E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokol Marsi e Mariza Ikonomi: “Më lër të të dua”

02/11/2011  Këtë herë ka zgjedhur të shfaqet me Mariza Ikonomin. Kërkojnë dashurinë dhe për këtë provojnë të shfaqen në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH. Ndërsa rrëfen për këtë bashkëpunim të fundit, artisti Sokol Marsi flet diçka më tepër për skenën muzikore shqiptare, talentet e reja që shfaqen në të dhe Festivalin e Këngës…

Si e shihni tregun muzikor sot?

Tregu muzikor gjithmonë ka ngritjet dhe uljet e veta. Për mua tregu muzikor sot është në pozicione shumë të lëkundura dhe kjo për disa arsye sipas meje: Së pari, sepse në Shqipëri nuk po funksionon akoma siç duhet e drejta e autorit, që realisht duhet të mbrojë krijimin e çdo artisti në treg. Gjithçka kopjohet në mënyrën më të thjeshtë në internet dhe asgjë nuk paguhet, kështu që s’kemi shitje të muzikës apo dhe aty ku ka është krejtësisht e pakontrolluar.

Së dyti, në Shqipëri nuk funksion një filtër kritike, jo për censurë por për të spikatur dhe dhënë vlera estetiko-artistike për çdo event muzikor apo krijimtari artistike. Por së treti, duhet dhe më shumë përgjegjësi dhe kujdes edhe nga vetë ne krijuesit, producentët, media për të përzgjedhur dhe servivur gjithmonë artistët që kanë vlera reale në tregun muzikor.

Prej vitesh jeni një nga pjesëmarrësit e rregullt dhe të spikatur të Festivalit të Këngës në RTSH. Si e shihni nivelin e këtij festivali dhe si prezantoheni ju sivjet në këtë festival?

Festivali i RTSH-së ka qenë dhe mbetet për mua një nga eventet më serioze dhe profesionale që zhvillohet në Shqipëri në gjininë e këngës. Jam ndier gjithmonë i vlerësuar brenda meje me pjesëmarrjen time në këtë event të gjinisë së këngës. Thjesht gara e madhe midis shumë artistëve, këngëtarëve, poetëve të motivon dhe e bën çdo krijues shumë kërkues që të japi më të mirën e vetes dhe të prezantohet seriozisht. Gjithmonë festivali ka qenë dhe vazhdon të jetë një trampolinë e vështirë për t’u ngjitur dhe për të qenë i suksesshëm nga vetë konkurrenca profesionale që përfaqëson ky festival. Nuk duhet harruar asnjëherë që korifenjtë e muzikës shqiptare si kompozitorë, poetë, këngëtarë kanë dalë, janë rritur dhe kanë lënë mbrapa gjithë këtë pasuri muzikore të pavdekshme dhe për mua pjesëmarrja e çdo artisti në këtë event duhet të jetë vlerësim. Për sa i përket pjesëmarrjes sime, sivjet jam në një bashkëpunim me këngëtaren Mariza Ikonomi dhe bashkëpunim në poezi me Jorgo Papingjin.

Pretendoni fitoren?

(Qesh) Pyetje retorike. Unë ashtu si çdo krijues kërkoj që krijimi im të pëlqehet dhe të dali sa më mirë. Shpresoj shumë në vlerat e Marizës si këngëtare dhe jam munduar të bëj një krijim sa më afër saj. Për sa i përket fitores, si për mua dhe të gjithë kolegët, do të jetë juria profesionale që do të vlerësojë. Di të them që konkurrenca është shumë e fortë dhe uroj që ta fitojë ai që do ta meritojë.

Shpesh janë hedhur ide që jo domosdoshmërish Shqipëria duhet të prezantohet në Festivalin Evropian me këngën që del nga Festivali i RTSH-së. Mendoni se mund të gjendet një tjetër formulë që mund të nxjerrë në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë këngën më të mirë shqiptare, që mund të na përfaqësojë në Evropian?

