E Diel, 1 Nëntor 2026

Sokrat Habilaj, sjell romanin “Shpirt i trazuar gruaje”



Del në libraritë e vendit romani “Shpirt i trazuar gruaje” i shkrimtarit Sokrat Habilaj, nën kujdesin e shtëpisë botuese “Naimi”. Në qendër të romanit është një grua, tek e cila pasi kanë rrjedhur shumë ujëra, ballafaqohet me dashurinë e parë. Duket si një fabul klasike, por nuk është kështu, pikërisht për faktin se, përveç qenieve të klonuara, asnjë individ nuk është identik me tjetrin. Kështu edhe dashuritë asnjëherë nuk formatohen në jetën reale sipas së njëjtës formulë. Është me fat ai shkrimtar që në veprën e vet arrin të përcjellë tek lexuesi jo personazhe të klonuar, por pikërisht fragmente të “ADN’-së së vet të papërsëritshme. Jo më kot autori, në vend të biografisë së vet, siç bëhet rëndom në këto raste, në anën e pasme të kopertinës së romanit ka vendosur këtë mesazh: “Kur e pyetën shkrimtarin e madh Gustav Flober, autorin e romanit të famshëm “Ema Bovari”, se kush ishte kjo grua që po trondiste lexuesin francez, ai u përgjigj shkurt: “Ajo jam unë!”. “Gruaja” e Sokrat Habilajt ngjanë me fatin e plot vajzave shqiptare, e, megjithatë, kurrë identiteti i saj nuk mund të verifikohet në jetën reale. Ajo është dhe nuk është një personazh realë, pasojë kjo e alkimisë së artit. Ky roman është një ndërmarrje e guximshme për të evidentuar dhe zbërthyer botën e brendshme të personazheve, përthyerjen, transformimin, degradimin deri në përdhosje të personalitetit që ata pësojnë shpesh. Përballë kësaj turme të baltosur, është skalitur fytyra dhe shpirti i bukur e një gruaje. Ajo di vetëm të dashurojë, por atë e tradhtojnë. Ajo jep nga shpirti i saj atë që ka më të bukur, por merr si shpërblim cinizmin e të tjerëve. Atë e rrëzojnë, por ajo nuk dorëzohet. Ajo fal, por di edhe të hakmerret. Ajo hakmerret butësisht ashtu siç mund të hakmerret vetëm shpirti i madh i një gruaje. Studiuesja Mimoza Erebara, duke vlerësuar romanin “Shpirt i trazuar gruaje”, shkruan: “Shpagimi, hakmarrja është marrë e rimarrë shumë herë edhe nga letërsia, nga poetët, dramaturgët, romancierët. Në të gjitha këto që përmenda ose pranohet si e drejtë shpagimi, hakmarrja, ose dënohet. Por në të gjitha rastet kur hakmarrja, shpagimi, pranohet si i tillë, justifikohet dhe ngrihet në kult, në të gjitha rastet personazhet përkatëse e shkojnë kohën duke u përpjekur të krijojnë situata, çaste të mbushura plot urrejtje, ligësi, intriga. Ndërsa Sokrat Habilaj me këtë roman na sjell një model të ri konceptual në raport me qëndrimin ndaj shpagimit, hakut. Ky koncept vjen si një epifani gati-gati poetike. Kur them kështu kam parasysh gjithçka të mirë. Personazhi kryesor, Silva, në ndërdijen e saj të thellë do që të hakmerret për zemrën e lënduar të saj. Por nuk bën asnjë përpjekje për ta arritur këtë. Thjesht e dëshiron. Por edhe kur e dëshiron nuk e kalon cakun e një prindi që do të ndëshkojë fëmijën e vet se ka bërë një çapkënllëk të radhës. Dhe kjo është një diferencë shumë e madhe mes raporteve dashuri-urrejtje. Ky qëndrim nuk të le shteg për urrejtje, sepse dashuria është aq e madhe dhe e fuqishme sa i mbyll të gjitha shtigjet e mundshme. Por shpagimi është i pashmangshëm, sepse DUHET, sepse jeta funksionon kështu”. Romani i ri “Shpirt i trazuar gruaje” me autor Sokrat Habilaj është botim i shtëpisë botuese “Naimi”, nën redaktimin e kritikut të njohur letrar Adriatik Kallulli. Romani ka 624 faqe dhe kushton 800 lekë.

Dhjetë poetë shqiptarë në “Horizontin” polak

“Horizonty” polak, revistë periodike letrare artistike tremujore, që botohet në Raciborz në numrin e saj të fundit, krahas pesëdhjetë poetëve të tjerë botërorë, si Oktavio Paz, Ana Amatova e shumë të tjerë, figurojnë edhe emrat e dhjetë poetëve shqiptarë. Për këtë afirmim të poezisë shqipe, si gjithnjë, merita të posaçme ka poeti dhe përkthyesi Mazllum Saneja, që mbi tre dekada e gjysmë, pos Kosovës vend të dytë qëndrimi ka Poloninë. Në “Horizonty” me nga pesë poezi prezantohen poetët nga treva të ndryshme shqiptare, por që jetojnë edhe përtej kufijve të atdheut. Poetë, që tashmë janë emra të shquar gjeografikisht edhe përtej krijimtarisë në gjuhën shqipe, pasi janë të përkthyer dhe të mirëpritur edhe në gjuhë të huaja. Poetët, që kësaj here prezantohen në këtë revistë janë Mihal Hanxhari, Ali Podrimja, Agim Gjakova, Mazllum Saneja, Dritëro Agolli, Azem Shkreli, Xhemil Bytyqi, Julia Gjika, Zef Çorba dhe Arian Leka. Më herët në këtë revistë prestigjioze kulturore, Mazllum Saneja ka botuar një mori shkrimesh ku ndër tjerash kujtojmë shkrimin studimor për letërsinë shqipe, që nga “Formula e Pagëzimit” deri tek krijuesja Ledia Dushi, si dhe një tjetër shkrim për figurën e Nënë Terezës. “Jam munduar të sjell kësaj radhe disa emra përfaqësues të poetikës shqipe dhe mendoj se kanë zënë vend në mjaft hapësirë në këtë revistë, që pos vlerësimit të poezisë së krijuesve, njëkohësisht përkthimet e mia nga gjuha shqipe në gjuhën polake plotësojnë edhe një tjetër mundësi për prezantimin e krijuesve tanë tek publiku polak”,- ka thënë për “Botën sot, poeti dhe përkthyesi Mazllum Saneja.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›