Solana-Thaçi, dështon takimi në Bruksel
Blerina Olldashi
Tashmë tensionet mes Kosovës dhe Bashkimit Europian bëhen më të dukshme. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar vizitën në Bruksel, ku do të takonte shefin e Politikës së Jashtme të BE-së Havier Solana. Në këtë takim do të diskutohej mbi çështjen e protokollit policor me Serbinë. Edhe pse mediat e justifikojnë anulimin e vizitës me axhendën e ngjeshur të Solanës, por edhe të kryeministrit Thaçi, arsyeja e vërtetë mendohet të jetë përgjigja negative e kreut të qeverisë kosovare ndaj nënshkrimit të protokollit të EULEX-it me Serbinë. Edhe pse nga misioni europian pretendohet se ky veprim nuk cënon interesat e shtetit të ri, autoritet kosovare e konsiderojnë anashkalim të inistucioneve dhe tejkalim të kompetencave. Edhe pse duket qartë një lloj tensioni mes Kosovës dhe BE-së, zyrtarët ndërkombëtarë në Prishtinë shprehen se nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje me qeverinë kosovare. Ata nuk e përjashtojnë mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshje me autoritetet vendore lidhur me protokollin për bashkëpunimit policor EULEX-Serbi. Bisedimet për këtë çështje po zhvillohen prapa dyerve të mbyllura dhe ato po udhëhiqen nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, në krye të së cilës është përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Piter Feith. Zëdhënësi i tij, Endi Mekgufi ka mohuar të ketë mosmarrëveshje ndërmjet zyrtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë për protokollin. “Nuk mendoj se ka ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare apo Bashkimit Europian për të pasur aranzhime që do t’i mundësonin EULEX-it të bënte punën e vet dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se të gjithë pajtohen se luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit janë çështje shumë prioritare. Ne thjesht duhet të gjejmë zgjidhje të përshtatshme për të gjithë”,- tha Mekgufi. Ndërkohë, pavarësisht paralajmërimeve të presidencës suedeze të BE-së se protokolli ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë do të nënshkruhet së shpejti, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se dokumenti në formën siç është tani, nuk do të pranohet kurrë nga Prishtina. “Kjo lojë përmes mediave dhe oponionit publik është formë e presionit që mund t’i bëhet dikujt. Unë e di që ne do të marrim kritika edhe kur të nënshkruhet po e marr shembull, por edhe nëse nuk nënshkruhet ka dikush që e kritikon për shkak të dëmtimit të axhendës europiane. Ne do të bëjmë veprimin më të mirë për interesat e vendit tonë. Presioni përmes mediave nuk e ndryshon qëndrimin e qeverisë së Kosovës”,- tha Kuçi.
Gjermania merr komandën e KFOR-it
Gjeneral-Lejtënant Markus Bentler nga Gjermania, mori dje komandën e KFOR-it nga gjeneral-koloneli italian Xhuzepe Emilio Gai, i cili është në këtë detyrë prej 29 gushtit, 2008. Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës u bë në komandën e KFOR-it në Prishtinë, nën udhëheqjen e komandantit të forcave të bashkuara të NATO-s në Napoli, admiralit amerikan Mark Fitzgerald. Aktualisht NATO-ja ka rreth 13.500 paqeruajtës ndërkombëtarë në Kosovë, por numri i tyre pritet të zvogëlohet deri në rreth 10 mijë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, zhvilloi një vizitë në Prishtinë më 13 gusht, ku edhe pati paralajmëruar reduktimin e forcave ndërkombëtare në Kosovë.
“Kemi vendosur të reduktojmë numrin e trupave gjatë viteve të ardhshme, por do të doja të theksoja se ky vendim vetëm reflekton zhvillimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Ky vendim është i bazuar në kushte që do të thotë se reduktimi do të ndodhë në pajtueshmëri me përmirësimin e vazhdueshëm në aspektin e sigurisë”,- ka thënë Rasmusen, duke nënvizuar se nuk do të merret asnjë vendim që do të kishte ndikim negativ në sigurinë e Kosovës.
9 Shtator 2009