Kjo është pyetje që ka hapur debate dhe është diskutuar gjatë. Sigurisht vazhdon të diskutohet. Unë personalisht jam krijues dhe për mua do të ishte e njëjta gjë sikur kënga ime të konkurronte në Festivalin e RTSH-së apo në një festival tjetër. Këtë nuk mund ta ndaj unë me mendimin tim. Por di që EBU- organizata që ka patentën e Festivalit Evropian ka kontratë me RTSH, që prej pjesëmarrjes së parë dhe vazhdon të ndiqet ajo kontratë. Mendoj se në fund të fundit kjo është një pyetje jashtë kompetencës së krijuesve.

Zakonisht ka pasur kontestime për festivalet e zhvilluara në Shqipëri, nga vetë artistët pjesëmarrës. Ku e kanë burimin këto paragjykime për organizime të tilla?

Kjo është një pyetje që besoj se s’do të ketë asnjëherë fund. Mendoj se ne shqiptarët nxitohemi dhe themi të fundit në fillim dhe të fillimit në fund. Mendoj se asnjëherë s’do të mungojnë të pakënaqurit në vlerësime përderisa gjithçka në art vlerësohet subjektivisht. E rëndësishme është që t’i shohësh dhe vlerësosh gjërat seriozisht.

Megjithëse e prekët disi gjendjen e muzikës shqiptare sot, ç’mund të thoni më shumë për artistët e rinj që prezantohen çdo ditë. Sipas jush, duhet të ketë një “site” përzgjedhës për talentet e reja përpara se të dalin në tregun muzikor apo evente të ndryshme, duke pasur parasysh edhe se eventet në Shqipëri janë shumë pak kurse të rinjtë që tentojnë tregun muzikor janë plot?

Mendoj se muzikës shqiptare i bën mirë pjesëmarrja e të rinjve. Eventet që organizohen për zbulimin dhe lançimin e tyre janë shume pozitive duke përmendur këtu shumë të tilla, si: “Ethet”, “Star Akademi”, “Voice” etj. Mendoj se i gjithë ky arsenal artistësh të rinj që kanë dalë prej këtyre eventeve kanë zënë vend me dinjitet në skenat shqiptare. Mendoj se këto shërbejnë realisht si një filtër profesional drejt orientimit të talenteve të reja, pasi udhëhiqen dhe punojnë me stafe profesionistësh.

Përveçse kompozimit dhe orkestracionit ju jeni dalluar edhe për poezinë. Cilat janë raportet tuaja midis muzikës dhe poezisë?

Nuk i kam ndarë dhe nuk do t’i ndaj asnjëherë. Profesioni im është muzika, por hobi që kam pasur qysh në fëmijëri për poezinë më ka shtyrë që ta zhvilloj më tej dhe pse jo të jem edhe i suksesshëm me të. Është interesante se ka kolegë që më përzgjedhin në bashkëpunim për kompozimin, ka për orkestracionin, por ka shumë që më përzgjedhin edhe për tekstin, duke shtuar këtu edhe pjesëmarrjen time në Eurosong si poet në bashkëpunimin me Saraçin dhe Aurela Gaçen. Për mua edhe muzika, edhe poezia flenë në të njëjtin shpirt.

Sa e vështirë është të kesh mik të mirë një koleg me të cilin herë pas here edhe konkurron dhe ke rivalitet? Mund të rrëfeni diçka për raportet me kolegët tuaj?

Kam miq shumë kolegë. Nuk kam “armiq” se jam munduar të mos bëj të tillë…(qesh). Por sigurisht që kam miq zemre edhe në muzikë, por edhe në jetë.

A mund të dimë diçka më shumë rreth asaj se si ju pëlqen të kaloni kohën e lirë krahas muzikës? Cilët janë ato që mund t’i cilësojmë si “hobet” tuaja?

Futbolli. Më pëlqen dhe e luaj shumë mirë edhe pse kemi kohë që me miqtë e mi nuk kemi luajtur. Njëkohësisht jam edhe tifoz fanatik i tij. Jam tifoz me Gjermaninë qysh i vogël dhe vazhdoj të jem akoma.

