Tërmeti, banorët e fshatrave të Peshkopisë në qiell të hapur
Tiranë - Panik nën çadrat e sajuara të plastmasit. Kjo është situata në dy fshatra të Peshkopisë të goditura nga tërmeti. Banorët e fshatit të Gjoricës, fshat i Dibrës ku u shënua tërmeti 7 ballësh mbrëmjen e së dielës, i bëjnë thirrje qeverisë për tua lehtësuar strehimin në këto ditë të vështira. Dhjetëra familje vetëm në Gjoricë ndodhen në qiell të hapur pasi banesat e tyre ose janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht nga lëkundjet sizmike. Dje para Komunës së Gjoricës janë drejtuar dhjetëra kryefamiljarë që presin për tu pajisur me çadra, për të akomoduar më pas familjen. “Jemi në pritje të një çadre. Kemi fjetur jashtë, nuk guxojmë të hymë brenda”, -shprehej dje një banor. Banori shton se edhe pse pret në radhë, nuk ka besim se do ta marrë një të tillë. “Fëmija në shi, moti u ftoh ndërsa qeveria ka dërguar vetëm 20 çadra. Janë të pamjaftueshme, sa janë këtu në radhë, ku di unë nëse e marr një apo jo”, -tha banori i Gjoricës dje për mediat. Një tjetër familje 7 anëtarëshe shprehet gjithashtu se nuk është pajisur me çadër dhe se nuk di sesi mund të shkojë fati i tyre tani që i goditi fatkeqësia natyrore. Banorët theksojnë se nuk kanë fuqi të marrin strehë me qira, pasi nuk kanë kushtet e nevojshme ekonomike. Ata i bëjnë thirrje kryeministrit të marrë masa dhe tu vijë në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.
Frika
Banorët e Shupenzës dhe fshatrave të tjera në qarkun e Dibrës të prekura nga tërmeti i mbrëmjes të së dielës shprehen kanë kaluar dy netë jashtë pasi banesat e tyre janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht nga tërmeti. Ndërkohë lëkundje të tjera tërmeti vazhdojnë të tronditin zonën. Disa familje që u është dëmtuar banesa pjesërisht u shprehën se bashkë më fëmijët e vegjël kane kaluar natën jashtë në kushte të vështira. “Shiu bie, ne fjetëm ca në makinë, disa poshtë plastmasëve. Por kemi frikë të hyjmë brenda në shtëpi. Lëkundje tërmeti vazhdojnë të ndjehen ende në zonë. Jemi të frikësuar”, shprehen banorët. Sipas tyre, qeveria ka dërguar vetëm 3-4 çadra dhe pjesa tjetër që u janë dëmtuar shtëpitë nuk ka ku të strehohet. Një banor tjetër në Shupenzë thekson se familja e saj, më të moshuar të sëmurë dhe fëmijë të vegjël kanë fjetur jashtë nën qeset e plastmasit të ngritura nga ata vetë. Familjet që i gdhinë natën jashtë shprehen se nuk mund të largohen nga banesat, pasi frikësohen se malli do tu grabitet.
