E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Ohër, fakte të reja për mbytjen e anijes



Pas aksidentit në liqenin e Ohrit ku humbën jetën 15 persona, bëhen të ditura fakte të reja për mbytjen e anijes ku po udhëtonin turistë bullgarë. Të mbijetuarit flasin për mediat bullgare dhe tregojnë se nuk kishte veshje shpëtimi në anije. Bullgaria mbajti një ditë zie kombëtare për 15 shtetasit e saj që gjetën vdekjen pas mbytjes së një anijejeje turistike në liqenin e Ohrit. Në bordin e anijes maqedonase, “Ilinden” ishin 53 turistë bullgarë, udhërrëfyesi i tyre maqedonas dhe anëtarë të ekupazhit në momentin kur anija u anua papritur dhe u zhyt brenda disa sekondash në Liqenin e Ohrit të shtunën. Të mbijetuarit tregojnë si mundoheshin të kapeshin pas çdo gjëje që u dilte përpara, ndërsa nuk kishte veshje shpëtimi në anije. Në Shkup kanë mbërritur pjesëtarë të familjeve të viktimave për të identifikuar të mbyturit. Burime mjekësore thonë se deri tani janë indentifikuar tre nga viktimat. Ministri bullgar i transportit, Alexander Tsvetkov i tha televizionit bullgar se këputja e kabllit të timonit që lidhet me elikën konsiderohet si shkaku më i mundshëm i aksidentit.

Maqedoni
Shënohet 18-vjetori i pavarësisë së vendit

Maqedonia dje shënoi 18-vjetorin e zbatimit të suksesshëm të referendumit, në të cilin qytetarët e Maqedonisë u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Mbi 90 për qind e qytetarëve që dolën në referendum më 8 shtator të vitit 1991 iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”. Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

Rusi
Lavrov: “Nuk i shesim armë Iranit”

Rusia ka mohuar lajmet e publikuara në media se një anije mallrash që u rrëmbye në korrik, transportonte raketa ruse të tipit S-300 për Iranin. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka deklaruar se lajmet në fjalë janë “absolutisht të pavërteta”.
Anija me flamur maltezë “Arctic Sea”, me ekuipazh rus, u shpall e humbur për më shumë se dy javë dhe u gjet me 16 gusht në brigjet e Afrikës perëndimore. Tetë persona, shumica e të cilëve nga Estonia, u akuzuan më vonë për rrëmbimin e anijes dhe ekuipazhit të saj pasi ishin hequr si agjentë të rojës bregdetare.

Afganistan
3 civilë të vrarë e 6 të plagosur në Kabul

Zyrtarët në Afganistan thonë se një vetëvrasës sulmoi dje në mëngjes afër një baze ushtarake në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, duke vrarë 3 civilë e plagosur 6 të tjerë. Talebanët morën përgjegjësinë për shpërthimin, nga i cili u plagos edhe një ushtar i forcës ndërkombëtare. Aeroporti përdoret si nga civilët edhe nga trupat e huaja të dislokuara në atë vend. Kryengritësit talebanë vunë aeroportin në shënjestër të sulmeve me raketa muajin e kaluar, ndërsa intensifikuan fushatën e tyre të dhunshme para zgjedhjeve.

Kinë
Aksident në minierë, 35 të vrarë

Agjencia kineze e lajmeve Hsinua njofton se nga aksidenti në një minierë në krahinën Henan u vranë 35 minatorë dhe 44 të tjerë kanë mbetur të bllokuar në galeri. Aksidenti ndodhi para agimit si rrjedhim i një shpërthimi në minierën e qymyrit pranë qytetit Pingdinshan. Shkaqet e shpërthimit nuk jepen, por thuhet se 14 minatorë arritën të shpëtonin duke dalë nga miniera. Minierat kinezë të qymurit janë të njohura për rrezikshmërinë e tyre të lartë. Vitin e kaluar nga aksidente në miniera në Kinë gjetën vdekjen mbi 3 mijë minatorë.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›