E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solana: EULEX misioni më ambicioz i BE-së

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana, ka vlerësuar se misioni EULEX në Kosovë, "është misioni më i rëndësishëm dhe ambicioz" i BE-së. Sipas tij, ky mision ka patur shumë përparime, por është e natyrshme, që mbete ende punë për tu bërë. Më tej në intervistën e dhënë për agjencinë Beta, Solana ka theksuar shkallën e mirë të bashkëpunimit të Beogradit me EULEX-in", duke shtuar se ky bashkëpunim duhet "të vazhdojë dhe të forcohet". "Duhet të jemi pragmatik, që veçanërisht do të jetë në të mirë të bashkësisë serbe në Kosovë", tha Solana. Ai vlerësoi si "lajm të mirë", kthimin e policëve serbë në strukturat e policisë së Kosovës. Ndërkaq shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Javier Solana, të hënën do të takohet në Beograd me presidentin e Serbisë, Boris Tadic. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të qëndrojë në Serbi një ditë para se Komisioni Europian t'i miratojë rekomandimet mbi liberalizimin e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Vizita e Solanas në Serbi është në kuadër të turneut ballkanik para përfundimit të mandatit të tij, ndërsa më pas do të vizitojë edhe Shkupin, Podgoricën dhe Prishtinën

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›