Solana: Ballkani, në rrugë të mbarë për në BE

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana ka vlerësuar me rastin e 10 vjetorit të bombardimeve kundër Serbisë, se Ballkani sot është një rajon krejtësisht i ndryshëm dhe në rrugë të mirë drejt NATO-s dhe BE-së. Në një intervistë për televizionin publik çek, Solana ka thënë se "këto 10 vjet janë një periudhë relativisht e shkurtër", dhe ka shtuar se, "për stabilitetin e Ballkanit në këtë periudhë është bërë goxha shumë". "Disa shtete të Ballkanit kanë hyrë në BE, ndërsa shtetet tjera janë kandidatë. Shumica e shteteve në mënyrë institucionale janë të lidhura me BE dhe NATO. Këto shtete vërtetë po kyçen në institucione dhe janë me ne. Mendoj se, për një kohë, miqtë tanë ballkanik do të afrohen edhe më shumë", ka thënë Solana. Solana të hënën viziton Pragën, ku me shefin e diplomacisë çeke do të bisedojë për përgatitjet për takimin joformal të ministrave të punëve të jashtme të BE-së, që do të mbahet më 27 dhe 28 mars, dhe i cili pritet t'i kushtohet thuajse në tërësi Ballkanit Perëndimor, ka bërë të ditur Presidenca çeke.