Socialisti Fransua Hollande zgjidhet presidenti i ri Frances

Socialisti, Fransua Hollande zgjidhet presidenti i ri Francës. Ai ka fituar me 52 % të votave në balotazhin e së dielës me Nikolas Sarkozy, i cili grumbulloi 48% të votave.
Në një fjalim para qindra mijëra mbështetësve, Fransua Hollande tha se Franca zgjodhi ndryshimin duke mq zgjedhur President të Francës.
“Francezët sot zgjodhën ndryshimin, duke me zgjedhur si President i Republikës. Do t’i shërbej me devocion kombit tim, duke u përfaqësuar me shembullin model.
I dërgoj një përshëndetje zotit Sarkozy, e meriton mirenjohjen time. Shumë prej nesh e prisnin këtë ndryshim prej vitesh. Disa të tjerë kanë kaluar kohë zhgënjimi dhe jam krenar që po u jap atyre shpresën. Ndryshimi që unë propozoj duhet të jetë në lartësinë e Francës, ndryshimi nis tani. Të gjithë në Francë do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Askush nuk do të diskriminohet.
Detyra ime është që të ribashkoj popullin e të përballojmë së bashku sfidat e përbashkëta”, vuri në dukje Hollande.
Liderja e ekstremit të djathtë Marin Le Pen, pas publikimit të rezultatave tha se “nevojitet një opozitë e fortë që të jetë e sigurtë dhe e vendosur”.
Zgjedhja e Hollande në krye të Francës sipas analistëve do të thotë një ndryshim edhe për vetë Europën. Ashtu sikurse ka thënë dhe Hollande ai do të rishikojë marrëveshjet që ka bërë Sarkozy.
Mbështetës të shumtë të Hollande dolën për të festuar në “Place de la Bastille” në Paris, një pikë tradicionale për të majtën franceze kjo.
Është vetëm hera e dytë që një president në detyrë nuk arrin të fitojë rizgjedhjen që nga fillimi i Republikës së pestë franceze në vitin 1958.
Hera e fundit ishte Valery Giscard d'Estaing, i cili u mund në vitin 1981 nga socialisti Francois Mitterrand, që mori dy mandate në detyrë, deri në vitin 1995.