Sofra Tiranase në një “Show të mirëfilltë Metropolitan”
Që prej një dekade e gjysmë, aktiviteteve artistike-kulturore të fundvitit në Tiranë u është shtuar edhe një event mjaft origjinal dhe popullor: “Sofra Tiranase”. Zanafilla e këtij spektakli kthehet në mesin e viteve ‘90, pikërisht në Sheshin “Nënë Tereza”, kur më tepër sesa një shoë i mirëfilltë skenik, Sofra Tiranase i ngjante një varieteje me humor dhe këngë të realizuar sipas formatit “variete” të estratadave shtetërore të para viteve 90’, madje mund të themi se e vetmja gjë që e veçonte nga ky lloj formati, ishin pikërisht tavolinat e shtruara me birrë që mbulonin sheshin para podiumit të improvizuar mbi shkallët e korpusit të Universitetit Politeknik të Tiranës …..Që aty, “Sofra Tiranase” nisi rrugëtimin e saj për në sallat e ndryshme të koncerteve , duke filluar që nga Qendra Kombëtare e Kulturës, për të kaluar në sallën e Teatrit të Operas, dhe tashmë, prej më se pesë vitesh, në Sallën e Madhe të Koncerteve në Pallatin e Kongreseve, më e madhja në vend, por që gjithsesi nuk arrin të kënaqë kërkesat gjithnjë e në rritje të spektatorëve që e presin me padurim këtë tubim kulturor të qytetarisë Tiranase. Gjatë këtij rrugëtimi, varieteja e këndshme e humoristëve dhe këngëtarëve u shndërrua në një Show skenik të mirëfilltë me një gamë të gjerë zhanresh muzikore e skenike të cilat fillojnë që nga këngët e vallet popullore , për të vazhduar me hitet dhe këngëtarët e suksesshëm të muzikës së lehtë, e deri tek pjesët instrumentale për formacione orkestrale të muzikës klasike edhe asaj kontemporane, të autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Në këtë spektakël janë shkrirë vazhdimisht edhe elemente skenikë e teatralë, sfilata të kostumeve popullore dhe elemente të tjera të ethnosit të pasur të trevës së Tiranës e më gjerë …Por kjo nuk është e gjitha, “ Paneli” artistik është vetëm një pjesë e Sofrës Tiranase dhe po aq interesante është edhe ndarja e Çmimeve të Vitit “TIRANA” , të cilat akordohen nga Shoqata “ Tirana”, organizatore e spektaklit, për personat me Kontribute të veçanta në sfera të ndryshme si arti, letërsia, publicistika, sporti, massmedia etj. Në kuadër të këtij paneli, në skenën e Sofrës Tiranase janë ngjitur dhjetëra sportistë rekordmenë, shkrimtarë të suksesshëm, gazetarë e publicistë të njohur, të cilët janë nominuar për marrjen e këtij tributi mirënjohjeje të qytetarisë tiranase për krijuesit e vlerave. Por aty janë ngjitur edhe shumë figura të njohura të politikës, artit, sportit apo shoqërisë civile të cilët u kanë dorëzuar çmimet të nominuarve duke përcjellë edhe mesazhe inkurajuese në një atmosferë të ngrohtë qytetare. Kështu, Sofra Tiranase është kthyer tashmë në një “Show të mirëfilltë Metropolitan” , ku gërshetohen e shkuara e sotmja dhe e ardhmja; “Një Eksperiment i Suksesshëm” skenik që pasurohet çdo vit elemente të reja interesante, skena e madhe ku mblidhen yjet e muzikës popullore të trevave shqiptare dhe debutuesit e formacionet shqiptarë më në zë të muzikës instrumentale, figurat e njohura të artit, publicistikës, sportit e politikës. Sofra Tiranase është sofra e yjeve, sofra e qytetarisë. Po çfarë risish do të sjellë këtë herë “ Sofra Tiranase ” ? Një përgjigje të plotë kësaj pyetje , do t’i japim pasi të ndjekim nga afër edicionin 2009 të këtij spektali , që zhvillohet në datën 7 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve , në orën 18. Gjithësesi , surprizat duket se nuk do të mungojnë edhe në këtë edicion ; kështu , krahas këngëtarëve të njohur të muzikës popullore tiranase si Artjola Toska, Sinan Hoxha e Valbona Mema, “Sofra Tiranase” do të ketë këtë herë edhe disa të ftuar të posaçëm nga brenda dhe jashtë vendit , të cilët duket se do të sjellin disa elemente të veçantë në larminë e këtij eventi. Kështu, ritmet dhe motivet andaluziane e spanjolexhante, do të vijnë këtë radhë nën interpretimin virtuoz të pianistit të mirënjohur shqiptar Ekland Hasa, i cili prej më se një dekade debuton me sukses në skenat italiane, ndërsa tingujt epikë të këngës kosovare do të vijnë nën interpretimin e këngëtares së mirënjohur nga Kosova, Shyhrete Beluli. “Tirana New Band”, një grup instrumentesh frymore me një repertor mjaft origjinal pritet të sjellë gjithashtu një atmosferë të hareshme “a la allegretto”; por dhe të rinjtë nuk do të mbeten të zhgënjyer: posaçërisht për ta, vjen si i ftuar special në Sofrën Tiranase 2009, këngëtari dhe kantautori i njohur tiranas Florjan Mumajesi, të cilin të gjithë e njohim shkurt si “Flori” .
5 Dhjetor 2009