E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet, 10 personat më të kërkuar nga Policia e Durrësit

Të gjithë janë të dënuar nga gjykata shqiptare për vrasje. Dy prej tyre kërkohen për krime të ndodhura tani shpejt

Artan CENA
DURRËS - Të kërkuar prej vitesh, e të gjithë për vrasje. Ata janë 10 personat më të kërkuar të Policisë së Durrësit, emrat e të cilëve janë bërë të ditur dje. Janë të dënuar apo akuzuar për vepra të rënda penale. Për Policinë e Durrësit janë 10 personat më të rrezikshëm të shpallur në kërkim. Lista kryesohet nga David Gjokeja, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë, ndërsa më tej vijon me Sami Kilën, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, Marlen Tomen, i dënuar me 16 vjet burg për vrasje, Milan Markun, i dënuar me 16 vjet burg për vrasje, Ermir Dervishin, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje, Andi Bardhoshin, i dënuar me 18 vjet burg për vrasje, Sokol Deçkën, i dënuar me 13 vjet burg për vrasje, Skënder Zhitin, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje, Plaurent Dervishin, akuzuar për vrasje dhe Shpëtim Memën, i cili akuzohet po për vrasje.
Krimet
Disa prej tyre janë autorë të vrasjeve më të bujshme në qytetin e Durrësit e më gjerë. Por kurrë nuk kanë rënë në duart e policisë, për të përfunduar në institucionin e vuajtjes së dënimit. Për shumë prej tyre informacioni mungon. Në të dhënat e policisë figurojnë vetëm si persona të kërkuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Shumë dyshohet se kanë ndryshuar identitet dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës në anonimat dhe nuk komunikojnë me familjet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por disa janë të njohur. Një prej tyre është Plaurent Dervishaj. I njohur si kunati i Lul Berishës, Dervishaj është i kërkuar jo vetëm nga Shqipëria. Ndaj tij figuron një fletë arresti e lëshuar dhe nga FBI-ja. Ai akuzohet në SHBA për krime të ndryshme. David Gjokeja akuzohet nga policia për vrasje me qëllim hakmarrjen. Ai, së bashku me dy vëllezërit e tij, ka vrarë dy kushërinj. Në listën e 10 më të kërkuarve është dhe Shpëtim Mema. Ai akuzohet se në datën 20 korrik 2010, pas humbjes së një celulari, vrau pronarin e një lokali në bregdetin e Durrësit. Agim Seci mbeti i vdekur pasi u qëllua me shotgan.
Shpërblimet
Policia e Durrësit, por dhe ajo e Shtetit, kanë vënë shpërblime të shumta për kapjen e tyre. Për disa prej tyre janë ende në fuqi shpërblimet e vëna nga ana e policisë për këdo që do të japë informacion që do të çojë në arrestimin e tyre. Policia e Durrësit njofton se informacioni mund të jepet në numrat falas 129 ose 126. “Duke falënderuar komunitetin për mbështetjen e vazhdueshme që u jep strukturave të Policisë, i ftojmë qytetarët të kontribuojnë me informacione të vlefshme mbi vendndodhjen e këtyre personave. Për çdo informacion me vlerë si në drejtim të kapjes së personave të kërkuar, ashtu dhe për të informuar mbi një krim, apo për të kërkuar ndihmën e policisë në rast nevoje, mund kontaktoni shërbimet e policisë përmes numrave telefonikë pa pagesë. Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës i garanton të gjithë qytetarët se do të ruhet anonimati për informacionet e dhëna prej tyre”, - thuhet në njoftimin zyrtar të uniformave blu.

David Gjokeja
Gjokeja, 37 vjeç, nga fshati Derven i Krujës, është gjetur fajtor se më datë 18 qershor 2005, pranë fshatit Gjyricë të komunës Ishëm të Durrësit, së bashku me dy vëllezërit e tij, Kastriot dhe Arben Gjokeja, kanë vrarë për probleme hasmërie kushërinjtë e tyre, Eduard e Oligert Gjokeja, si dhe kanë plagosur rëndë Simon Gjokejën. Tre vëllezërit Gjokeja kishin organizuar pritë ndaj kushërinjve të tyre dhe i kanë vrarë me armë.
Sami Kila
Sami Kila është dënuar për vrasjen me dashje në bashkëpunim të Lush Stanit në datën 6 gusht 1993 dhe ishte dënuar me vdekje nga Kodi Penal i kohës. Por, një vit më vonë, Gjykata e Kasacionit e ka ndryshuar vendimin duke e kthyer vendimin në burg të përjetshëm. Sipas të dhënave, vrasja me dashje kishte ndodhur për motive të dobëta. Që prej vitit 1993, Kila ndodhet në kërkim nga policia.
Marlen Tome
I kërkuar prej vitesh nga Policia shqiptare për vrasje. Ai ka lindur në Durrës më 7 gusht të vitit 1978. Në informacionet zyrtare që ofron Interpoli thuhet se ai është i gjatë 170 centimetra, brun dhe me sy të zinj. Ai kërkohet për krime kundër jetës dhe shëndetit. Policia mendon se ai fshihet në vendet e BE-së dhe ka ndryshuar identitet me qëllim që të mos bjerë në pranga.
Plaurent Dervishi
Plaurent Dervishi njihet dhe si kunati i Lul Berishës, të akuzuar si anëtarë të së ashtuquajturës “banda e Durrësit”. Ai është një nga më të kërkuarit dhe të FBI-së dhe Interpolit shqiptar. Ai akuzohet për shumë vepra penale, mes tyre dhe vrasjes, organizatë kriminale, trafik droge etj. Ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar, të lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Shpëtim Mema
Shpëtim Mema akuzohet se ka vrarë me armë pronarin e një lokali në Durrës për një celular. Policia e Durrësit e ka shpallur në kërkim Shpëtim Memën si të dyshuarin kryesor për vrasjen Agim Secit, e ndodhur në Durrës mëngjesin e datës 20 korrik 2010. Mema dyshohet se e ka vrarë Secin pas një zënke banale mes tyre. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e viktimës.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›