Takimi për nivelin e rendit
TIRANË - Ardhja e emigrantëve, që sjell dhe krime shumta, ngjarjet e rënda të ndodhura gjatë muajit korrik, si dhe numri i madh i qytetarëve të vdekur në aksidente kanë bërë që Policia e Shtetit t’u kërkojë llogari drejtorëve të policive në qarqe. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se dje zv.drejtori i Përgjithshëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Agron Kuliçaj, zhvilloi një takim me zv.drejtorët e policive në qarqe. Në qendër të bisedimeve në këtë takim ishte mbajtja nën kontroll dhe menaxhimi i situatës në lidhje me luftën ndaj krimit në përgjithësi, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me prurje të madhe të emigrantëve, ku përfshihen edhe shumë elementë të krimit. Gjatë këtij takimi mes Kuliçajt dhe zv.drejtorëve të policive në qarqe, u vu theksi te përballimi dhe ndjekja në mënyrë dinamike e situatës kriminale, si dhe intensifikimi i shërbimeve policore nga ana e strukturave të policisë në të gjithë vendin. Me synimin për parandalimin e krimit në përgjithësi, veçanërisht të krimeve ndaj personit dhe pronës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan masash dhe ka planifikuar një sërë kontrollesh në qarqe nga një grup pune i ngritur posaçërisht për përballimin e kësaj situate. Po ashtu, një theks i veçantë në këtë takim u vendos te lufta kundër trafiqeve të paligjshme, parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike si dhe hetimi i aseteve kriminale, për të cilat do të vijojnë kontrollet e vazhdueshme në çdo qark të vendit.
Pret damarët me thikë, shpëtohet nga policia i riu
TIRANË - Një i ri ka tentuar t’i japë fund jetës duke prerë damarët me thikë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, në orët e mesditës, në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet. Sipas tyre, efektivët e policisë kanë marrë njoftimin se në një banesë, në gjendje depresioni, ka tentuar të vrasë veten duke prerë damarët e dorës me armë të ftohtë (thikë) shtetasi Haki Hasi. Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes dhe është bërë shoqërimi i të riut për në spital. Nga të dhënat e fundit prej bluzave të bardha është mësuar se 22-vjeçari aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Dosja me materialet për këtë rast i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Gjendet e pajetë në liqen 46-vjeçarja e divorcuar
DURRËS - Një grua është gjetur e mbytur në liqenin e Shtrazës në Shijak. Është Policia e Durrësit ajo që ka bërë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin dy ditëve më parë. Burimet zyrtare nga uniformat blu të qytetit bregdetar thanë rreth orës 07:30 është gjetur e mbytur në liqenin e fshatit Shtrazë, komuna Gjepalaj, Shijak, 46-vjeçarja A. Driza, banuese në të njëjtin fshat dhe e divorcuar. Pasi është marrë njoftimi në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë që kanë nisur hetimet. Policia tha se, “lidhur me këtë ngjarje janë kryer veprimet e para hetimore, nga të cilat deri tani rezulton se kemi të bëjmë me një vetëvrasje pasi kjo shtetase vuante nga depresioni nervor dhe kishte tentuar edhe më parë vetëvrasjen”. Për këtë ngjarje është duke vazhduar hetimi me qëllim saktësimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
3 Gusht 2010