KESH, investitori do blejë sektorin e shpërndarjes bashkë me borxhet
Një nga kushtet që do t‘i vihet investitorit strategjik në momentin e privatizimit të një pjese të KESH-it, do të jetë marrja parasysh e borxheve që korporata ka ndaj donatorëve. Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje me shumicë votash privatizimin e Divizionit të Shpërndarjes (i ndryshuar me Operatori i Sistemit të Shpërndarjes), pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Opozita e votoi kundër projektligjin "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime OSSH", me pretekstin se i jep më shumë kompetenca qeverisë, që përmes vendimeve të mëtejshme do të përcaktojë ecurinë e procesit. Sipas opozitës në komision, procesi i këtij privatizimi nuk duket transparent dhe për këtë qeveria duhet të tregohet e kujdesshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për sektorin më problematik të KESH-it, nga ku varet ecuria e furnizimit të popullatës. Por ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, garantoi për një proces korrekt dhe ligjor, ku me ndihmën e IFC-së parashikohet një rezultat pozitiv. Sipas Rulit, investitori duhet të marrë parasysh bilancet financiare të KESH-it, të cilat nuk janë pozitive. Ministri bëri të ditur shifrën e detyrimeve që konsumatorët i kanë korporatës, rreth 370 milionë euro. Ndërsa vetë KESH-i u detyrohet donatorëve kreditues rreth 240 milionë euro, ku 140 milionë euro i përkasin OSSH-së. Sipas formulës së privatizimit, të miratuar dje në komision, 51 deri në 76 për qind e aksioneve do të shiten me tender të hapur ndërkombëtar. Për sa i takon pjesës së mbetur të aksioneve, do të shkojnë për pronarët e trojeve mbi të cilat janë ndërtuar objektet e Operatorit të Shpërndarjes. Punonjësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në privatizim nëpërmjet bonove.
INSIG
Komisioni i Ligjeve miratoi po dje projektligjin "Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG sh.a ndërmjet Ministrisë së Financave që vepron në emër të shtetit shqiptar, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim". Ratifikimi i marrëveshjes duhet të ishte kryer brenda muajit, në mënyrë që dy aksionerët e shoqërisë, IFC dhe BERZH, të pranonin kërkesën e qeverisë për shtyrjen e afatit të privatizimit të 61 aksioneve deri në dhjetor 2008. Edhe në këtë ligj opozita votoi kundër, duke kërkuar sqarime rreth arsyeve që çuan në shtyrjen e këtij procesi.