kishte marrë një shifër nga Ramiz Alia, i cili njoftonte: “Sot në mëngjes, një turmë e madhe, disa mijëra shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes dy kodrave, në një luginë, u pushkatuan dhe u likuiduan të gjithë” (cituar sipas L.Dode “Kosova në qëndrimet e Enver Hoxhës”, faqe 108).
Masakrat as filluan, as mbaruan brenda një nate. Përpos kësaj, ku ishte Ramiz Alia më 1949, pas vrasjes së Koçi Xoxes, kur Nesti Kërënxhi dhe Zoi Themeli dëshmonin për krimet e OZN-as në Shqipërinë e Veriut? Vallê, as më 1967 nuk i kishte dalë gjumi kur Enver Hoxha shkruante në gazetën “Bashkimi” se Titoja dhe banda e tij ishin përgjegjës “...për vrasjen e mijëra e mijëra të rinjve shqiptarë në rrugën Prizren Ulqin”?
E dyta, qeveritarët e Tiranës nuk ishin aq të painformuar sa pretendohet sot prej ndokujt, lidhur me krimin që po ndodhte brenda kufijve të shtetit shqiptar, përderisa ekzekutimet kryheshin edhe në sy të “ushtarakëve të Shqipërisë”, të cilët “i përcillnin me duartrokitje”. A mund të masakroheshin prej jugosllavëve 120-140 vetë në Fushë-Arrëz dhe kufomat të hidheshin në hendek e të mbuloheshin me kashtë, pa dijeninë e Tiranës? Aq më tepër, kur vetë Tirana kishte lejuar kalimin e rekrutëve nga Kosova dhe Maqedonia në territorin e kontrolluar prej saj.
Përsëdyti, lind pyetja: mirë se këtë “hollësi” Ramiz Alia nuk e ka ditur, po, si shkodran, s’ka dëgjuar kurrë për ata fatzinj që u pushkatuan dhe u hodhën në ujërat e rrëmbyera prej shirave të pranverës, ndërsa kalonin Urën mbi Drin? As si udhëheqës komunist, aq shumë i përvëluar për popullin, nuk e ka dëgjuar ndonjëherë bëma të tilla në takime me popullin? Kujtesa popullore nuk shuhet lehtë. Le të marrë mundimin të shkojë deri në vendlindje, me gjithë vitet që i rëndojnë mbi supe. Në mos për trupin, do t’i bënte mirë trurit, do t’i freskonte kujtesën.
***
Në prag të vendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës lidhur me shpalljen e njëanshme të Pavarësisë së Kosovës, si edhe më pas, në një pjesë të shtypi të Tiranës vërshoi një lumë shkrimesh që synonin të mbanin ndezur flakëzën e kandilit pa vaj të Beogradit. Para do kohe, dikush jepte alarmin se heqja e vizave për shqiptarët dhe pranimi i Shqipërisë në BE do të kishin kosto të lartë, aq më tepër kur, sipas artikullshkruesit, vetë BE-ja qenkësh në shpërbërje e sipër. Një tjetër vinte kujën se autostrada që lidh dy pjesë të Kombit tonë, ndarë padrejtësisht me një vijë kufitare shqiptaro-shqiptare, qenkësh e panevojshme se paskësh kushtuar shumë dhe paskësh prishur mjedisin nga Rrësheni, në Kalimash. Aq shumë i kishte bërë përshtypje prishja ekologjike autorit në fjalë, saqë ai fragment i autostradës i kishte nxitur asociacionin se po udhëtuakësh në planetin Mars!
Në këtë vazhdë, edhe ideja tashmë e mykur, nxjerrë nga arkivat serbe, se “Masakra e Tivarit” s’ka të bëjë me Shqipërinë dhe se atë duhet ta zbardhin kosovarët. As më pak, as më shumë, kjo do të thotë se kosovarët nuk janë shqiptarë. Më i madh shërbim, s’ka sesi u bëhet pretendimeve serbe për pavlefshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ja edhe domethënia e mospjesëmarrjes së socialistëve në Komisionin Parlamentar për hetimin e “Masakrës së Tivarit”.
Sa për ato çka thuhen poshtë e lart se Edi Rama nuk do që të dalin në shesh krimet e Enver Hoxhës ose se nuk do ta lëshojë Ramiz Alinë në duart e drejtësisë, unë them se janë shashka për të fshehur thelbin e çështjes. Edi Rama nuk është nga ata që e çan fort... kokën, për atin ideologjik, kur dihet se ka shitur atë biologjik. Ramiz Alinë, Edi Rama do ta kishte shitur edhe më lirë, madje, sesa Fatos Nanon, që e vuri në “fron”.
Qëndrimi i Edi Ramës lidhur me hetimin e “Tivarit” ka të bëjë me pazaret e tij në tregun antikombëtar, çka, edhe këtu, sikurse me lojën e “kutive” dhe të bojkoteve parlamentare, është i destinuar të falimentojë. Sinjalin e parë, e dha Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Të dytin, ndoshta vendimtar dhe të fundit, pritet t’ia japë Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëse Serbia, për të zezën e vet, do të guxojë ta çojë çështjen deri atje. “Prishtina tani është e hipur mbi kalë, ndërsa Serbia në mesin e të mposhturve”, po bien kambanat e alarmit për fqinjën veriore të shtetit më të ri të Ballkanit. Socialistët shqiptarë le të nxjerrin mësime.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›