E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kosovës



Takimi i parë i Këshillit të Sigurimit të Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për zyrtarët dhe analistët në Prishtinë shihet si një mbledhje që nuk do të sjellë ndonjë gjë të re, përveç diskutimeve pro dhe kundër pavarësisë. Me kërkesë të Rusisë, sot mbahet mbledhja e parë e Këshillit të Sigurimit, pas mendimit pozitiv për Kosovën të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në takim pritet të marrë pjesë ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.
Kërkesa
Rusia, që është kryesuese e radhës e Këshillit të Sigurimit, ka kërkuar mbajtjen e seancës, në të cilën pritet të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe të Serbisë. Zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, nuk pret asgjë të jashtëzakonshme nga mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit. “Ne nuk besojmë se do të ndodhë diçka dramatike në mbledhjen e nesërme (sotme) të Këshillit të Sigurimit. Ky këshill tashmë është shndërruar në një arenë, ku përballen oponentët dhe mbështetësit e pavarësisë. Fatmirësisht, numri i mbështetësve tanë çdo ditë po vjen duke u rritur dhe ne çdo ditë e më shumë po prodhojmë argumente në dobi të shtetësisë sonë”, - thotë Çitaku.
Në anën tjetër, analisti Arben Qirezi, caktimin e mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit nga ana e Rusisë, vetëm pak ditë pas mendimit të GJND-së, e sheh si një përpjekje për të zbehur efektin dhe rëndësinë e këtij mendimi. “Mendimi i GJND-së do të mbetet ashtu siç është dhe do të perceptohet ashtu siç është - pra me legalizimin e shtetësisë së Kosovës. Do të perceptohet në mënyrë pozitive edhe nga anëtarët tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, pra të OKB-së, dhe këto përpjekje të Serbisë dhe të aleatëve të saj nuk do të kenë ndonjë efekt”, - shprehet Qirezi. Këshilli i Sigurimit, për politikanen Rada Trajkoviq mbetet organi që mund të marrë vendime thelbësore për Kosovën. Ajo madje pret më shumë nga ky këshill, sesa nga sesioni i 64-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën do të diskutohet mendimi i GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë - mendim ky që u kërkua po nga kjo asamble. “Asambleja e Përgjithshme nuk mendoj se do të sjellë asgjë që do të jetë eksluzivitet apo fitore për njërën apo palën tjetër, meqë mendimi s’është obligativ. Kjo Asamble do t’i thotë Këshillit të Sigurimit që të sjellë një vendim, që është në funksion të stabilitetit të rajonit”, - thotë Trajkoviq.
Por, Vlora Çitaku mendon se diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme dhe rezoluta eventuale, që do të miratohet në të, do të reflektojë mendimin e GJND-së, i cili tha se pavarësia e Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare. “Debati në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk mund të jetë i ndryshëm nga opinioni shumë i qartë i GJND-së. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si organi më autoritativ në fushën e së drejtës ndërkombëtare ka dhënë një mendim jashtëzakonisht të qartë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, andaj edhe debati në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme nuk mund të dalë jashtë këtyre vijave. Gjithsesi, Serbia së bashku me partnerët e vet, do të mundohet që të zbehë qartësinë e këtij opinioni, duke u munduar që betejën e humbur në GJND, ta neutralizojë me një debat politik në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme”, - thekson Çitaku.
Rezoluta e Serbisë
Analisti Arben Qirezi shprehet se Serbia tashmë ka deponuar në Asamble një rezolutë të saj, ku tërthorazi bën thirrje për bisedime të reja për statusin e Kosovës, por ai nuk beson se rezoluta e Serbisë do të ketë sukses. “Unë mendoj se kjo ofensivë, që unë do ta quaja përpjekje të të dëshpëruarit do ta ketë po atë efekt në Serbi, sikurse e ka pasur mendimi i GJND-së, pra do të sjellë zhgënjime të reja për Serbinë. Mendoj se ky mendim i GJND-së ka trasuar një rrugë të re në të cilën Serbia herët a vonë do të duhej që të hyjë. Përndryshe, me veprimet e saj, Serbia gjithnjë e më shumë po e shtyn veten në qorsokak”, - thotë Qirezi. Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian thuhet se ka përpiluar një projekt-rezolutë për mendimin e GJND-së, që do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme.

Ekspertët: Diplomacia, të jetë më aktive te shtetet që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës

Përfaqësues të partive opozitare dhe ekspertë për integrimin në Kosovë theksojnë se
pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të ketë një diplomaci më aktive te shtetet që hezitojnë ta njohin Kosovën. Pavarësisht mosndryshimit të diplomacisë greke, spanjolle, asaj sllovake, rumune dhe qipriote ndaj shtetësisë së Kosovës pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Prishtina zyrtare pret që shumë shpejt të njihet edhe nga këto vende të Bashkimit Evropian. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se perspektiva evropiane e Kosovës është e qartë, edhe pse pesë vendet evropiane nuk e njohin atë si shtet. “Tashmë nga Brukseli kemi një qëndrim unik për mbështetjen e plotë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe në këtë drejtim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ndërsa, unë pres njohjet edhe nga pesë vendet, të cilat janë në aspekte procedurale vendimmarrëse për njohjen e shtetit të Kosovës”, - thotë Thaçi.
Kryeministri Thaçi thekson se që nga prezantimi i mendimit të GJND-së, diplomacia kosovare ka shtuar angazhimet në drejtim të rritjes së njohjeve për Kosovën, rezultatet e të cilit proces, sipas tij, mund të priten në javët dhe muajt e ardhshëm. Megjithatë, mungesa e njohjeve nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, sipas ekspertit për integrime, Shenoll Muharremi, mund të shkaktojë disa komplikime kur bëhet fjalë për marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Këto pesë vende janë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe rregullat janë të atilla që vendet aspirojnë t’i bashkohen këtij klubi, duhet ta respektojnë edhe vullnetin e këtyre shteteve.

3 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›