Bashkëpunimet

Fillimet e tij mund të shënohen me kohën kur studionte në Liceun Artistik dhe më pas në Akademinë e Arteve. Duke vijuar sukses pas suksesi Marsi arriti të renditet ndër producentët muzikorë më të kërkuar në Shqipëri. Pothuajse në të gjitha eventet artistike e konkurse muzikore, emri i tij është gjithmonë si një producent muzikor i suksesshëm. Pavarësisht formimit si muzikant profesionist, që mund të shtrihet në shumë degë të muzikës, vetë Sokol Marsi ka qenë përherë i bindur se prirja e tij ka qenë gjithmonë drejt muzikës së lehtë. “Më ka pëlqyer gjithmonë”, pohon ai, ndërsa sjell ndërmend se krijimet e tij të para i takojnë moshës 17-18-vjeçare, “krijime që ngelen brenda logjikës së një 17-vjeçari pa arritur normat e pjekurisë së një muzikanti”, por që i kanë shërbyer që hap pas hapi të vazhdojë të punojë sistematikisht derisa të arrijë pjekurinë si kompozitor. Në shumicën e bashkëpunimeve të suksesshme, mund të veçohen bashkëpunimet e para me shumë këngëtarë, si pjesëmarrja e tij e parë në Festival me Elton Dedën dhe më pas me emra si Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani, Rosela Gjylbegu, Eneida Tarifa, Anjeza Shahini, Aurela Gaçe etj. “Gjithsecili ka dhënë frytet e veta, pasi çdo bashkëpunim mban në vetvete kërshërinë e vet. Sepse çdo artist të ofron specifikën e vet. Kjo më ka ndihmuar dhe më ka dhënë mundësi të bashkëpunoj me shumë artistë të ndryshëm. Më ka ndihmuar në njëfarë mënyre edhe në formimin tim profesional”, shprehet Marsi.

Jashtë dhe brenda muzikës

Edhe kur nuk është me muzikën, në fakt është sërish me të. Gjithmonë bisedat e tij janë të orientuara drejt asaj. “Pjesa ime tjetër e kohës është jashtë muzikës, por për muzikën sepse sërish koha që shpenzoj është relativisht më e madhe në studio”, shprehet Marsi, ndërsa shton se arti është shumë i vështirë dhe aq sa ç’është proces krijues, emocional, aq është edhe teknik. “Do të thotë që duhet të jesh dhe teknicien shumë i mirë për të konkretizuar një këngë apo vepër deri në fund dhe procesi teknik kërkon angazhim. Është punë që bëhet në studio, e që në një moment ecën mirë, në një moment ngec dhe je i detyruar t’i përkushtohesh deri në fund”. E pranon që në këtë drejtim kjo i krijon edhe boshllëqe sa i takon kohës së kaluar me familjen, pavarësisht se gjithmonë është afër tyre edhe fizikisht, pasi studion e ka pranë familjes, por “koha është e kushtëzuar”. Gjithmonë kërkoj mirëkuptimin e bashkëshortes sime Joridës, e cila realisht më toleron dhe mbështet shumë. “Mundohem pastaj që gjatë verës t’i krijoj mundësinë vetes dhe familjes të pushoj me ta gjatë”. Momente tepër të bukura janë edhe ato kur djali i tij katërvjeçar, Anteo, ulet në studio para mikrofonit dhe “e urdhëron” të luajë në muzikë për të, dhe ai vetë fillon e këndon.

“Ka filluar të kuptojë më mirë. Është bërë shok dhe mik me të gjithë artistët që hyjnë e dalin në studio e që kur vijnë së pari pyesin për të”, shton dhe thekson se i pëlqen ideja që djali i tij të merret me muzikë nëse ai vetë do të dojë dhe do të ketë vesh të mirë për t’u bërë muzikant. “Sigurisht do ta ndihmoj dhe do të jem gjithmonë kërkues dhe shtytës që ai të bëhet muzikant, nëse e dëshiron këtë. Por nëse do të ketë dëshira dhe prirje të tjera, sigurisht që do të jetë e njëjta gjë për mua. Nuk dua që ta përfshij dhe të jem rreptësishtë kërkues që të bëhet se s’bën muzikant”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›