Tim Xhudah: Serbisë i duhet një Sharl de Gol që të mund të çlirohet nga sindroma e Kosovës
Analisti britanik, Tim Judah thotë se Bernard Kouchner i ka thënë Vuk Jeremicit se nuk ka anëtarësim të Serbisë në BE pa njohje të pavarësisë së Kosovës. Në një intervistë për RFE, ai ka deklaruar se nuk ka ndarje të Kosovës. Judah vlerëson se Serbisë i nevojitet një De Gaulle serb që ka guxim ta pranojë humbjen e Kosovës. Në intervistën për Seksionin në gjuhën serbe të Radios Europa e Lirë, Judah ka vlerësuar se presidenti Boris Tadic ka potencial të bëhet De Gaulle serb, por çështja është se a ka guxim politik për këtë
- çfarë prisni nga debati i shtatorit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së rreth projektrezolutës për Kosovën, të cilën e ka paraqitur Serbia?
Tim Judah: Konsideroj se në këtë kontekst është e rëndësishme të theksohet fakti se 22 shtete të Bashkimit Europian, të cilat e kanë njohur Kosovën gjatë 1-2 viteve të fundit, kanë ndjerë njëfarë pasigurie, por pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me deklaratën e pavarësisë, ato kanë fituar një dozë të dukshme të vetëbesimit dhe për shkak të kësaj, Serbia duhet të jetë e brengosur.
- Ambasadori britanik ka thënë se nuk mund të ketë kthim në negociata për statusin e Kosovës dhe për kufijtë e saj, ndërkaq presidenti Boris Tadiç ka deklaruar se nëse shqiptarët zgjedhin pavarësinë, ajo duhet t’u jepet edhe serbëve të Kosovës. A nuk tingëllon kjo si ofertë për ndarje të Kosovës?
Po, kjo tingëllon si flirt me idenë e ndarjes, por kjo ide nuk është e re. Ajo qarkullon që një kohë të gjatë. Mirëpo, fuqitë e mëdha janë kundër ndarjes së Kosovës dhe nuk do ta lejojnë këtë për arsye të njohura për të gjithë: efektet e padëshirueshme që do të kishte në Maqedoni dhe Bosnje. Pra, kjo nuk do të ndodhë.
- Pushteti serb vazhdimisht përsërit se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, por nganjëherë dëgjohen zëra të politikanëve të disa vendeve evropiane me ndikim të cilat ia tërheqin vërejtjen Beogradit se kur të trokasë në dyert e Brukselit, pas disa viteve, duhet ta njohë Kosovën?
Po, ka zyrtarë siç është Shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kouchner, i cili i është afruar Jeremicit dhe i ka thënë: “Në fund duhet të njihni Kosovën, sepse Bashkimi Europian nuk do të pranojë edhe një Qipro, të faleminderit”. Këtë ia ka thënë Kouchner para tre-katër muajve, kur ishte për vizitë në Beograd. Pra, ia ka bërë të qartë pushtetit serb se në fund janë të detyruar ta njohin Kosovën. Nuk jam i sigurt nëse kjo është thënë kështu në mënyrë të hapur, por definitivisht e di se Kouchner ka thënë se Serbia, para hyrjes në Bashkimin Europian, duhet ta njohë Kosovën, sepse kjo më është thënë mua nga dy burime shumë të besueshme. Nëse Serbia insiston se kurrë nuk do të njohë Kosovën, atëherë duhet ta ketë në dorë një alternativë për hyrje në BE, përkatësisht Planin B.
- Nuk besoni se Beogradi e ka atë plan?
Me sa e di unë, nuk e ka. I tërë plani i Serbisë është bazuar në idenë se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas skenarit më të keq, do të jetë i dykuptimtë dhe në këtë mënyrë do të ishte i mirë për insistim për negociata të reja rreth statusit të Kosovës. Kjo, megjithatë, nuk ndodhi. Në projektrezolutën serbe, e cila thërret për bisedime, nuk është fjala “status”, por, në njëfarë mënyre strategjia e qeverisë serbe përngjan me heronjtë e filmave të animuar, të cilët vrapojnë me gjithë forcën, por ndalen vetëm kur të bien nga shkëmbi.
- Disa njohës të rajonit sugjerojnë se elita politike serbe do të duhej të vërë pikën në çështjen e Kosovës duke mbledhur forcë për t’u thënë qytetarëve të Serbisë të vërtetën se Kosova ka shkuar nga Serbia. A pajtoheni ju me këtë?
Po, gjithsesi. Këtë është dashur ta bëjnë shumë më herët, por është e qartë se asnjë politikan serb ose nuk ka besuar në këtë, ose nuk ka pasur guxim të mjaftueshëm ta bëjë këtë. Menjëherë pas largimit të Milosevicit nga pushteti, në disa qarqe, ka ekzistuar ideja se Kostunica e ka shansin të bëhet De Gaulle serb. Siç dihet, ky udhëheqës francez në fillim ka mbrojtur qëndrimin e popullit francez se Algjeria duhet të mbetet pjesë e Francës. Mirëpo, pasi e kuptoi se ky është një projekt i pamundshëm, e ndryshoi qëndrimin dhe e lejoi Algjerinë të shkojë dhe këtë ua kumtoi me guxim qytetarëve të Francës. është e qartë se kjo në Serbi nuk ka ndodhur.
- Nuk besoni se Tadiç mund të bëhet De Gaulle serb?
Tadiçi gjithsesi ka potencial të bëjë diçka të ngjashme, por nuk e di a ka edhe guxim politik për këtë.
- A prisni që Kryeministri i Republikës Serbe, Milorad Dodik të provojë të përfitojë nga mendimi i GJND-së për Kosovën?
Nëse Dodik do të provonte shkëputjen, ky do të ishte rrezik serioz për ripërtëritje të konflikteve të armatosura. Nuk them që kjo patjetër do të ndodhte, por rreziku do të ishte i madh. Së dyti, Dokik nuk do të kishte kurrfarë përkrahjeje ndërkombëtare, kështu që Republika Serbe do të hynte në izolim të plotë, jo vetëm në rajon, por në tërë bashkësinë ndërkombëtare. Nëse Serbia do të provonte ta njohë, kjo përfundimisht do të ishte fundi i integrimit të saj evropian. Konsideroj terren të përshtatshëm për t’u realizuar kjo orvatje.