Tërmeti
Tërmeti i të dielës me magnitud 5.4 Rihter, epiqendra e të cilit u lokalizua në fshatin Gjoricë, 19 kilometra në Jug-Lindje të qytetit të Peshkopisë dhe 63 kilometra në Veri-lindje të Tiranës, për fat nuk shkaktoi të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale. Lëkundjet e tërmetit në këtë zonë kanë vazhduar në mënyrë të përsëritur dhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë orëve të para të mëngjesit, dhe sipas specialistëve të Institutit Sizmiologjik ato janë të natyrshme dhe pa probleme. Përfaqësues të lartë të shtetit, mes të cilëve dhe Kryeministri Sali Berisha, gjatë ditës së hënë, ndoqën nga afër situatën e krijuar në këtë zonë, duke garantuar mbështetjen dhe ndihmën e plotë për banorët e dëmtuar. Pas mbledhjes së parë të Shtabit të Emergjencës në Prefekturën e Dibrës, zhvilluar të hënën në mesditë, paraprakisht rezulton se të paktën 166 shtëpi në rang qarku janë të pabanuara dhe 2 500 të dëmtuara
Tërmeti, shpërndarja e çadrave nisi me vonesë
Grupet e Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencës Civile paraditen e së hënës nisën shpërndarjen e ndihmave materiale, veshje e çadra, por edhe ushqime për banorët e dëmtuar nga tërmeti i fortë që ra natën e kaluar në qarkun e Dibrës. Ndihmat e para që u transportuan me helikopter kanë mbërritur në Gjoricë. Ndihmat konsistonin në ushqime dhe veshje, por janë vërejtur mangësi të theksuara në pajisjen me çadra të banorëve që ngelën të pastrehë. Situata e krijuar në këtë zonë në verilindje të vendit po ndiqet nga afër nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, së bashku me drejtues të lartë të këtij dikasteri. Poni ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës Civile të hënën në Dibër, ku mësohet se u vendos mbi planin e punës për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, dhënien e ndihmës për banorët e dëmtuar, mirëfunksionimin e strukturave shtetërore si spitalet, policia, ndërmarrjen e rrugëve, entin e elektrikut etj. Ndërsa janë lënë porosi për kryetarët e komunave për të raportuar mbi situatën e verifikuar në terren. Poni bëri të ditur se grupet e punës po punojnë në komunat e Gjoricës dhe Shupenzës, duke shpërndarë ndihma me helikopter për banorët e dëmtuar. Ai rikonfirmoi dhe një herë se nga tërmeti nuk ka pasur të lënduar në njerëz, përjashto tre raste të lehta, kur tre personave iu është dhënë ndihma mjekësore në spitalin e Dibrës, dhe më pas janë larguar në shtëpitë e tyre. Poni theksoi dhe angazhimin e madh të të gjitha institucioneve në përballimin e situatës pas tërmetit të fortë me epiqendër në Gjoricë të rrethit të Dibrës, por që u ndje edhe në disa zona të Shqipërisë.
Lëkundjet u ndjenë dhe mesnatën e së hënës
Tërmeti që goditi vendin, me epiqendër rrethin e Dibrës ka vazhduar të shënojë lëkundje edhe gjatë orëve të natës, arsye kjo për të cilën banorët e komunave të goditura më tepër janë ndjerë të pasigurt dhe kanë vendosur ta kalojnë të dytën natë në qiell të hapur. Sipas të dhënave paraprake të sizmiologëve, lëkundje të tjera tërmeti vazhdojnë të trondisin zonën e prekur më shumë prej tij, si komunat Gjoricë apo Shupenzë të rrethit të Dibrës. Instituti Sizmologjik informoi se lëkundjet e tërmetit kanë vazhduar deri ditën e hënë pas mesnate në qarkun e Dibrës, ndonëse me një forcë shumë herë më të vogël. Ekspertët thanë se epiqendra ka qenë sërish fshati Gjoricë. Ekspertët sizmologë të Institutit shkencor paralajmërojnë se lëkundjet do të vazhdojnë, por do të jenë të lehta deri në çlirimin e energjisë. Dhjetëra familje në komunën e Gjoricës dhe Shupenzës e Ostrenit kanë qëndruar në qiell të hapur pasi banesat e tyre ose janë shembur tërësisht, ose janë dëmtuar deri në nivelin për të qenë të rrezikshme për të banuar brenda. Prefekti i qarkut Dibër, Xhaferr Seiti, konfirmoi dy ditë më parë për mediat ngritjen e komisioneve për dëmet nga tërmeti. “Në Gjoricë, 64 shtëpi janë vlerësuar të pabanueshme, 10 banesa të Shupenzë, 3 shtëpi të pabanueshme në Ostren, në Fushë-Kuqe 3 banesa të dëmtuara, kurse në Rubik 2 banesa, si dhe 2 kabina elektrike”, - deklaroi dje Seiti. Më tej ai ka shtuar se kanë mbërritur çadrat, me të cilat banorët me shtëpitë e pabanueshme do të mundohen të akomodohen për të kaluar natën jashtë. “Kanë ardhur 64 çadra, por nga dëmet e tërmetit janë prekur 84 fshatra”, - theksoi Seiti. Sipas tij, dëme ka pasur dhe në Mat, ku janë vlerësuar 2 shtëpi të dëmtuara. Prefekti i Dibrës konfirmoi se kishte angazhuar të gjithë kryetarët e komunave dhe të fshatrave për të raportuar mbi dëmet materiale që janë shkaktuar nga tërmeti.
9 Shtator 2009