E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abetare e përbashkët për të dy vendet

01/11/2011  SHQIPËRI-KOSOVË/ Ministrat e Arsimit diskutojnë detajet për përgatitjen e tekstit të ri

Ngrihen komisionet e vlerësimit. Përdorimi ne nisje të ardhshëm shkollor

Nis puna për hartimin e një abetareje të përbashkët, e cila do të vihet së shpejti në përdorim për nxënësit e klasave të para në Shqipëri e Kosovë. Tashmë është konfirmuar zyrtarisht ngritja e komisioneve me ekspertë të fushës nga dy vendet për detajimin e tekstit të ri mësimor, që parashikohet të vihet në përdorim vitin e ardhshëm shkollor. Kjo nismë është konfirmuar nga dy liderët e arsimit gjatë takimit që ka zhvilluar së fundi në Prishtinë ministri ynë i Arsimit Myqerem Tafaj. Por krijimi i këtij teksti të ri nuk do të shoqërohet me heqjen nga qarkullimi të tri teksteve që aktualisht përdoren për klasat e para në vendin tonë. Pas takimit të zhvilluar ndërmjet dy krerëve të arsimit, ministrit Myqerem Tafaj dhe homologut të tij kosovar Ramë Buja janë bërë publike edhe disa nga detajet se si do të punohet për përgatitjen e abetares së re, që do të përdoret nga nxënësit e klasave të para duke filluar nga shtatori i vitit të ardhshëm. “Aktualisht ne kemi tri abetare në shkollat tona në Shqipëri. Së bashku me ministrin Buja të dyja ministritë kemi rënë dakord që të hapim konkursin për një abetare të re, e cila do të ketë autor nga Kosova dhe nga Shqipëria dhe do të vlerësohet nga një komision i përbashkët. Kjo nuk do të thotë se abetaret e tjera do të përjashtohen nga tregu, sepse këtë nuk kemi të drejtë ta bëjmë", - ka deklaruar ministri ynë i Arsimit Myqerem Tafaj gjatë vizitës së zhvilluar në Prishtinë. Po ashtu është hedhur ideja e përfshirjes në komisione edhe të përfaqësuesve të tjerë shqiptarë që jetojnë jashtë territoreve të dy shteteve. Sipas ministrit kosovar, përgatitja e një abetareje të përbashkët nuk cenon aspak traditën apo kulturën e dy vendeve. “Nuk cenon askënd, as traditën, as kulturën, as etnoset. Ajo ndihmon të gjithë ata që janë në tërë gjeografinë shqiptare, kudo që janë, për të pasur mësimin e përbashkët. Dhe jam shumë i bindur, ndonëse nuk jam ithtar i datave, por shtatori i vitit që vjen nxënësit tanë do ti gjejë me abetaren e re në të gjithë hapësirë gjeografike shqiptare", - ka deklaruar ministri Ramë Buja. Më tej ai ka sqaruar se pjesë e këtyre komisioneve hartuese do të jenë edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë jashtë këtyre dy vendeve. Megjithatë, në këtë rast ai ka konfirmuar se, nëse nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, Malit të Zi apo të Maqedonisë, do të mund të mësojnë nga një abetare e tillë, kjo varet nga shteti ku ata jetojnë. "Jemi të gatshëm që në komisionet që kemi bërë deri tani të jenë edhe ata të Maqedonisë, të Malit të Zi, Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Por ata duhet të shohin se si janë punët me vetveten e tyre", - ka pohuar më tej Buja. Njëkohësisht gjatë qëndrimit në shtetin e Kosovës ministri Tafaj ka zhvilluar takime edhe me drejtues të institucioneve të tjera, ku ka diskutuar mundësinë për shtrirjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve edhe në fusha të tjera.

Konkursi

Ndërmjet dy liderëve të arsimit është rënë dakord për çeljen e konkursit për abetaren e re, e cila parashikohet të ketë autorë nga Shqipëria dhe Kosova. Aktualisht pohohet të jenë ngritur edhe komisionet që do të merren me vlerësimin e këtij teksti. Në përbërje të këtyre komisioneve janë ekspertë të arsimit të dy vendeve. Megjithatë, krijimi i një teksti të përbashkët abetareje nuk do të thotë se do të hiqen nga qarkullimi tri tekstet e tjera që përdoren tashmë në vendin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›