Kosova, pjesë e “Antologjisë botërore të dramës”
Dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj, është përzgjedhur të jetë pjesë e treshes editoriale të “Antologjisë botërore të dramës” nga vendet që janë apo kanë qenë në konflikt anembanë globit, në këta njëzet vjetët e fundit. Bashkë me dy profesorë nga Universiteti i Manchesterit të Anglisë, James Thompson dhe Jenny Hughes, Neziraj ka nisur punën për mbledhjen e dramave që do të botohen në antologjinë me titull “In Place of Ëar” (Në vendin e luftës). Për më pak se një muaj sa është shpallur një thirrje për dramaturgët e këtyre vendeve, në adresë të treshes editoriale kanë mbërritur më shumë se 200 drama. Ata do të presin aplikimet deri në ditën e parë të dhjetorit, ndërkaq në këtë antologji do të ketë vend edhe për një dramë nga Kosova. “Sigurisht se do të botohet edhe ndonjë dramë nga një dramaturg kosovar”, ka thënë Neziraj, teksa ka shtuar se dramat nga Kosova do t`u takojë t’i lexojnë dy kolegët e tij nga Manchesteri. Vende të tjera ku konkursi është duke qarkulluar, janë edhe Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, ndërsa Neziraj ka bërë me dije se kjo antologji do të kalojë kufijtë e Ballkanit Perëndimor. Në të do të përshihen edhe tekste të dramaturgëve nga Ruanda, Sudani, Iraku, Afganistani, Palestina, Gjeorgjia, etj. Më shumë se 30 drama do të mund të përmbledhë kjo antologji, që parashihet të përmblidhet në afro 2 mijë faqe. “Do të përpiqemi që nga secili shtet të zgjedhim nga një dramë, nga disa të tjera dy, e nëse nuk ka kualitet nga ndonjë vend mund edhe të mos e përfshijmë fare”, ka thënë Neziraj. Ndonëse emri për këtë botim nuk është përcaktuar, Neziraj, njëherësh drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, thotë se ajo mund të titullohet “Antologji botërore e dramës”. Por tema për dramat konkurruese tashmë është vënë si kriter i konkursit. “Ato duhet të fokusohen që t’i përgjigjen konfliktit, kujtesës kolektive, përvojave të refugjatëve dhe azilkërkuesve, zhvendosjes, drejtësisë, etj.”, ka sqaruar Neziraj, teksa ka përmendur edhe një tjetër kriter që autorët duhet ta plotësojnë paraprakisht. “Ata duhet të jenë rezidentë të vendit i cili ka kaluar në një konflikt”, ka thënë ai. Për shkak të numrit të madh të dramave që mund të vijnë deri në përmbylljen e konkursit, do të caktohet një komitet që do të seleksionojë vetëm disa prej tyre, të cilat do të bien në duart e treshes editoriale. “Shfaqjet pranohen në çfarëdo gjuhe, megjithatë një përshkrim i shkurtër i sinopsisit në gjuhën angleze, është i preferuar”, ka thënë Neziraj. I gjithë procesi i selektimit të dramave që do t’u jepet drita e gjelbër e botimit nga treshja editoriale, do të përfundojë në fund të vitit 2011, ndërsa përfshirë edhe procedurat e botimit ajo do të mund të jetë gati për lexuesit nga mbarë bota tek në vitin 2012. Neziraj thotë se janë në negociata të përzgjedhjes së shtëpisë botuese që do të merret me botimin e kësaj drame. “Tashmë për botimin e saj ka shprehur interesim ‘Manchester Press’, por jemi në kërkim edhe të një botuesi tjetër të madh që do të mundësonte një distribuim sa më të mirë në të gjithë botën”, ka përfunduar ai.
3 Gusht 2010